Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    29. ORIGJINA E SË KEQES

    Për shumë njerëz origjina e së keqes dhe shkaku i ekzistimit të saj është arsye për t'u habitur me të madhe. Ata e shohin mëkatin me pasojat e tij të tmerrshme të dhimbjes dhe të shkretërimit dhe pyesin se si mund të ekzistojë e gjithë kjo nën praninë e pushtetit të Atij i cili është i Amshueshëm për nga mençuria, fuqia dhe dashuria. Kjo është fshehtësi të cilën ata nuk mund ta kuptojnë. Në pasigurinë dhe dyshimet e tyre ata janë të verbër për të vërtetat aq të qarta dhe të rëndësishme për shpëtimin i cili na zbulohet në Fjalën e Zotit. Ka njerëz të cilët përpiqen të mësojnë për ekzistimin e mëkatit, atë që Zoti kurrë nuk e ka zbuluar prandaj nuk mund të gjejnë zgjidhje për vështirësitë e veta. Kurse ata që janë të prirur për të dyshuar dhe për të kritikuar këtë e marrin si arsyetim për ta flakur Shkrimin Shenjt. Të tjerët, sërish, nuk mund ta gjejnë zgjidhjen për këtë problem të madh të së keqes sepse rrëfimet, legjendat dhe interpretimet e gabueshme ua kanë errësuar shkencën biblike për karakterin hyjnor, për natyrën e pushtetit të tij dhe për parimet e veprimit të tij me mëkatin.BZ 465.1

    Është e pamundshme të jepet shpjegimi i atillë i mëkatit me të cilin do të mund të arsyetohej ekzistimi i tij. Mirëpo, për origjinën dhe fatin definitiv të mëkatit megjithatë mund të kuptojmë aq sa të na jetë e qartë drejtësia e Zotit dhe mirësia në tërë veprimin e tij me të keqen. Shkrimi Shenjt na mëson qartë se Zoti në asnjë pikëpamje nuk është përgjegjës për paraqitjen e mëkatit dhe kurrëfarë shkurtimi arbitrar i mëshirës hyjnore apo i çfarëdo papërsosshmërie në sjelljen hyjnore, nuk e kanë nxitur rebelimin. Mëkati është kollovar—ekzistimi i të cilit nuk mund të shpjegohet qartë. Ai është misterioz dhe i pashpjegueshëm; ta arsyetosh domethënë ta mbrosh. Sikur për te të mund të gjendej arsyetimi apo shkaku i ekzistimit atëherë ai do të pushonte të ishte mëkat. Interpretimi i ynë i vetëm për mëkatin është ai që është dhënë në Fjalën e Zotit: mëkati është “shkelje e Ligjit”; ai është mishërimi i parimit që është në kundërshtim me Ligjin e madh të dashurisë në të cilin mbështetet pushteti hyjnor.BZ 465.2

    Para se të paraqitej e keqja në tërë gjithësinë ka mbizotëruar qetësia dhe gëzimi. Çdo gjë ka qenë në përputhje të plotë me vullnetin e Krijuesit. Dashuria ndaj Zotit ka qenë mbi të gjitha, ndërsa dashuria reciproke e sinqertë. Krishti, Fjala, Biri i vetmuar i Zotit ka qenë së bashku me Atin e Amshueshëm—një për nga natyra, karakteri dhe qëllimet—një qenie në tërë gjithësinë e cila ka mundur t'i dijë të gjitha planet dhe vendimet e Zotit. Ati përmes Krishtit i ka krijuar të gjitha qeniet qiellore. “Sepse në Të u krijua çdo gjë, në qiell e në tokë, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushteti—gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.” (Kolosianëve 1,16) Në Krishtin si dhe në Atin u pasqyrua i tërë qielli.BZ 466.1

    Pasi që ligji i dashurisë është bazë e pushtetit hyjnor, bekimi i të gjitha qenieve të krijuara është varur nga harmonia e tyre e plotë me parimet e Tij të drejtësisë. Zoti pret nga të gjitha kijesat e veta shërbimin, dashurinë, respektimin i cili mbështetet në mirëkuptimin e vërtetë të karakterit të Zotit. Ai nuk e dëshiron lojalitetin e imponuar, prandaj ua jepë të gjitha qenieve vullnetin e lirë për t'i shërbyer vullnetarisht.BZ 466.2

    Mirëpo ka qenë njëri i cili ka vendosur që ta keqpërdorë këtë liri. Mëkati është lajmëruar në atë i cili, krahas Krishtit ka qenë më së shumti i respektuar nga Zoti dhe i cili ndër banorët e qiellit ka qenë më i larti për nga fuqia dhe nderi. Para rënies së tij, Luciferi ka qenë kerubin i shenjtë dhe i pastër. “Kështu—thotë—Zoti Perëndi: ishe ti vulë përsosshmërie, plotë urti i mrekullueshëm në pashi me kerub krahë shtrirë, të vendosa për të ruajtur, ishe mbi Malin e Shenjt të Zoti, ecje nëpër gurë të zjarrtë. Ishe i përsosur në udhët e tua që ditës së themelimit tënd deri që në ty u ngjiz fajësia.” (Ezekieli 28,12.14.15)BZ 466.3

    Luciferi ka mundur ta ruaj përkrahjen e Zotit, ka mundur të jetë i dashur dhe i respektuar nga ushtria qiellore dhe të gjitha aftësitë e veta fisnike ka mundur t'i përdorë për t'i bekuar të tjerët dhe për ta lavdëraur e adhuruar Krijuesin e vet. Mirëpo profeti thotë: “T'u rrit mendja për shkak të bukurisë, pasuria të bëri ta humbish urtinë.” Ezekieli 28,17. Luciferi ka lejuar që garadualisht të zhvillohet prirja e tij për ta madhëruar vetveten. Zoti e ka qortuar: “Pse zemrën tënde e barazove me të Zotit.” (Ezekieli 28,6) ‘Ti që të thoshte mendja e jote: në qiell do të ngrihem, lartë mbi yje të Perëndisë do të ngris fronin, do të rri në malin e tubimit në skaj të veriut. Do të ngjitem përsipër reshë, do të jem por si i larti Zot.” (Isaia 14,13.14) Në vend se të bënte përpjekje që mbi të gjithë ta madhëronte Zotin në mendimet dhe në zermat e krijesave hyjnore, Luciferi synonte që shërbimin dhe respektimin e tyre ta përfitonte për vete. Dhe, me që e dëshironte respektin të cilin Ati i lartëmadhrishëm ia kishte dhënë Birit të vet, ky princ i engjëjve e kishte gjakuar pushtetin në të cilin kishte të drejtë vetëm Krishti.BZ 466.4

    I tërë qielli u gëzua që e shkëlqeu lavdinë e Krijuesit dhe e madhëroi drejtësinë e tij. Dhe, deri sa Zoti në këtë mënyrë ishte i respektuar, gjithkund mbizotëronte paqja, qetësia dhe gëzimi. Mirëpo një zë joharmonik e çrregulloi harmoninë qiellore. Ngritja e vetvetes dhe shërbimi vetes gjë që është në kundërshtim me planin e Krijuesit, zgjoi parandjenjat e errëta të engjëjve që kishin detyrë më të lartë, ta madhëronin Zotin. Këshilli qiellor debatoi me Luciferin. Biri i Zotit e theksoi madhështinë, mirësinë dhe drejtësinë e Krijuesit edhe në botë, si dhe natyrën e pandryshueshmë të Ligjit të Tij. Vetë Zoti e ka përcaktuar rregullin në qiell kurse Luciferi duke e shkelur këtë rend e urrejti Krijuesin e kështu edhe vetveten e ka shtyrë në greminë. Mirëpo qortimi i bërë njëherë nga dashuria dhe mëshira e pamatshme ia zgjoi edhe më tepër frymën e kundërshtimit. Luciferi lejoi që në të mbizotërojë urrejtja ndaj Krishtit dhe bëhej gjithnjë e më këmbëngulës.BZ 468.1

    Krenar me lavdinë e vet, ai synonte të dominonte. Nderin e madh i cili i bëhej Luciferit, ai nuk e vlerësonte si edhe as dhuratën hyjnore dhe të gjitha këto nuk zgjonin në të lavdërimin për Zotin. Ai lavdërohej me madhërinë dhe pozitën e vet dhe synonte të barazohej me Zotin. Çetat qiellore e donin dhe e respektonin. Engjëjt gëzoheshin që kanë mundur t'i zbatojnë urdhërat e tij, kurse ai më tepër se të gjithë ishte i frymëzuar me mençuri dhe lavdi. Megjithatë, Biri i Zotit u pranua si sunduesi i qiellit, me fuqi dhe pushtet të barabartë me Atin. Krishti mori pjesë në të gjitha këshillimet me Atin, ndërsa Luciferit nuk i lejohej të depërtonte në të gjitha synimet e Zotit. Ky engjëll i fuqishëm pyeste: përse Krishti e ka pushtetin më të lartë? Përse atëherë ta respektojë dhe Luciferi?BZ 468.2

    Duke e braktisur vendin e tij në afërsi të atij të Zotit, Luciferi shkoi ndër engjëjt që ta mbillte farën e pakënaqësisë. Duke e kryer punën e vet fshehtas dhe duke fshehur qëllimet e veta të vërteta nën maskën e frikës dhe të respektit ndaj Zotit, ai përpiqej të shkaktonte pakënaqësi ndaj ligjeve sipas të cilave administrohen të gjitha qeniet qiellore. Ai pohonte se ata janë të kufizuar në mënyrë të panevojshme. Satani ka dëshmuar se engjëjt, pasi që për nga natyra janë të shenjtë duhet ta dëgjojnë zërin e vullnetit të tyre personal. Ai synonte që në ta ta nxiste solidaritetin me të duke pasqyruar çdo gjë ashtu që të mendohej se Zoti me të ka vepruar padrejtësisht, me faktin se Krishtit i ka dhënë vend më të lartë. Ai pohonte se duke kërkuar pushtet dhe nder më të madh nuk ecte rrugës së madhështimit të vetvetes por se gjoja donte t'ua siguronte lirinë të gjithë banorëve të qiellit, në mënyrë që me këtë të mund ta arrinin një shkallë më të lartë të jetës.BZ 469.1

    Zoti në mëshirën e tij të madhe shumë kohë e duroi Luciferin. Nuk e hoqi menjëherë nga pozita e tij e lartë kur filloi ta shkaktonte frymën e paknaqësisë e bile as atëherë kur filloi t'i përhapte kërkesat e tija rebeluese ndër engjëjt. Shumë kohë iu lejua që të qëndronte në qiell. Shpeshherë iu ofrua falja me kusht të pendimit dhe nënshtrimit. U bën përpjekje të atilla çfarë mund t'i paramendojë vetëm dashuria e pakufishme dhe urtia për ta kthyer nga lajthitjet e tij. Asnjëherë deri atëherë në qiell nuk është ditur për pakënaqësitë. Luciferi në fillim as vet nuk e dinte se ku do ta shpienin mendimet e tij; ai nuk e kuptonte natyrën e vërtetë të ndjenjave të veta. Mirëpo, kur u dëshmua se pakënaqësia e tij ishte e paarsyeshme u bind se nuk ka pasur të drejtë, se kërkesat hyjnore janë të drejta dhe se është dashur që si të tilla t'i pranojë para tërë qiellit. Sikur ta kishte bërë këtë, do ta kishte shpëtuar jo vetëm veten por edhe shumë engjëj. Në atë kohë nuk kishte treguar ende mosbesim ndaj Zotit. Edhe pse hoqi dorë nga pozita e vet e engjëllit mbrojtës, ai megjitatë ka mundur të vendosej në shërbim, sikur t'i ishte kthyer Zotit duke ia pranuar mençurinë dhe duke u kënaqur që ta zente vendin i cili iu kishte caktuar në bazë të planit të madh të Zotit. Mirëpo fodullëku e kishte penguar që të nënshtrohet. Ai i mbronte me kokëfortësi veprimet e veta duke pohuar se nuk i duhej pendimi dhe haptazi kishte hyrë në luftën e madhe kundër Krijuesit të vet.BZ 469.2

    Satani i kishte përdorur të gjitha forcat e frymës së fuqishme që me mashtrim t'i fitonte simpatitë e engjëjve të cilët kishin qenë nën urdhërat e tij. Bile edhe faktm se Krishti ia tërhoqi vërejtjen edhe e këshilloi, aq shumë e bastardoi sa që kjo mund të shërbente si një qëllim tradhëtie. Atyre me të cilët e lidhte besimi më i përzemërt u thoshte se është i gjykuar pa të drejtë se pozita e tij nuk po vlerësohej dhe se është duke u vepruar që t'i kufizohej liria. Pasi që nuk ishte i kënaqur vetëm me shtrembërimin e fjalëve të Krishtit, filloi ta kthejë mbrapsht të vërtetën dhe publikisht të përhapte gënjeshtra duke e akuzuar Birin e Zotit se gjoja dëshironte ta poshtronte para banorëve të qiellit. Përpiqej gjithashtu në mënyrë të rrejshme t'i akuzojë engjëjt që i mbetën lojal Zotit. Të gjithë ata që nuk mund t'i mashtronte dhe t'i kthente për vete i akuzonte se janë indiferentë ndaj interesave të qiellit. Pikërisht për ato vepra që i bënte vet, i akuzonte ata që ishin besnikë të Zotit. Për t'i mbështetur akuzat se Zoti ishte i padrejtë ndaj tij, në mënyrë të rrejshme i paraqiste fjalët dhe veprat e Krijuesit. Qëllimi i tij ishte që t'i hutojë engjëjt me shtrembërimin e shkathtë të qëllimeve të Zotit. Çdo gjë që ishte e thjeshtë ai e mbështillte në velin misteriozitetit, kurse me shtrembërimin e zhdërvjelltë të fakteve shkaktonte dyshime ndaj deklaratave më të shkëlqyeshme të Zotit. Pozita e tij e lartë, në lidhje aq të ngushtë me pushtetin hyjnor, paraqitjeve të tija u jepte forcë edhe më të madhe kështu që shumë engjëj u mashtruan dhe iu bashkangjitën në rebelimin kundër autoritetit qiellor.BZ 470.1

    Zoti me mençurinë e tij i ka lejuar satanit ta vazhdojë veprën e tij deri sa fryma e pakënaqësisë nuk është shndërruar në rebelim të hapur. Qëllimet e satanit është dashur plotësisht të zbulohen në mënyrë që të gjithë të mundnin ta kuptonin natyrën e tij të vërtetë dhe synimet e tija. Luciferi si kerubin i mirosur ka qenë shumë i lartësuar; qeniet qiellore e kanë dashur shumë dhe ai ka pasur ndikim të madh në to. Pushteti hyjnor i ka përfshirë jo vetëm banorët e qiellit por edhe të gjitha botërat të tjera të cilat Ai i ka krijuar. Satani ka menduar në qoftë se do ta arrinte t'i fuste engjëjt qiellor në rebelim se këtë do të mund ta bente edhe me banorët e botërave të tjera. Ai me shkathtësi të madhe ua shpjegonte qëndrimin e vet dhe e përdorte dinakrinë e gënjeshtrën për ta arritur qëllimin. Fuqia e tij mashtruese ishte shumë e fortë dhe duke u mbështjellur me velin e gënjeshtrave arrinte sukses të madh. As engjëjt lojalë nuk mund ta hetonin plotësisht karakterin e tij dhe ta zbulonin se ku po i shpiente vepra e tij.BZ 470.2

    Satani ishte aq i çmuar kurse të gjitha veprimet e tija ishin mbështjellur në misteriozitetin e atillë sa që engjëjt e kishin vështirë ta zbulonin natyrën e vërtetë të punës së tij. Deri sa plotësisht nuk u zhvillua mëkati, ai nuk mund të dukej aq i rrezikshëm sa ishte në të vërtetë. Deri atëherë, mëkati nuk ka pasur vend në gjithësinë e Zotit kurse qeniet e shenjta nuk dinin asgjë për natyrën dhe tmerrin e tij. Ato nuk do të kishin mundur t'i kuptojnë pasojat e tmerrshme të cilat do të ishin shkaktuar me mënjanimin e Ligjit hyjnor. Satani në fillim e fshehte veprën e tij duke e pranuar në dukje Zotin dhe gjoja duke i shprehur lojalitet. Ai pohonte se dëshironte ta ngriste nderin e Zotit, ta forconte qëndrueshmërinë e mbretërisë së tij dhe ta shtonte mirëqenien e të gjithë banorëve të qiellit. Duke shkaktuar pakënaqësi te engjëjt të cilët i nënshtroheshin, ai dinte me zhdërvjelltësi të maskohej sepse dëshironte ta mënjanote atë pakënaqësi. Kur kërkonte të bëheshin ndryshime në Ligjin dhe sistemin e Pushtetit hyjnor këtë e bënte me pretekst se këto ndryshime nevojiteshin për t'u ruajtur uniteti i qiellit.BZ 471.1

    Në veprimin e tij me mëkatin Zoti u shërbye vetëm me drejtësi dhe me të vërtetën. Satani e përdorte ate që Zoti nuk e përdorte—vardisjen dhe mashtrimin. Ai përpiqej ta shtrembëronte Fjalën e Zotit, kurse planin e pushtetit hyjnor ua paraqiste shtrembër engjëjve duke pohuar se Zoti nuk është i drejtë sepse banorëve të qiellit po i vendosë ligje dhe dispozita dhe se dëshiron ta madhërojë veten duke kërkuar prej tyre nënshtrim dhe dëgjueshmëri. Prandaj, para banorëve të qiellit, si edhe para të gjitha botërave u desht të dëshmohej se pushteti hyjnor është i dretjë ndërsa ligji i tij i përsosur. Satani përpiqej të tregonte se ai vetë dëshiron ta përparojë mirëqenen e gjithësisë. Pasi që duhej të gjithë ta kuptonin karakterin e vërtetë të këtij rebeli dhe qëllimin e tij të mirëfilltë, u desht që atij t'i jepej kohë që plotësisht të demakohej përmes veprave të tija blasfemiste.BZ 471.2

    Satani përçarjen që e shkaktoi me sjelljen e vet personale në qiell ia përshkruante ligjit të Zotit dhe pushtetit të tij. Ai e shpalli se e tërë e keqja është vetëm pasojë e pushtetit hyjnor. Pohonte se qëllimi i tij është që t'i perfeksiononte dekretet hyjnore. Për këtë arsye duhej t'i jepej rasti ta tregonte natyrën e kërkesave të veta dhe veprimin praktik të ndryshimeve që i propozonte në ligjin hyjnor. Vetë veprat e tij duhej ta gjykonin. Satani që nga fillimi pohonte se nuk ishte rebel. Prandaj duhej që e tërë gjithësia ta shihte se mashtruesi ishte demaskuar.BZ 471.3

    Bile edhe kur u vendosë që satani më nuk do të mund të qëndronte në qiell, mençuria e jashtëzakonshme e Zotit atë nuk e shkatërroi. Pasi që Zotit i pëlqen vetëm shërbimi nga dashuria, besnikëria e krijesave të tija duhet të mbështetet në dëshmimin e drejtësisë dhe mirësisë së tij. Banorët e qiellit dhe të botërave të tjera pasi që nuk ishin të përgatitur për t'i kuptuar natyrën dhe pasojat e mëkatit nuk do të kishin mundur ta kuptojnë as drejtësinë, as mëshirën e Zotit, në qoftë se satani do të ishte shkatërruar menjëherë. Në qoftë se do ta kishte shkatërruar menjëherë satanin, këto qenie, Zotit do t'i kishin shërbyer më tepër nga frika se sa nga dashuria. Ndikimi i mashtruesit nuk do të ishte shkatërruar plotësisht ndërsa as fryma e rebelimit nuk do të ishte çrrënjosur tërësisht. Prandaj është lejuar që e keqja të piqet. Për të mirën e tërë gjithësisë nëpër të gjitha kohërat ka qenë e nevojshme që satani t'i zhvillojë plotësisht parimet e veta në mënyrë që krijesat të mund t'i shihnin në dritën e vërtetë akuzat e tij kundër pushtetit hyjnor dhe që drejtësia e mëshira hyjnore si dhe pandryshueshmëria e Ligjit të Zotit kurrë më të mos viheshin në dyshim.BZ 472.1

    Rebelimi i satanit është dashur të jetë mësim për tërë gjithësinë nëpër të gjitha kohët e ardhshme dhe dëshmi e amshueshme për natyrën dhe pasojat e tmerrshme të mëkatit. Parimet e satanit dhe ndikimi i tyre në njerëz dhe engjëj është dashur të tregojnë se çfarë janë frytet e mënjanimit të autoritetit hyjnor dhe të dëshmojnë se me ekzistimin e pushtetit hyjnor dhe të ligjit të tij është e lidhur mirëqenia e të gjitha qenieve që i ka krijuar Zoti. Kështu është dashur që historia e këtij rebelimi të tmerrshëm të jetë mbrojtje e përhershme për të gjitha qeniet e shenjta, që t'i mbrojë nga kuptimi i gabueshëm, se çka domethënë shkelje e ligjit dhe t'i mbrojë nga mëkati dhe ndëshkimi i tij.BZ 472.2

    Deri në përfundimin e rebelimit në qiell, dhunuesi i madh vazhdimisht arsyetohej. Kur u shpallë se ai me të gjithë ithtarët e vet duhet të dëbohet nga banesat e mirëqenies, prijësi i tradhtisë e shprehu në mënyrë arrogante urrejtjen ndaj Ligjit të Krijuesit. Vazhidimisht e përsërsiste se engjëjve nuk i duhet asnjë mbikëqyije dhe se ata duhet të jenë të lirë për ta ushtruar vullnetin e tyre i cili do t'u printe gjithmonë në punë të drejta. I kritikonte ligjet hyjnore si një farë kufizimi të lirisë së tyre dhe deklaronte se qëllimi i tij ishte që ta suprimonte Ligjin në mënyrë që ushtria qiellore të çlirohej nga kjo zgjedhë dhe të mund ta krijonte një jetë më të lartësuar dhe më të lavdishme.BZ 472.3

    Shkurt, satani dhe çetat e tij tërë përgjegjësinë për rebelim e shkarkonin në Krishtin duke pohuar se kurrë nuk do të ishin rebeluar në qoftë se nuk do të qenë qortuar. Pasi që me këmbëngulje dhe me inat në pabesinë e tyre përpiqeshin më kot ta rrëzonin pushtetin hyjnor, duke u paraqitur në mënyrë blasfemiste si viktima të pafajshme të pushtetit të dhunshëm, rebeluesi dhe të gjithë ithtarët e tij më në fund u demaskuan dhe u dëbuan nga qielli.BZ 473.1

    Fryma e njëjtë e cila e filloi rebelimin në qiell edhe sot vazhdimisht e nxitë rebelimin në tokë. Satani ka vazhduar që ndër njerëz të shërbehet me mjete të njëjta si dhe te engjëjt. Fryma e tij tani mbizotëron ndër fëmijët që nuk nënshtrohen. Si ai ashtu edhe ata përpiqen t'i rrëzojnë digat e Ligjit të Zotit dhe u propozojnë njerëzve liri duke i shkelur ligjet e tij. Gjykimi i mëkatit edhe tani e shkakton frymën e urrejtjes dhe të rezistencës. Kur vërejtjet e Zotit ndikojnë në ndërgjegjen e njerëzve, satani i nxitë që të arsyetohen dhe që për jetën e tyre mëkatare ta kërkojnë lejen e të tjerëve. Në vend që t'i braktisin lajthitjet e tyre ata shkaktojnë indisponim ndaj atij që i denoncon sikur të ishte ai shkaku i vetëm i vështirësive të tyre. Që nga dita e Abelit të drejtë e deri te koha e jonë, kjo frymë është ngritur kundër të gjithë atyre që kanë marrë guxim për ta gjykuar mëkatin.BZ 473.2

    Ashtu siç është shërbyer në qiell satani me paraqitjen e rrejshme të karakterit hyjnor duke e pasqyruar Zotin si të ashpër dhe dhunues, poashtu edhe në tokë i ka nxitur njerëzit që të bëjnë mëkat. Kur nuk ia ka arritur në këtë drejtim, ai ka pohuar se kufizimet e padrejta të Zotit e kanë sjellë rënien e njeriut dhe ato kanë qenë arsye për rebelimin e tij.BZ 473.3

    Mirëpo i Amshueshmi personalisht e ka shpallur karakterin e tij. “Zoti Perëndia, Zoti i mëshirëshëm dhe i butë, i durueshëm dhe shumë i mëshirshëm e i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin, por nuk le pa ndëshkuar asgjë, që e ndëshkon paudhësinë e të tërëve në fëmijë, madje në nipa — në të tretën e në të katërtën brezni.” (Dalja 34,6.7)BZ 473.4

    Duke e dëbuar satanin prej qielli, Zoti e dëshmoi drejtësinë e vet dhe e verifikoi nderin e Fronit të vet. Mirëpo, kur njeriu mëkatnoi i nxitur nga mashtrimet e engjëllit të rënë, Zoti e shprehu dashurinë e tij në mënyrë që e dha të Birin e vetëm për të vdekur për gjininë njerëzore të mëkatnuar. Në pajtim u zbulua karakteri i Zotit. Kryqi është dëshmia e fuqishme për tërë gjithësinë se rruga e shkeljeve e Luciferit në asnjë mënyrë nuk mund t'i përshkruhet pushtetit të Zotit.BZ 473.5

    Në luftën ndërmjet Krishtit dhe satanit, gjatë kohës së punës së Shpëtimtarit në tokë është zbuluar karakteri i mashtruesit të madh. Asgjë nuk ka mundur ta ndajë plotësisht satanin nga dashuria e engjëjve qiellorë dhe e tërë gjithësisë besimtare, si lufta e tij e vrazhdët kundër botës së Shpëtimtarit. Blasfemia arrogante me të cilën satani mori guximin të kërkojë që Krishti t'i nënshtrohet; guximi i tij arrogant me të cilin e shpuri në malin e lartë dhe në majën e tempullit; qëllimi tinzar që u pa në nxitjen për të kërcyer nga lartësia jashtëzakonisht e madhe; e keqja e pa masë e cila e ndiqte nga vendi në vend dhe i motivonte zemrat e popullit dhe të klerikëve për ta refuzuar dashurinë e tij që më në fund të klithnin “Kryqëzoje! Kryqëzoje”—të gjitha këto e shkaktuan hutinë, tugën dhe tmerrin e gjithësisë.BZ 474.1

    Satani e ka nxitur botën ta refuzonte Krishtin. Princi i së keqes e ka përdorur fuqinë dhe dinakërinë e vet për ta shkatërruar Jezusin sepse e ka parë se dashuria dhe mëshira e Shpëtimtarit, pikëllimi dhe butësia e tij e zbulojnë karakterin e Zotit. Satani ka kontestuar çdo gjë që Biri i Zotit ka dëshmuar, ndërsa kundër tij si vegla i ka përdorur njerëzit në mënyrë që jetën e Shpëtimtarit ta mbushte me sfida dhe halle. Dinakëritë dhe gënjeshtrat me të cilat është përpjekur ta pengojë veprën e Jezusit, urrejtja të cilën e kanë shprehur bijtë e rebelimit, akuzat e tij të rënda kundër Atij jeta e të cilit ka qenë simbol shembullor i mirësisë—të gjitha këto kanë buruar nga gjakimi i thellë për hakmarrje. Flaka e ndezur e egoizmit, e së keqes, e urrejtjes dhe e hakmarrjes ka shpërthyer në Kalvarë kundër Birit të Zotit, ndërsa i tërë qielli me tmerr të heshtur e ka parë këtë skenë.BZ 474.2

    Pasi që e ka dhuruar flijimin e madh, Krishti është ngritur në qiell por nuk ka dashur ta pranojë adhurimin e engjëjve deri sa nuk e ka lutur Zotin: “Atë, dua që ata të cilët m'i dha të jenë aty ku jam unë.” (Gjoni 17,24) Atëherë nga Froni i Zotit, ka ardhur përgjegja me dashuri dne fuqi të pamasë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Zotit.” (Hebrenjëve 1,6) Kurrë, asnjë njollë nuk ka pasur në Jezusin. Pasi që i përballoi poshtrimet dhe flijimin, emri i tij u ngrit mbi çdo emër.BZ 474.3

    Tani faji i satanit nuk mund të arsyetohej. Ai iu dëshmua i atillë çfarë është: mashtrues dhe vrasës. U bë e qartë se fryma e njëjtë me të cilën sundonte mbi bijtë e njeriut që ishin futur nën pushtetin e tij, u zbulua edhe në qiell në qoftë se do t'ju kishte lejuar të sundonte me banorët e tij. Ai pohonte se shkelja e Ligjit të Zotit do të sillte liri dhe përparim, por në vend të kësaj solli robëri dhe poshtrim.BZ 474.4

    Akuzat e rrejshme të satanit kundër karakterit hyjnor dhe pushtetit të tij u dëshmuan në dritën e vërtetë. Ai e akuzonte Zotin që duke kërkuar nënshtrim dhe dëgjueshmëri nga krijesat e tij dëshironte të madhrohej dhe deklaronte se Krijuesi duke i detyruar të tjerët në vetmohim, vet nuk po shprehte vetëmohim e as që bënte ndonjë flijim. Tani u pa se për shpëtimin e njeriut të rënë dhe mëkatar, Sunduesi i gjithësisë e dha flijimin më të madh të cilin ka mundur ta japë vetëm dashuria, “sepse Zoti nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete” (2 Korintasve 5,19). Më tutje u pa se Luciferi duke synuar nderin, respektin dhe supremacionin ia hapi dyert mëkatit. kurse Krishti për ta shkatërruar mëkatin, u përkulë duke qenë i dëgjueshëm deri në vdekje.BZ 475.1

    Zoti e ka treguar qartë averzionin e vet ndaj parimit të rebelimit. I tërë qielli e pa në gjykimin e satanit dhe në shpëtimin e njeriut zbulesën e drejtësisë së Zotit. Luciferi kishte pohuar: në qoftë se Ligji i Zotit është i pandryshueshëm kurse ndëshkimi i tij i pashmangshëm, atëherë çdo shkelës duhet ta humbë përgjithmonë përkrahjen e Zotit. Ai pohonte se njerëzimi mëkatar nuk mund të jetë i shpëtuar dhe se njerëzimi është sakrificë ligjore e mëkatit. Mirëpo vdekja e Krishtit është dëshmi e pamohueshme në favor të njeriut. Ndëshkimi i ligjit ka rënë në Atë i cili është i barabartë me Zotin, kurse njeriu ka mundur ta pranojë drejtësinë e Krishtit dhe që me pendesë me jetë të devotshme të ngadhnjejë mbi satanin ashtu siç ka ngadhnjyer i Biri i Zotit. Kështu Krishti nuk erdhi në këtë botë për të pësuar dhe për të vdekur vetëm për ta shpëtuar njeriun. Ai erdhi që “ligjin ta bëj të madh dhe të lavdishëm.” Erdhi jo vetëm të ndikojë që banorët e kësaj bote ta respektojnë Ligjin ashtu siç duhet por edhe të gjithë botërave të tjera t'i tregojë se Ligji i Zotit është i pandryshueshëm. Nëse ligji do të kishte mundur të suprimohej, atëherë Biri i Zotit nuk do të ishte i detyruar ta flijojë jetën e vet për ta penguar shkeljen e ligjit. Vdekja e Krishtit është dëshmi e pandryshueshmërisë së ligjit; flijimin të cilin e dha dashuria e pa masë e Atit dhe e Birit në mënyrë që mëkatarët të mund të shpëtohen—të cilin vetëm ky plan i shpëtimit ka mundur ta bëjë—i dëshmon tërë gjithësisë se drejtësia dhe mëshira janë bazë e Ligjit hyjnor dhe Pushtetit të Zotit.BZ 475.2

    Në fund të gjyqit do të shihet se për mëkat nuk ka ekzistuar arsyeja. Kur gjykatësi i tërë botës ta pyes satanin: “Përse u ngrite kundër meje dhe m'i more banorët e mbretërisë sime? Ideatori i mëkatit nuk do të mund të ketë kurrfarë arysetimi dhe shfajsimi. Të gjitha gojat do të mbyllen—çetat rebeluese do të mbeten të heshtura.BZ 476.1

    Kryqi i Golgotës është dëshmi se Ligji është i pandryshueshëm. Ai ia shpallë gjithashtu botës se paga për mëkatin është vdekja. Në klithjen e fundit të Shpëtimtarit: “Mori fund!” satanit i ka jehuar këmbana mortore. Lufta e madhe e cila ka zgjatur aq shumë, atëherë është vendosur dhe më në fund është sigurar shkatërrimi i mëkatit. Biri i Zotit ka kaluar nëpër dyert e varrit “që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë që kishte në dorë pushtetin e vdekjes—domethënë djallin” (Hebrenjëve 2,14). Orvatja i Luciferit për t'u ngritur në lartësitë më të mëdha e ka detyruar të thotë: “Do ta ngris fronin mbi yjet e Zotit... do të qëndroi baraz me të Amshueshmin.” Ndërsa Zoti thotë: “Prandaj ... do të shndërroj në hi në tokë ... dhe do të zhdukesh përjetë.” (Isaia 14,13.14; Ezekieli 28,18.19) “Dhe ja po vjen dita e ndezur flakë por si furra. Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t'i djeg dita që po vjen thotë Zoti i ushtrive—e s'do t'u lë as rrënjë as gemb.” (Malakia 3,19)BZ 476.2

    E tërë gjithësia do të jetë dëshmitare për natyrën dhe pasojat e mëkatit. Shkatërrimi i tij i plotë i cili po të kishte ndodhur në fillim, do t'i kishte frikësuar engjëjt dhe Zoti do të ishte turpëruar, ndërsa kështu Ai e arsyeton dashurinë e vet dhe e ngrit nderin mbi të gjitha qeniet e gjithësisë të cilat e kanë gëzimin më të madh kur e zbatojnë urdhërin dhe vullnetin e tij dhe në zemrat e të cilave është vulosur ligji i tij. E keqja më kurrë nuk do të paraqitet. Fjala e Zotit thotë: “Nuk do të ngritet dy herë i rëni.” (Nehemia 1,9) Ligji i Zotit të cilin satani e ka urrejtur si zgjedhë të skllavërisë do të respektohet si ligj i lirisë. Krijesat e sprovuara dhe me përvojë nuk do të bjerren kurrë më dhe nuk do të rrëshqasin nga lojaliteti nënshtrimi Atij, karakteri i të cilit është zbuluar para tyre si dashuri e pa masë dhe mençuri e paskajshme.BZ 476.3

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents