Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    40. POPULLI I ZOTIT I ÇLIRUAR

    Kur mbrojtja e ligjeve njerëzore t'u ndalohet atyre që rrespektojnë urdhërat e Zotit, në të njëjtën kohë në vendet e ndryshme do të paraqitet lëvizja për shkatërrimin e tyre. Kur koha e shënuar në urdhër të jetë afruar, njerëzit do të betohen për ta shfarosur sektën e urryer. Do të vendosin që brenda natës ta bëjnë sulmin vendimtar i cili përgjithmonë do ta heshtë zërin e mospajtimeve dhe të zënkave.BZ 601.1

    Populli i Zotit—disa nëpër qelizat e burgjeve, kurse të tjerët të fshehur në vendstrehimet e vetmuara nëpër pyje e male—edhe më tutje do të luten me përshpërtri për mbrotjen e Zotit, ndërsa në të gjitha anët njerëzit e armatosur, të nxitur nga çetat e engjëjve të këqijë do të përgatiten për veprën vdekjeprurëse. Pikërisht tani, në çastin e rrezikut më të madh do të përzihet Zoti i Izraelit për t'i shpëtuar të zgjedhurit e vet. Zoti ka thënë: “Ju do të këndoni por si natën e kremtimit të festës, me gëzim të zemrës, porsi ai që me zë të fyellit shtegton në ndjesë në malin e Zotit, në Shkëmbin e Izraelit. Do të bëjë Zoti t'i dëgjohet zëri i madhërishëm, do të dëftojë si rropos krahu i tij me furinë e vet, me flakë të zjarrit përvëlues, me thellim, me stuhi e me kokrra breshëri.” (Isaia 30,29.30)BZ 601.2

    Me brohoritjet e fitores, me përqeshje dhe mallkime do të nisen çetat e të këqijëve për t'u vërsulur në prenë e tyre; por ja në tokë bie errrësira e dendur, më e errët se nata. Atëherë përgjatë tërë qiellit paraqitet ylberi duke shkëlqyer me lavdi nga Froni i Zotit dhe duket se e rrethon çdo grup të atyre që luten. Grumbujt e tubuar nga zemërimi përnjëherë do të ndalen. Klithmat e tyre përqeshëse do të heshten. Ata do t'i harrojnë viktimat e tyre. Me parandjenjën e tmerrshme tani do ta shikojnë simbolin e Besëlidhjes së Zotit dhe do të dëshirojnë që sa më shpejt të largohen nga shkëlqimi i tij i fuqishëm.BZ 601.3

    Populli i Zotit do ta dëgjojë një zë të qartë kumbues i cili thotë: “Shikoni!” Duke i ngritur sytë nga qielli ata do ta shohin ylberin e premtimeve. Retë e zeza kërcënuese të cilat e patën mbuluar sfondin qiellor shpërndahen dhe si dikur Stefani ato shikojnë drejt në qiell dhe e shohin lavdinë e Zotit dhe Birin e Njeriut duke qëndruar në fronin e tij. Në pamjen e tij hyjnore vërehen gjurmët e përkuljes së tij kurse nga goja e tij dëgjohet lutja të cilën ia dërgon Atit të tij para engjëjve të shenjt: “Dua që ata të cilët m'i ke dhënë të jenë aty ku jam unë.” (Gjoni 17,24) Dhe përsëri dëgjohet zëri kumbues ngadhnjimtar i cili thotë: “Ja ku janë! Po vijnë! Të shenjtë, të virgjër dhe të pastër. Ata e kanë mbajtur fjalën e durimit tim; ata do të jetojnë ndër engjëj” kurse buzët e zbehta e të dridhura të atyre që iu kanë përmbajtur fuqishëm besimit të Zotit do ta shprehin klithjen ngadhnjimtare.BZ 602.1

    Pikërisht në mesnatë kur Zoti do ta zbulojë fuqinë e vet për ta çliruar popullin e tij, dielli do të lind në shkëlqimin e vet të plotë. Shenjat e mrekullive radhiten shpejt njëra pas tjetrës. Mëkatarët i shikojnë me frikë e tmerr këto skena, ndërsa të drejtit me gëzim solemn i vështrojnë shenjat e çlirimit të tyre. Në natyrë duket se çdo gjë është jashtë radhës së vet. Lumejt pushojnë të rrjedhin. Retë e errëta të rënda ngriten dhe përplasen. Në mes të qiellit të zemëruar shihet një vend i lavdisë së papërshkrueshme, prej nga dëgjohet zëri i Zotit si jehona e shumë ujërave duke thënë: “Mori fund!” (Zb 16,17)BZ 602.2

    Ky zë i tronditë qiejt dhe tokën. Ndodhë një tërmet i tmerrshëm çfarë, “i tillë nuk qe qysh se njeriu u duk përmbi tokë—kaq i madh qe ai tërmet” (Zbulesa 16,17.18). Do të duket se qielli u hap dhe u mbyll. Lavdia e Fronit hyjnor duket se shkëlqeu si vetëtimë. Malet tronditen si kallami në ajër, kurse shkrepat e shkëputur bijnë në çdo anë. Dëgjohet një uturimë e stuhisë që vjen. Deti valvitet si i çmendur. Dëgjohen ulurimat e stuhisë dhe zërat e demonëve kur nisen për të shkatërruar. E tërë toka ngrihet dhe fryhet si valët e detit. Sipërfaqja e saj pëlcet. Duket se themelet e saj po plasariten. Vargmalet batisin. Ujëdhesat e banuara zhduken. Limanet e detit të cilat sipas të keqes janë bërë si Sodoma zhduken në valët e tërbuara. Babilonit të madh, Zotit iu kujtua “për t'ia dhënë ta pijë gotën e verës së hidhërimit plot mllef hyjnor” (Zbulesa 16,19.20). Breshëri i madh “me kokrra sa koka” e përfundon këtë shkatërrim. Qytetet më krenare në vend shndërrohen në grumbuj rrënojash. Pallatet luksoze në të cilët prijësit botëror i kanë shpenzuar pasuritë e tyre për ta arritur lavdinë shkatërrohen para syve të tyre. Muret e burgjeve shkatërrohen dhe populli i Zotit i cili ka qenë për shkak të besimit të vet i burgosur është i lirë.BZ 602.3

    Varrezat hapen dhe “shumë prej atyre që janë në gjumë në pluhurin e tokës ngriten, disa për jetën e pasosur kurse të tjerët për turp dhe për ndëshkim të pasosur” (Danieli 12,2).BZ 603.1

    Të gjitha ata që kanë vdekur në besimin e lajmit të tretë engjëllor dalin plot lavdi nga varrezat e tyre për ta dëgjuar Besëlidhjen e paqes hyjnore së bashku me ata që e kanë mbajtur ligjin e tij. Kurse ata “që mëkatnuan” (Zbulesa 1,7), si dhe ata që i përqeshën mundimet e vdekjes së Krishtit dhe e shpotitën si dhe kundërshtarët më të hidhur të së vërtetës së tij dhe të popullit të tij ngriten që ta shohin në lavdinë e tij dhe t'i shohim nderimet që jepen besimtarëve dhe të devotshmëve.BZ 603.2

    Retë e dendura ende e mbulojnë qiellin por aty këtu dëpërton dielli si syri hakmarrës i Jehovës. Vetëtimat e tërbuara e çajnë qiellin duke e mbuluar tokën me mbështjellësin e flakës. Mbi uturimën e tmerrshme të bubullimave, zërat misteriozë dhe të tmerrshëm e shpallin fatin e mëkatarëve. Të gjithë nuk do t'i kuptojnë fjalët që thuhen, por mësuesi i rrejshëm do t'i kuptojë mirë. Ata që deri pak kohë më parë kanë qenë aq të shkujdesur, të krekosur dhe plot inat të cilët janë cilësuar me gjakpirësinë e vet ndaj popullit që i ka mbajtur urdhërat e Zotit tani tmerrohen, të rrënuar duke u dridhur nga frika. Ulurima e tyre dëgjohet mbi hukamat e elementave. Demonët e pranojnë hyjninë e Krishtit dhe dridhen para forces së tij, ndërsa njerëzit luten për mëshirë dhe nga frika rrëshqasin nëpër pluhur.BZ 603.3

    Profetët në periudhën antike kanë brohoritur kur në vizionet e shenjta e kanë vështruar ditën e Zotit: “Lëshoni gjëmë mjerimi, sepse afër është dita e Zotit, si shkretërim po vjen i gjithfuqishmi.” (Isaia 13, 6) “Futu në shpellë, fshehu në pluhur para fytyrës së tmerrshme të Zotit e para shkëlqimit të madhërisë së tij. Sytë krenarë të njeriut do të përvujtërohen, do të krruset madhështia e njerëzve, atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti. Por ajo do të jetë dita e Zotit të ushtrive, për të përulur çdo krenar madhështor kundër çdo madhështie për ta përulur.” “Atë ditë njeriu do t'ua flakë idhujt e vet të argjendët e idhujt e artë që i punoi për vete për t'ia dhuruar, minjëve e lakuriqëve e do të hyjë në bira të vrimave e në shpella të shkëmbinjve para fytyrës së tmerrshme të Zotit dhe para shkëlqimin të madhështisë së tij kur të çohet ta dridhë tokën.” (Isaia 2,10-12; 20.21)BZ 603.4

    Nëpërmes të plasaritjes së reve shkëlqen ylli katërfish më fuqishëm për shkak të errësirës që e rrethon. Ai besimtarëve ua premton shpresën dhe gëzimin kurse shkelësve të Ligjit të Zotit ashpërsinë dhe zemërimin. Ata që janë flijuar për Krishtin tani janë të sigurt të mbuluar nga hija e Zotit. Ata janë sprovuar edhe para Zotit edhe para kundërshtarëve të së vërtetës duke e dëshmuar besnikërinë ndaj Atij që vdiq për ta. Transformimi i mrekullueshëm ndodhi me ata që deri në vdekje e ruajtën pastërtinë e tyre. Ata papritur çlirohen nga zemërimi i errët dhe i tmerrshëm i njerëzve të shndërruar në demonë. Fytyrat e tyre pak kohë më parë të zvetnuara, të shqetësuara dhe të shterruara tani janë skuqur nga mrekullia, besimi dhe dashuria. Zërat e tyre ngriten përmes këngës së gëzueshme ngadhnjimtare: “Zoti është për ne strehim dhe fuqi, ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi. Prandaj as s'do të tutemi edhe nëse lëkundet toka dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti. Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tija, le të dridhen malet në furinë e tij!” (Psalmi 46,1-3)BZ 604.1

    Në kohën kur këto fjalë të besimit të shenjt i drejtohen Zotit, retë tërhiqen dhe pasqyrohet qielli me yje në bukurinë e paparë, përkundër sfondit të errët dhe të hidhur në të dy anët Lavdia e qytetit qiellor shkëlqen nëpër dyert e hapura. Atëherë në qiell paraqitet dora e cila i mban dy rrasa të bashkuara. Profeti thotë: “Qiejt e shpallin drejtësinë e tij sepse Zoti është gjykatës.” (Psalmi 50,6) Ky ligj i shenjtë, drejtësia e Zotit e cila në mes të bubullimës dhe flakës shpallet nga Sinaji për t'u bërë prijës jetësor tani u zbulohet njerëzve si kriter i gjyqit. Dora i hap rrasat dhe shihen dhjetë udhërat si të ishin shkruar me penën e flakët. Fjalët janë aq të qarta sa që të gjithë mund t'i lexojnë. Kujtesa zgjohet, errësira e mosbesimit dhe e heretizmit hiqet nga çdo zemër, kurse dhjetë fjalët e shkurtëra të kuptueshme dhe të rëndësishme të Zotit qëndrojnë para syve të të gjithë banorëve të tokës.BZ 604.2

    Është e pamundshme të përshkruhen frika dhe dëshprimi i atyre që i kanë shkelur normat e shenjta të Zotit. Zoti ua ka dhënë Ligjin e vet; ata kanë mundur me të ta krahasojnë karakterin e vet dhe t'i njohin mëkatet deri sa ende kanë pasur rast për t'u penduar dhe përmirësuar. Mirëpo, ata për ta fituar përkrahjen e botës i kanë mënjanuar dispozitat e Tij dhe i kanë mësuar të tjerët që t'i shkelin. Ata janë përpjekur ta detyrojnë popullin e Zotit që ta përdhosë të shtunën e Tij. Tani ata janë të gjykuar me atë ligj të cilin e kanë urrejtur. Me siguri të plotë të tmerruar e shohin se nuk mund të shfajsohen kurrsesi. Vetë e kanë zgjedhur se kujt do t'i shërbejnë dhe kujt do t'i falen. “Atëherë do ta shihni ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe atij që s'e njeh Zotin, ndërmjet atij që i shërben dhe atij që nuk i shërben.” (Malakia 3,18)BZ 604.3

    Armiqët e Ligjit të Zotit që nga udhëheqësit fetarë e deri te më i vogli ndër ta, tani e kanë një kuptim tjetër për të vërtetën dhe detyrën. Tepër vonë e shohin se e shtuna e urdhërit të katërt është vulë e Zotit të vërtetë. Shumë vonë bëhen të vetëdijshëm për natyrën e vërtetë të ditës së vet të rrejshme të pushimit dhe për truallin rrëshqitës në të cilin kanë qëndruar. Tani e kanë të qartë se kanë luftuar kundër Zotit. Mësuesit fetarë i kanë shpënë shpirtërat në shkatërrim duke pohuar se po i shpiejnë në dyert e parajsës. Jo më parë, por vetëm në ditën e gjyqit definitiv do të mund ta kuptojnë se sa është e madhe përgjegjësia e njerëzve në shërbimin e shenjtë dhe sa janë të tmerrshme pasojat e mosbesimit të tyre. Vetëm në amshim do të mund ta vlerësojmë drejtë humbjen qoftë edhe të një shpirti të vetëm. I tmerrshëm do të jetë fati i atij të cilit Zoti do t'i thojë: Largohu prej meje shërbëtor i keq!BZ 605.1

    Zëri i Zotit dëgjohet nga qielli duke e shpallur ditën dhe orën e ardhjes së Krishtit duke e shpallur Besëlidhjen jetike me popullin e vet. Si goditjet e vetëtimës më të fuqishme, fjalët e tij do të jehojnë mbi tokë. Izraeli i Zotit qëndron dhe dëgjon me sytë e drejtuar lartë. Fytyrat e këtyre njerëzve të ndriçuara me lavdinë e tij do të shkëlqejnë si fytyra e Moisut kur ka zbritur nga Sinai. Mëkatarët nuk do të mund t'i shikojnë. Dhe kur të shqiptohet bekimi mbi ata që e kanë respektuar Zotin duke e shenjtruar të shtunën e tij do të dëgjohet brohoritja e fuqishme e fitores.BZ 605.2

    Së shpejti në lindje do të paraqitet një re e vogël e zezë, me madhësi sa gjysma e shuplakës së njeriut. Kjo është re e cila e rrethon Shpëtimtarin dhe i cili prej së largu duket sikur është i mbështjellur në errësirë. Populli i Zotit e di se kjo është shenja e Birit të Njeriut. Në qetësinë solemne ata pa u frikësuar do ta shikojnë se si Ai i afrohet tokës duke u bërë më i qartë dhe më i bukur deri sa të mos bëhet si re e madhe e bukur, baza e së cilës i përngjan zjarrit që gëlltit mbi të cilin vezullon ylberi i Besëlidhjes. Jezusi do të shkojë përpara si ngadhnjimtar i fuqishëm. Ai tani nuk vjen si njeri i vuajtjeve për ta pirë kupën e hidhur të turpit dhe të mundimeve por si ngadhnjimtar i qiellit dhe i tokës për t'i gjykuar të gjallët dhe të vdekurit. “Besniku, i vërteti, që gjykon me drejtësi.” “E përcjellin armatat qiellore.” (Zbulesa 19,1114) Me hymnet e melodive qiellore engjëjt e shenjtë me numër jashtëzakonisht të madh do ta përcjellin në rrugën e tij. Sfondi qiellor do të duket përplot qenie që ndriçojnë “nga dhjetë mijë, dhe me mijëra e mijëra.” Asnjë penë njerëzore nuk mund ta përshkruaj këtë skenë; asnjë mendje e njeriut vdekatar nuk është i aftë për ta kuptuar lavdinë e tij. “Lavdia e tij i mbuloi qiejt kurse toka u mbush me lavdinë e tij. Shkëlqeu me dritën si të diellit.” (Habakuku 3,3.4) Kur reja e gjallë të afrohet, çdo sy do ta shohë princin e jetës. Kurora me ferrë më nuk e shëmton kokën e tij madhështore: në ballin e tij të shenjt flenë diademi i lavdisë. Fytyra e tij ndriçon më fuqishëm se dielli i shkëlqyeshëm i mesditës. “Mbi mantel dhe në ijë e ka të shkruar emrin: mbreti i mbretërve dhe zotëruesi i zotëruesve.” (Zbulesa 19,16)BZ 605.3

    Para paraqitjes së tij “të gjitha fytyrat janë zbehur.” Ata që e kanë refuzuar mëshirën hyjnore i kaplon frika e dëshprimit jetik. “Zemra u thehet, gjunjët u përplasën njeri mbi tjetrin ... Ndërsa fytyrat u nxihen.” (Jeremia 30,6; Nahumi 2,10) Të drejtit klithin duke u dridhur: “Kush mund të qëndrojë?” Kënga e engjëjve pushon dhe vjen koha e qetësisë solemne. Atëherë dëgjohet zëri i Jezusit i cili thotë: “Të mjafton bekimi im.” Fytyrat e të drejtëve skuqen dhe gëzimi ua kaplon zemrat kurse engjëjt duke iu afruar sa më tepër tokës përsëri fillojnë të këndojnë gjithnjë e më me zë.BZ 606.1

    Mbreti i mbretërve lëshohet në re i rrethuar nga flaka e zjarrit. Qiejt mbështillen si qirinjë, toka dridhet para tij kurse malet dhe ujëdhesat lëvizin nga vendet e veta. Zoti ynë do të vijë e nuk do të heshtë; para i shkon zjarri që përpinë, përreth tmershëm tërbohet stuhia. E thërret qiellin prej së larti dhe tokën për të gjykuar popullin e vet.” (Psalmi 50,3.4)BZ 606.2

    “Mbretërit e tokës, njerëzit e mëdhenjë, prijësit e ushtrive, të pasurit dhe të fuqishmit—dhe çdo njeri: skllav dhe i lirë—të gjithë u fshehën në shpellat dhe në vrimat e maleve e u thoshin maleve dhe shkrepave: bini mbi ne e na mbuloni nga fytyra e Atij që rrin mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse arriti dita e madhe e zemërimit të tyre! Kush mund t'u qëndrojë për ballë?” (Zbulesa 6,15-17)BZ 606.3

    Përqeshja shpotitëse pushon. Heshten buzët e atyre që kanë gënjyer. Heshtet vringëllima e armëve dhe kushtrimi për luftë “në petk të Iyer me gjak” (Isaia 9,5). Tani asgjë nuk dëgjohet përveç zërit të lutjes dhe gjëma e vajit dhe e dënesjes, nga gojat e atyre që pak më parë janë përqeshur dhe dëgjohet klithma: “Sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij dhe kush mund të përballojë?” Mëkatarët më tepër dëshirojnë mbi ta të bijnë kreshtat e maleve se sa ta shikojnë fytyrën Atij që e kanë urrejtur dhe refuzuar.BZ 607.1

    Ata e njohin atë zë që depërton deri te veshët e të vdekurve. Sa herë zëri i tij i butë dhe i ëmbël i ka thirrur për t'u penduar! Sa herë e ka dëgjuar në lutjet prekse të miqëve, të vëllait, Shpëtimtarit! Ata që e kanë refuzuar mëshirën e tij tani nuk do të dëgjojnë më asnjë zë të atillë të rëndë dhe përplotë gjykim si të atij që aq gjatë i ka përbetuar: “Kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija! Pse të vdisni?” (Ezekieli 33,11) Oh, sikur të ishte ky për ta një zë i huaj! Jezusi thotë: “E pra ju thirra e ju nuk deshët, jua shtriva dorën e askush nuk m'i lëshoi sytë, i përbuzët të gjitha këshillat e mia, e s'vrat vesh për qortimet e mia.” (Fjalët e Urta 1,24.25) Ky zë i zgjon ndjenjat të cilat ata do të donin t'i shlyenin—vërejtjet e urryera, thirrjet e refuzuara dhe përparësitë e paçmuara.BZ 607.2

    Aty janë ata që e kanë përqeshur Krishtin në poshtrimin e tij. Me një fuqi të paparë u bien ndërmend fjalët e martirit kur në betimin e kryepeshkopit kishte deklaruar solemnisht: “Mbas tashit do ta shihni Birin e Njeriut duke ndejur në të djathtë të Gjithëfuqishmit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.” (Mateu 26,64) Tani ata e shohin në lavdinë e tij dhe do ta shohin se si rrinë në anën e djathtë të Zotit.BZ 607.3

    Ata që janë përqeshur me fjalët e tij se është Biri i Zotit tani janë të nemitur. Aty është Herodi fodull i cili bënte shaka me emrin e tij të mbretit kur u urdhëroi ushtarëve që e përqeshnin ta kurorzonin si mbret. Aty janë njerëzit e njëjtë të cilët me duart e të pafeve ia veshën rrobat e kuqe, mandej në ballin e tij të shenjtë ia vunë kurorën me ferra kurse në duar skeptrin përqeshës dhe ata që para tij faleshin duke thënë fjalë blasfemie. Njerëzit që e kishin goditur dhe e kishin pështyrë Mbretin e jetës, tani fshihen nga shikimi i tij depërtues dhe dëshirojnë të ikin nga prania e tij e madhe e lavdishme. Ata të cilët ia gozhduan duart dhe këmbët me kunja dhe ushtari i cili ia shpoi brinjët i shikojnë këto shenja me frikë dhe me brejtje të ndërgjegjës.BZ 607.4

    Me qartësi të tmershme përkujtohen klerikët dhe farisejët për ngjarjen e Golgotës. Me rrënqethje dhe tmerr kujtohen se si me gëzim satanik i sillnin kokat duke ia hedhur: “Të tjerët i shpëtoi, vetveten s'po mundet ta shpëtojë. Në qoftë se është mbret i Izraelit le të zbres tani nga kryqi dhe do t'i besojmë. Ka shpresuar në Zotin: Le ta lirojë tani nëse e do përnjëmend.” (Mateu 27,42.43)BZ 608.1

    Atyre u kujtohen qartë shembëlltyrat e Shpëtimtarit për vreshtarët që kishin refuzuar t'ia dorëzonin Zotëriut të vet frutat e vreshtës, të cilët i kishin torturuar shërbëtorët e tij kurse të birin ia kishin vrarë. U kujtohen gjithshtu edhe fjalët që i ka thënë vet: i zoti i vreshtës “të këqijtë me të keqen e vdekjes do t'i ndëshkojë” (Mateu 21,41). Në mëkatin dhe dënimin e atyre njerëzve jobesimtarë klerikët dhe farisejët e shohin veprimin e tyre dhe gjykimin e tyre personal të drejtë. Dhe tani dëgjohet klithma e frikës së vdekjes më me zë se brohoritja: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!” i cili kumbonte rrugëve të Izraelit ndërsa tani jehon gjëma e tmerrshme dhe dëshpruese: “Ai është Biri i Zotit! Ai është Mesia i vërtetë!” Ata shikojnë të ikin nga prania e mbretit të mbretërve. Më kot përpiqen të fshihen në shpellat e thella të tokës që janë krijuar për shkak të elementeve të çregulluara në natyrë.BZ 608.2

    Në jetën e të gjithë atyre që e hedhin të vërtetën ka momente kur zgjohet ndërgjegja, kur ndjenjat i shprehin kujtimet e mundimshme të jetës përplot hipokrizi kurse shpirtin e mundon më kot pendesa. Mirëpo ç‘është e tërë kjo ndaj brejtjes së ndërgjegjes të asaj dite kur “erdhi përse keni frikë”, kur “tmerri si stuhi sulet mbi ju” (Fjalët e Urta 1,27). Ata që kanë vendosur ta vrasin Krishtin dhe populli i tij besnik tani e shohin lavdinë e tij. Në mes të tmerrit ata i dëgjojnë zërat e shenjtëve në hymnet e gëzimit: “Ja ky është Zoti ynë, atë e pritëm, ai na shpëtoi.” (Isaia 25,9)BZ 608.3

    Në mes të luhatjes së tokës, shkreptimës së vetëtimave dhe uturimës së bubullimave zëri i Birit të Zotit i thërret të shenjtit që janë në gjumë. Ai e hedh shikimin në varrezat e të drejtëve dhe atëherë duke i ngritur duart e veta nga qielli brohorit: “Zgjohuni, zgjohuni, zgjohuni ju që fleni në pluhur dhe ngrituni!” Nëpër tërë botën të vdekurit do ta dëgjojnë atë zë dhe ata që e dëgjojnë do të ngjallen. E tërë tok? do të kumbojë nga hapat e shumësisë kolosale nga çdo popull, brez, gjuhë dhe komb. Ata vijnë nga burgu i vdekjes, të veshur me lavdinë e pavdekshme duke klithur: “O vdekje ku është ngadhnjimi yt? O ferr ku është ngadhnjimi yt?” (1 Korintasve 15,55) Ndërsa, të drejtët e gjallë dhe të shenjtët e ngjallur i bashkojnë zërat në një brohoritje të gëzueshme të ngadhnjimit.BZ 608.4

    Të gjithë dalin nga varrezat të njëjtë për nga shtati siç kanë qenë kur janë varrosur. Adami i cili qëndron në mesin e shumësisë së njerëzve të ngjallur është sidomos i gjatë dhe me pamje madhështore por për nga shtati pak më i ulët se Biri i Zotit. Shtati i tij shprehë një kundërshti të dukshme ndaj njerëzve të brezave të mëvonshëm; aty shihet se sa është degjeneruar gjinia njerëzore. Mirëpo të gjithë ngriten të freskët dhe me vitalitetin e rinisë jetike. Në fillim njeriu ka qenë i krijuar në mostrën e Zotit jo vetëm për nga karakteri por edhe për nga forma dhe pamja. Mëkati ia ka bastarduar pamjen hyjnore dhe gati ia ka shlyer. Mirëpo Krishti ka ardhur që përsëri ta vendosë ate që ky e ka humbur. Ai do ta transformojë trupin tonë të përkulur dhe do ta bëjë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm. Trupi vdekatar, i shkatërrrueshëm, i privuar nga bukuria, ndonjëherë i mallkuar nga mëkati bëhet i përsosur, i bukur dhe i pavdekshëm. Të gjitha të metat mbeten në varr. Pasi që do të kenë qasje në pemën e jetës të humbur për një kohë aq të gjatë në Eden, të shpëtuarit do të rriten deri në lartësinë e plotë të gjinisë njerëzore në lavdinë e tyre autoktone. Gjurmët e fundit të mbetura të mallkimit të mëkatit do të mënjanohen, kurse besnikët e Krishtit do të paraqiten në lavdinë e Zotit tonë, për nga fryma, shpirti dhe trupi duke shkëlqyer me pamjen e Zotit të vet. Oh, çfarë shpëtimi i mrekullueshëm për të cilin aq shumë është folur, i cili aq shumë është pritur, aq shumë është dëshiruar, por kurrë nuk është kuptuar plotësisht.BZ 610.1

    Të drejtit e gjallë “përnjëherë, sa çel e mshel sytë” janë transformuar. Ndaj zërit të Zotit ata u lavdëruan; tani u bënë të pavdekshëm dhe me të shenjtit e ngjallur merren për t'u takuar me Zotin në qiell. Engjëjt i tubojnë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës—prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit” (Marku 13,27). Fëmijët e vegjël, engjëjt e shenjtë ua dorëzojnë në preher nënëve të tyre. Miqët të cilët vdekja i ka ndarë shumë kohë përsëri bashkohen që të mos ndahen më kurrë dhe me këngë gëzimi ngriten së bashku në qytetin e Zotit.BZ 610.2

    Nga të gjitha anët, në qerret prej reve gjenden krahë, kurse nën to janë rrotat dhe posa të nisen qerret, rrotat bërtasin: “I shenjtë”, ndërsa krahët duke lëvizur: “I shenjtë”, kurse përcjellja e engjëve bërtet: “I shenjtë, I shenjtë, I shenjtë është Zoti Perëndi i gjithpushtetshëm!” Dhe deri sa qerrja lëvizë drejt Jerusalemit të Ri të shpëtuarit brohorisin: “Aleluja!”BZ 611.1

    Para hyrjes në qytetin e shenjtë, Shpëtimtari u jep pasuesve të vet dekorata ngadhnjimtare dhe i veshë me shenjat e dinjitetit të tyre mbretëror. Radhët e shkëlqyeshme janë vendosur në formë të katërkëndëshit të hapur rreth mbretit të tyre, shtati madhështor i të cilit është më i lartë se shtati i engjëjve të shenjt, kurse nga fytyra i rrezaton dashuria e pamatur. Çdo shikim i kësaj shumësie njerëzish është i drejtuar nga Ai; secili që e sheh lavdinë e Atij që u shpërblye në fytyrën e tij, që s'ishte më si e njeriut e as pamja si e bijëve të adamit.” (Isaia 52,14) Në kokat e fituesëve Jezusi e venë me dorën e djathtë kurorën e lavdisë. Për secilin ka nga një kurorë e cila e mban “emrin e tij të ri” pesonal (Zbulesa 12,17) dhe mbishktrimin: “I shenjtë Zoti!” Çdo dore i dorëzohet palma e fituesit dhe harfa e shkëlqyeshme. Më tutje me shenjën e engjëllit që ia jep tonin, çdo dorë fillon t'u bjerë me shkathtësi telave të harfës duke nxjerrë prej tyre muzikën e këndshme dhe akordet e pasura melodike. Çdo zemër dridhet nga kënaqësia e paparë dhe çdo zë ngritet përmes këngës së falënderimit: “Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjak të vet, që na bëri Mbretëri priftërinjsh për Zotin Atin e vet—Atij i qoftë lavdi dhe pastë pushtet me shekuj të shekujve—Amen!” (Zb 1,5.6)BZ 611.2

    Para të shpëtuarëve qëndron qyteti i shenjtë. Jezusi i hap anë e mbanë dyert prej margaritarëve kurse populli që e ka mbajtur të vërtetën hyn në të. Atje, ata e shohin parajsën e Zotit, atdheun e Adamit deri sa ende nuk kishte mëkatnuar. Atëherë dëgjohet zëri më i mrekullueshëm se çdo melodi të cilin ndonjëherë ka mundur ta dëgjoj veshi i vdekatarit: “Lufta e juaj mori fund!” “Ejani të bekuarit e Atit tim, pranojeni mbretërinë e cila u është përgatitur që nga krijimi i botës.BZ 611.3

    Tani plotësohet lutja e Shpëtimtarit për nxënësit e vet: “Dua që edhe ata që m'i dhe të jenë me mua, ku jam unë.” Krishti ia paraqet Atit të shpërblyerit me gjakun e vet “të pamëkatë dhe pa të meta ... Para lavdisë së tyre me gëzim”, dhe u thotë: “Ja ku jam dhe fëmijët që m'i dhe.” “Ata që m'i dhe i ruajta!” Oh, çfarë dashurie shpëtimtare! Oh, çfarë gëzimi mbretëron kur Ati i amshueshëm duke i shikuar të shpërblyerit përsëri ta shoh mostrën e vet kur ta shoh se është mënjanuar joharmonia të cilën e pat shkaktuar mëkati, kur ta shoh se është shlyer mallkimi dhe njeriu përsëri është sjellur në harmoni të plotë me Zotin!BZ 611.4

    Me dashuri të pamatshme Jezusi i përshëndet besimtarët e vet në “gëzimin e Zotit të tyre”; gëzimi i Shpëtimtarit qëndron në faktin se në mbretërinë e lavdisë i sheh njerëzit që janë shpëtuar me pësimin dhe poshtërimin e tij në këtë botë. Ndërsa, të shpërblyerit marrin pjesë në gëzimin e tij kur ndër të shpëtuarit i shohin ata që me lutjet punën, dhe me dashurinë flijuese të tyre e kanë fituar lumturinë në Krishtin. Të tubuar rreth Fronit të madh të bardhë, zemrat e tyre mbushen me gëzim të pamatshëm kur t'i shikojnë ata që kanë përfituar në Kishtin dhe kur t'i shohin se këta i kanë përfituar edhe të tjerët ndërsa të tjerët edhe të tjerët, kështu që të gjithë kanë arritur në limanin e paqjes që aty t'i vëjnë kurorat e tyre para këmbëve të Jezusit dhe ta lavdërojnë e madhërojnë për kohë të pasosur të amshimit.BZ 612.1

    Kur të shpëtuarit të përshëndeten me mirëseardhje në qytetin e Zotit, nëpër ajër do të shpërthejë brohoritja e gëzimit dhe enthuziazmi i lavdërimit të Zotit. Tani takohen Adami i parë dhe Adami i dytë. Biri i Zotit qëndron me duar të hapura për ta pritur atin e gjinisë sonë—qenien të cilën Ai e ka krijuar, e cila ka mëkatnuar dhe ka gabuar ndaj Krijuesit dhe për shkak të mëkatit të të cilit Shpëtimtari e mban vulën e kryqëzimit. Kur Adami t'i shikojë gjurmët e kunjave të temrrshëm ai nuk bie në gjoksin e Zotit të tij, por me përkulje bie para këmbëve të Jezusit duke klithur: “I denjë, i denjë është Qengji që u therr!” Shpëtimtari butë e ngrit dhe e thërret që përsëri ta hedh shikimin në Eden nga i cili aq kohë ka qenë i dëbuar.BZ 612.2

    Pas dëbimit së tij nga Edeni jeta e Adamit në tokë ka qenë e mbushur me pikëllim. Çdo gjeth i venitur, çdo flijim i bërë, çdo papërsoshmëri në natyrë e cila dikur ka qenë aq e bukur, çdo njollë në karakterin e njeriut ia përkujton vazhdimisht mëkatin e tij. E tmerrshme ka qenë dhimbja e pendesës kur e ka parë se si bjerrja po shumëzohet dhe kur ndaj vërejtjeve që i ka dhënë e ka marrë përgjegjen se ai është fajtor, sepse e ka shkaktuar mëkatin. Me përkulje të qëndrueshme e ka përballuar gati njëmijë vjet dënimin e gabimit të vet. Ai është penduar sinqerisht për mëkatin që ka bërë dhe i ka mbështetur shpresat në meritat e Shpëtimtarit të premtuar dhe kështu ka vdekur me shpresë për t'u ringjallur. Biri i Zotit e ka blerë dështimin dhe rënien e njeriut dhe tani Adami nëpër veprën e pastrimit përsëri e merr pushtetin e tij të parë.BZ 612.3

    I gëzuar pa masë, ai e vështron pemën e cila dikur i ka shkaktuar kënaqësi—pemën e njëjtë nga e cila i ka mbledhur frutat në ditët e pafajsisë dhe të lumturisë së vet. I sheh harrdhitë të cilat i ka kultivuar me duart e veta, lulet e njëjta të cilat i ka rritur me dashuri. Shpirti i tij e kupton tërë realitetin e skenës. Ai e kupton se vërtetë është përtëritur Edeni, por tani shumë më i bukur se kur qe dëbuar prej tij. Shpëtimtari e shpie afër pemës së jetës ia zgjedh një frut të mrekullueshëm dhe ia ofron ta hajë. Ai shikon rreth vetes dhe sheh atë shumësi njerëzish nga familja e tij e shpëtuar në parajsën e Zotit. Atëherë e lëshon kurorën e tij të shkëlqyeshme para këmbëve të Jezusit dhe duke iu hedhur në kraharor e përqafon. Ai e merr në duar harfën e artë ndërsa në sfondin qiellor jehon kënga ngadhnjimtare: “I denjë, i denjë, i denjë është Qengji që u therr dhe përsëri është në jetë!” Familja e Adamit e pranon melodinë dhe duke i lëshuar kurorat para këmbëve të Shpëtimtarit të gjithë falen para tij duke i dhënë lavdi.BZ 613.1

    Këtë bashkim të sërishëm e vështorjnë engjëjt të cilët kanë qarë kur Adami ka rënë dhe janë gëzuar kur Jezusi pas ngjalljes nga të vdekurit është ngritur në qiell duke fluturuar, duke e hapur rrugëdaljen nga varreza për të gjithë ata që besojnë në të. Tani ata e shohin veprën e shpëtimit të përfunduar dhe i bashkojnë zërat në këngën e falënderimit.BZ 613.2

    Në detin e kristaltë para Fronit—në atë deti të kristalt i cili shkëlqen me lavdinë e Zotit që duket i përzier si me zjarr—qëndrojnë të tubuar të gjithë ata “që e mundën egërsirën dhe truporen e saj, vulën dhe numrin e emrit të saj.” Njëqindë e dyzet e katër mijë njerëz të tubuar qëndrojnë në Malin e Sionit me Qengjin “duke i mbajtur harfat e Zotit”, ndërsa zëri i shumë ujërave si zë i bubullimës së madhe dëgjohet “zëri i ekzekutuesve në harfë duke i prekur telat e harfave të tyre.” “Këndojnë një këngë të re” para fronit, këngë të cilën askush nuk mund ta mësojë përveç atyre njëqind e dyzet e katër mijëve. Kjo është kënga e Moisiut dhe e Qengjit, kënga e çlirimit. Askush përveç njëqind e dyzet e katër mijëve nuk mund ta mësojë atë këngë sepse kjo është kënga e përvojave të tyre, e përvojës së atillë çfarë asnjë grup tjetër njerëzish nuk e ka pasur kurrë “ata shkojnë pas Qengjit kudo që shkon ai.” Të marrur nga toka ndër të gjallët ata llogariten si “të parët e Zotit dhe të Qengjit” (Zbulesa 15, 2.3; 14,1-5). “Këta janë ata që erdhën nga fatkeqësia e madhe”; ata e përjetuan kohën e mynxyrave çfarë kurrë nuk ka pasur në tokë prej se ekzistojnë njerëzit. E përjetuan tmerrin e mynxyrave të Jakobit. Gjatë kohës së shkarkimi të fundit të gjyqeve të Zotit, këta kanë qenë pa Ndërmjetësues. Mirëpo ata u çliruan sepse “i pastruan rrobat e veta dhe i zbardhën në gjakun e Qengjit.”Në gojën e tyre nuk u gjet rrenë: janë pa të meta para Zotit.” (Zbulesa 14,5) “Prandaj dhe qëndrojnë para Fronit të Zotit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do ti shtierë në tendën e vet. Ata e kanë parë tokën të shkretëruar nga uria, nga mortaja dhe njerëzit e pjekur nga zhegu i fuqishëm i diellit, kurse edhe vetë i kanë përjetuar vuajtjet, urinë dhe etjen. Por, “më kurrë s'do të kenë uri, më kur s'do të kenë etje, më s'do t'i djegë dielli as rrezet e tija. Sepse Qengji është në midis të fronit do t'i kullosë dhe do t'i çojë në burimet e ujërave të jetës, edhe Zoti do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre” (Zbulesa 7,14-17).BZ 613.3

    Në të gjitha kohët të zgjedhurit e Shpëtimtarit kanë qenë të edukuar dhe të mësuar në shkollën e vuajtjeve. Ata në tokë kanë ecur shtigjeve të ngushta. Janë pastruar në furrën e mynxyrave. Për hirë të Jezusit i kanë përballuar sulmet, urrejtjen dhe akuzat. Kanë shkuar pas tij nëpër beteja të ashpra; e kanë përballuar vetmohimin dhe kanë përjetuar dëshpërime të hidhura. Nga përvoja e tyre vetiake e vuajtjeve e njohën të keqen e mëkatit, fuqinë e saj dhe pasojat fatale dhe me urrejtje e shikuan atë. Vetëdija për flijimin e paparë që u bë, për shërimin e tyre i bëri të vegjël në sytë e armiqëve por ua plotësoi zemrat me falëndërim dhe lavdi të cilat ata që kurrë nuk kanë gabuar nuk mund t'i kuptojnë. Ata duan shumë sepse shumë çka u është falur. Pasi që kanë marrë pjesë në mundimet e Krishtit tani mund të marrin pjesë edhe në lavdinë e tij.BZ 614.1

    Trashigimtarët e Zotit erdhën nga burgjet, nga turrët e zjarrit, nga kasollat, nga shpellat nënujore, nga vendpersekutimet, nga malet, nga shkretëtirat dhe nga thellësitë e deteve. Në tokë ecnin “në varfëri, në vuajtje, në turp.” Miliona njerëz zbritën në varr të njollosur me turp për arsye se kundërshtuan me vendosshmëri që të lëshonin pe ndaj kërkesave mashtruese të satanit. Gjyqet njerëzore i rradhitën ndër kriminelët më të egër. Mirëpo tani “gjyqtarë është Zoti” (Psalmi 50,6). Tani aktgjykimet e tokës janë rrëzuar. “Do ta zhduk turpin e popullit të vet.” (Isaia 25,8) “Do t'i quajnë populli i shenjt, të shpërblyerit e Zotit.” (Isaia 62,12) Ai ka vendosur që “t'u jap stoli në vend të pluhurit, lëngun e gëzimit në vend të pikëllimit, rrobat e lavdisë në vend të shpirtit të pikëlluar” (Isaia 61,3). Ata më nuk janë të mjerë, të munduar, të shpërndarë dhe të shtypur. Prej tani gjithnjë do të jenë me Zotin. Tani qëndrojnë para Fronit të veshur me rrobat të shtrenjta çfarë kurrë nuk kanë bartur as njerëzit më autoritativ në tokë. Janë të stolisur me kurora të mrekullueshme, çfarë kurrë nuk janë vënë në ballin e pushtetarëve tokësor. Ditët e dhimebjes dhe të vajit kanë kaluar përgjithmonë. Mbreti i lavdisë ua ka fshirë lotët të gjithëve nga fytyra; është mënjanuar çdo shkak i dhimbjes. Nën degët e drithëruese të palmave tani jehojnë qartë këngët, me melodi të ëmbla dhe harominke të falëndërimit. Të gjithë zërat e pranojnë melodinë dhe së shpejti nën sfondin qiellor do të shpërthejë hymni: “Shpëtimi i përket Zotit tonë që rrinë në fron dhe Qengjit!” Kurse të gjithë banorët qiellor i përgjigjen në kor “Amin! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Zotit tonë në shekuj të shekujve Amen!” (Zbulesa 7,10.12) Në këtë jetë vetëm tani fillojmë ta kuptojmë veprën e mrekullueshme të shpëtimit. Me arsyen tonë të kufizuar mund ta shikojmë në mënyrë më të kujdesshme turpin dhe lavdinë, jetën dhe vdekjen, drejtësinë dhe mëshirën të cilat janë ndeshur në kryq, por megjithatë as me përpjekjet me të mëdha të forcave tona nuk kemi mundur ta kuptojmë domethënien e tyre të plotë. Gjatësinë dhe gjërësinë, lartësin dhe thellësinë e dashurisë shpëtimtare njeriu deri diku mund ta kuptojë. Planin e shpëtimit nuk do ta kuptojnë plotësisht të shpërblyerit, as atëherë kur të shikojnë siç janë shikuar dhe kur të njohin siç janë të njohur; nëpër kohë të amshueshme, në frymën e tyre të mrekullueshme dhe të entuziazmuar vazhdimisht do të zbulohen të vërteta të reja. Edhe pse i ka ardhur fundi brengave, vuajtjeve dhe sprovave tokësore, edhe pse të gjitha shkaqet për ta janë zhdukur, populli i Zotit do ta ketë kuptimin e qartë dhe të vërtetë për çmimin e lartë që është paguar për shpëtimin e tyre.BZ 614.2

    Kryqi i Krishtit do të jetë objekti kryesor i studimit dhe i këngës së të shpëtuarve gjatë tërë amshimit. Në Krishtin e lavdëruar do ta shohin Krishtin e kryqëzuar. Kurrë nuk do ta harrojnë se Ai, fuqia e të cilit i ka krijuar dhe i mban botërat e panumërta është në gjithësi; Biri i dashur i Zotit, Madhështia e qiellit, Ai të cilit i faleshin kerubinët dhe serafimët e shejtë—e ka përulur veten për ta ngritur njeriun e bjerrur; e ka marrë mbi vete fajin dhe turpin e mëkatit dhe e ka përballuar kur fytyra e Atit është fshehur prej tij, ndërsa dhimbja për një botë të humbur nuk ia ka thyer zemrën në kryqin e Kalvarit. Njohuria, se Ai që i ka krijuar të gjitha botërat dhe i cili është gjykatës i të gjithë njerëzve e ka braktisur lavdinë dhe është përulur nga dashuria ndaj njeriut, gjithnjë do ta zgjojë habinë dhe do ta mrekullojë gjithësinë. Kur të shpëtuarit ta shohin Shpëtimtarin e tyre dhe kur në fytyrën e tij ta shohin lavdinë jetike të Atit; kur ta shikojnë Fronin e tij i cili është themeluar prej kohës së amshueshme dhe kur të mendojnë se mbretëria e tij është e pasosur, të entuziazmuar do ta këndojnë këngën: “I denjë, i denjë është Qengji që u therr dhe na pajtoi me Zotin, me gjakun e tij të shtrenjtë.”BZ 615.1

    Misteri i kryqit i shpjegon të gjitha sekretet e tjera. Në dritën që ndriçon nga Kalvari (Golgota), vetitë e Zotit të cilat na kanë plotësuar me frikë dhe respekt do të duken aq të bukura dhe tërheqëse. Mëshira, butësia dhe dashuria atërore bashkohen në shenjtëri, drejtësi dhe vërtetësi. Duke e vështruar madhështinë e Fronit të tij të lartë dhe madhështor e shohim karakterin e tij në dashurinë e tij subtile dhe e kuptojmë si kurrë më parë rëndësinë e personifikimit të dashur: “Ati ynë!”BZ 616.1

    Do të shihet se Ai i cili është i pamatshëm për nga mençuria, nuk ka mundur ta bëjë asnjë plan për shpëtimin tonë përveç që ta flijojë të Birin e vet. Shpërblimi për këtë flijim është gëzimi se këtë vend do ta trashëgojnë qenie e shpërblyera, të shenjta, të lumtura dhe të pavdekshme. Pasoja e betejës së Shpëtimtarit tonë me fuqitë e errësirës është gëzimi i të shpërblyerëve i cili jehon në lavdinë gjatë tërë amshimit. Vlera e vetëm një shpirti njerëzor është aq e madhe sa që Ati e ka marrë pëlqimin për çmimin e paguar. kurse edhe vet Krishti është kënaqur duke i shikuar frytet e flijimit të tij të madh.BZ 616.2

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents