Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
PATRIARKË DHE PROFETË - Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    26—“NGA DETI I KUQ PËR NË MALIN SINAI”

    *****

    Nga Deti i Kuq turma qindramijëshe izraelite rinisi udhëtimin për më tutje, nën drejtimin e kolonës së resë. Pamja që kishin përpara ishte mjaft e frikshme—male të zhveshur, krejtësisht të shkretuar, lugina shterpe, dhe deti që shtrihej deri larg, me brigjet që nxirrnin trupat e pajetë të armiqve të tyre; megjithatë ndjeheshin të lumtur e të gëzuar sepse më në fund u ndjenë të lirë. Çdo pakënaqësi që mund të kishin ishte e papërfillshme në ato çaste. 16Baza për këtë kapitull është lib ri i Eksodit, kapitujt 1 5 :2 2 -2 7 ; si dhe 16 deri 18.PPAlb 203.1

    Por ndërsa marshonin përpara, për tri ditë me rradhë nuk po gjenin ujë për të pirë. Rezervat që kishin marrë me vete u harxhuan të tëra. Nuk kishin asgjë me të cilën të shuanin etjen e tmerrshme ndërsa tërhiqnin me mundim këmbët mbi luginat e shkretuara nga nxehtësia e diellit. Moisiu, që e njihte mjaft mirë këtë rajon, dinte diçka që të tjerët nuk e dinin, që në Marah, vendi më i afërt që kishte burime ujore, uji nuk ishte i përshtatshëm për t’u pirë. Ai po e vështronte renë që printe rrugën me një ankth të papërshkrueshëm. Zemra gati sa nuk i pushoi kur dëgjoi britmat plot gëzim të disave, dhe më vonë jehonën në të gjithë turmën, “Ujë! Ujë!” Burra, gra dhe fëmijë nxituan me gëzim drejt burimit kur papritur, në rradhët e para të turmës e më pas kudo u dëgjua një britmë agonie—uji ishte i hidhur.PPAlb 203.2

    Të tmerruar dhe të dëshpëruar në kulm, ata filluan t’i ankohen Moisiut se i kishte drejtuar në këtë mënyrë, duke mos u kujtuar se prania hyjnore në atë ré të mistershme po drejtonte si ata ashtu edhe vetë Moisiun. I mërzitur shumë nga murmuritjet e tyre, Moisiu bëri pikërisht atë që ata kishin harruar së bëri; i bëri thirrje me përgjërim Perëndisë për ndihmë. “Zoti i tregoi një dru; [Moisiu] e hodhi atë në ujë, dhe ujërat u bënë të ëmbla.” - Eksodi 15:25. Pikërisht në këtë vend Izraelit iu bë një premtim nëpërmjet Moisiut: “Në qoftë se ti dëgjon me vëmëndje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e Tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, Unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron.” - Eksodi 15:26.PPAlb 203.3

    Nga Marah turma e madhe udhëtoi për në Elim, ku gjetën “dymbëdhjetë burime uji dhe shtatëdhjetë palma.” - Vargu 27. Ata qëndruan në këtë vend për disa ditë para se të merrnin rrugën për në shkretëtirën e Sinit. Kur u mbush plot një muaj që prej largimit të tyre nga Egjipti, ata vendosën çadrat për herë të parë në shkretëtirë. Kësaj rradhe rezervave ushqimore që kishin marrë me vete po u vinte fundi. Veshtirë të gjeje ndonjë gjë për të ngrënë në shkretëtirë; për më keq, bagëtitë po pakësoheshin dita-ditës. Si vallë do të furnizoheshin me ushqim gjithë këto turma të mëdha në shkretëtirë? Zemrat e tyre u mbushën sërish me dyshime, dhe filluan sërish të murmuritin. Madje edhe kryetarët dhe kryepleqtë e popullit u bashkuan me turmën duke iu ankuar drejtuesve të caktuar nga Zoti, Moisiut dhe Aaronit: “Ah, më mirë të kishim vdekur nga dora e Zotit në vendin e Egjiptit, ku uleshim pranë tenxhereve me mish dhe hanim bukë sa ngopeshim! Sepse ju na çuat në këtë shkretëtirë që e gjithë kjo asamble të vdesë nga uria.” - Eksodi 16:3.PPAlb 203.4

    Ata nuk e kishin provuar ende vuajtjen që vinte nga uria; për momentin ata kishin boll për të ngrënë, por kishin frikë për ditët në vazhdim. Nuk mund ta merrnin dot me mend se si këto turma të mëdha njerëzish do të kishin mundësi ta përballonin këtë udhëtim të gjatë nëpër shkretëtirë. Kështu, ata përfytyronin fëmijët e tyre duke vdekur nga uria. Zoti lejoi vështirësitë që t’i rrethonin si dhe ushqimin që t’u pakësohej, me qëllim që zemrat e tyre të ktheheshin drejt Tij, Atij që deri në ato çaste kishte qenë Shpëtimtari i tyre. Në qoftë se në rast nevoje ata do te thërritnin emrin e Tij, Ai, me dashuri dhe përkujdesje do t’u siguronte atyre sërish gjithçka që kishin nevojë. Ai u kishte premtuar që në qoftë se ata do t’u bindeshin urdhërimeve të Tij, asnjë sëmundje nuk do të binte mbi ta. Kështu, ishte shenjë mosbesimi dhe një faj i rëndë nga ana e tyre që të parashikonin parakohe se ata apo fëmijët e tyre mund të vdisnin nga uria në të ardhmen.PPAlb 204.1

    Perëndia u kishte premtuar se do të ishte Perëndia i tyre, se do t’i merrte pranë Vetes si popull, dhe t’i çonte drejt një vendi të madh e pjellor; por ata ishin të gatshëm të hiqnin dorë përballë çdo pengese që u doli përpara gjatë rrugës për në atë vend. Ai i kishte çliruar ata nga robëria në një mënyrë të mrekullueshme me qëllim që t’ua rriste statusin dhe t’i fisnikëronte si popull e t’i bënte objekt lavdërimi në mbarë botën. Por ishte e domosdoshme për ta që t’u bënin ballë vështirësive, si dhe të duronin mungesat në ujë e ushqime. Në fakt, Perëndia po i sillte ata nga një gjendje degradimi prej sklevërish për t’i përgatitur që të zinin një vënd të nderuar përmes kombeve të tokës. Jo vetëm kaq, por Perëndia dëshironte që ata, si një komb i zgjedhur, të merrnin përsipër detyra të rëndësishme e të shenjta. Po të kishin treguar besim tek Ai, duke patur parasysh gjithçka që kishte bërë për ta, ata do të kishin duruar me çiltërsi dhe pa asnjë lloj ankese çdo situatë të vështirë, privim, apo madje edhe çdo vuajtje të vërtetë; por ata nuk u treguan aspak të gatshëm që të kishin besim të mëtejshëm tek Perëndia, edhe pse ishin dëshmitarë të përditshëm të fuqisë së Tij. Ata e harruan shtypjen që kishin përjetuar në Egjipt. Ata e harruan mirësinë dhe forcën e Perëndisë që u u shfaq për hir të tyre, që të shpëtonin njëherë e mirë nga skllavëria. Ata e harruan se si fëmijët e tyre ishin kursyer kur engjëlli shkatërrimtarvrau të gjithë të parëlindurit në Egjipt. Ata e harruan ekspozimin madhështor të fuqisë hyjnore në Detin e Kuq. Ata e harruan se ndërsa ata kalonin të qetë në rrugën që ishte hapur për ta në mes të detit, ushtritë e armiqve të tyre, të cilët u përpoqën t’u vihen pas, u mbuluan dhe u fundosën nga ujërat. Ata e kishin mendjen dhe përqëndroheshin vetëm tek punërat dhe hallet e përrditshme; dhe në vend që të thonin, “Perëndia ka bërë gjëra madhështore për ne; më përpara ne ishin skllevër, kurse tani Ai po na bën një komb madhështor,” ata ankoheshin për vështirësitë e rrugës, dhe vritnin mendjen se kur do të merrte fund peligrinazhi i tyre i lodhshëm.PPAlb 204.2

    Historia e viteve që Izraeli kaloi në shkretëtirë u rregjistrua në kronikë që t’i shërbejë si mësim Izraelit të Perëndisë deri në fund të kohërave. Mbajtja shënim e ecejakeve ndërmjet Perëndisë dhe udhëtarëve të shkretëtirës kur ata marshonin përpara apo mbrapa, kur ata përballeshin me etjen, urinë dhe lodhjen, si dhe dhe kur Ai tregonte haptazi fuqinë e Tij të jashtëzakonshme për t’i qetësuar, përmban në vetvete paralajmërime dhe udhëzime për popullin e Perëndisë përgjatë të gjitha kohërave. Në të vërtetë, përvoja e larmishme e hebrenjve gjatë Eksodit shërbeu si një shkollë parapërgatitore për tokën e premtuar në Kanaan. Në ditët tona, Perëndia dëshiron që populli i Tij të mësojë me zemër të përunjur dhe me një frymë reflektuese nga vështirësitë e ndryshme që përjetoi Izraeli i lashtë.Kështu, ata do të jenë shumë më të përgatitur në rrugën e tyre drejt tokës së tyre të premtuar, Kanaanit qiellor.PPAlb 205.1

    Shumë njerëz në kohërat tona u hedhin një vështrim izraelitëve, dhe çuditen se pse ata nuk besonin dhe murmuritnin. Këta njerëz thonë me vete se po ta gjenin veten në një situatë të ngjashme, ata nuk kishin për të qenë kurrë kaq mosmirënjohës; por kur besimi i tyre vihet në provë, madje edhe në gjëra të vogla, ata nuk tregojnë me shumë besim apo durueshmëri se ç’tregoi Izraeli i lashtë. Kur zihen ngushtë dhe gjenden në një pozitë të vështirë, ata murmuritin kundër proçesit me anë të së cilit Perëndia ka vendosur t’i pastrojë ata. Ndonëse nevojat e tyre të tanishme janë të gjitha të plotësuara, shumë syresh nuk tregohen aspak të gatshëm që të tregojnë besim tek Perëndia për të ardhmen etyre, dhe përjetojnë ankth e frikë se ka për t’i pllakosur varfëria, apo se fëmijët e tyre kanë për të vuajtur. Madje disa parashikojnë vetëm gjëra të këqija, ose i zmadhojnë vështirësitë që hasin saqë i verbojnë sytë dhe nuk i shohin dot ato bekime hyjnore që kërkojnë mirenjohje nga ana e tyre. Në vend që pengesat dhe vështirësitë që ata hasin në jetë t’i shtyjnë që të kërkojnë ndihmë nga Perëndia, i vetmi Burim i forcës, ato i ndajnë këta njerëz prej Perëndisë, sepse ato inkurajojnë ankth dhe nervozizëm.PPAlb 205.2

    A bëjmë mirë kur tregohemi kaq besimpakë? Përse vallë duhet të jemi kaq mosmirënjohës dhe mosbesues? Jezusi është shoku ynë; Perëndia dhe engjëjt e tij në qiell janë të tërë të interesuar për mirëqënien tonë; ndërsa ankthi dhe frika jonë e hidhërojnë Frymën e Shenjtë të Perëndisë. Nuk duhet ta lëshojmë veten dhe nuk duhet të gjejmë aspak rehat tek një gjendje neglizhence e cila vetëm sa na bren dhe mundon, dhe nuk na ndihmon aspak që t’u përballemi provave të jetës. Nuk duhet t’i japim asnjë hapësirë frymës së mosbesimit ndaj Perëndisë që na bën të mendojmë vetëm e vetëm se si të shmangim mungesat apo privimet në të ardhmen, a thua vallë se lumturia e jetës sonë përbëhet nga këto gjëra materiale. Vullneti i Perëndisë nuk është aspak që populli i Tij të rëndohet nga mundet e vështirësitë. Por nga ana tjetër, Zoti ynë nuk na thotë aspak se nuk do të ketë rreziqe në rrugën që kemi nisur. Ai nuk sugjeron aspak që të nxjerrë popullin e Tij jashtë botës së mëkatit dhe ligësisë, por ama na tregon rrugën drejt strehës së sigurt që Ai përgatit vazhdimisht për ne. Ai i fton ata që janë të lodhur e të stërmunduar, “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap prehje.” Hiqeni atë barrë ankthi dhe shqetësimi material që keni vënë mbi qafë, dhe “merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për veten tuaj.” - Mateu 11:28, 29. Ne mund të gjejmë prehje dhe paqe në Perëndinë vetëm duke i hedhur të gjitha shqetësimet që kemi mbi Të; sepse Ai përkujdeset për ne. (Shih - 1 Pjetrit 5:7).PPAlb 205.3

    Apostulli Pal thotë, “Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë mosbesimi, duke u larguar kështu nga Perëndia që jeton.” - Hebrenjve 3:12. Duke marrë parasysh të gjitha gjërat që Perëndia ka bërë për ne, besimi ynë duhet të jetë normalisht i fortë, aktiv, dhe afatgjatë. Në vend të ankesave dhe murmuritjeve, fjalët që dalin nga zemra jonë duhet të jenë, “Beko Zotin, o shpirti im, dhe gjithçka që është brenda meje le të bekojë emrin e Tij të shenjtë. Beko Zotin, o shpirti im, dhe mos harro asnjë nga të gjitha të mirat që Ai ka bërë.” - Psalmi 103:1, 2.PPAlb 206.1

    Perëndia nuk u tregua aspak indiferent ndaj nevojave të Izraelit. Kështu, Ai iu drejtua Moisiut, prijësit të tyre, “Unë do të bëj që të bjerë bukë nga qielli për ju.” - Eksodi 16:4. Pas këtij premtimi, u dhanë edhe udhëzimet përkatëse për mbledhjen e ushqimit—populli do të mblidhte çdo ditë sasinë e nevojshme, por ditën e gjashtë të javës (të premten) duhet të mblidhte dyfishin e kësaj sasie, në mënyrë që ruhej dhe respektohej mbajtja e shenjtë e ditës së sabatit (nga perëndimi i diellit të premten deri në perëndimin e diellit të shtunën). 2 - Eksodi 16:22-30.PPAlb 206.2

    Moisiu e siguroi asamblenë e Izraelit se nevojat e tyre do të plotësoheshin: “Zoti do t’ju japë mish për të ngrënë në mbrëmje dhe bukë që të ngopeni në mëngjes.” - Eksodi 16:8a. Gjithashtu Moisiu shtoi, “Po ne çfarë jemi? Murmuritjet tuaja nuk janë kundër nesh, por kundër Zotit.” - Vargu 18b. Pastaj i kërkoi Aaronit që t’u thoshte atyre: “Afrohuni para Zotit, sepse ai ka dëgjuar murmuritjet tuaja.” - Vargu 9. Ndërsa Aaroni po fliste, “ata shikuan në drejtim të shkretëtirës; dhe ja lavdia e Zotit u shfaq në ré.” - Vargu 10. Prania hyjnore përpara tyre paraqitej me një shkëlqim e vezullim që ata nuk e kishin përjetuar kurrë. Nëpërmjet këtyre manifestimeve përpara syve dhe veshëve të tyre, synimi ishte që ata të merrnin një njohuri se kush ishte Perëndia. Ata duhet të mësonin ndër të tjera se Më i Larti Perëndi, dhe jo vetëm njeriu i quajtur Moisi, ishte Prijësi i tyre, që kështu t’i druheshin emrit të Tij dhe t’i bindeshin zërit të Tij.PPAlb 206.3

    Me t’u ngrysur kampi u mbulua nga tufa të mëdha shkurtash, të bollshme për të ushqyer të gjithë turmën. Në mëngjes ra mbi sipërfaqen e tokës “një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë.” “...ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë.” - Vargjet 14, 31a. Populli e quajti “mana.”3 Mosiu tha, “Kjo është buka që Zoti ju ka dhënë për të ngrënë.” - Vargu 15. Njerëzit e mblodhën manan dhe vunë re se kishte me bollëk për të gjithë. “Populli shkonte rreth e rrotull për ta mbledhur; pastaj e bënte miell me mokrat ose e shtypte në havan, e zinte në një tenxhere ose përgatiste kuleç, të cilët kishin shijen e kuleçëve me vaj.” - Numrat 11:8. “Dhe kishte shijen e revanisë apo vaferit që bëhet me mjaltë.” - Eksodi 16:3l b. Atyre iu dha urdhër që të mblidhnin çdo ditë një omer (një e dhjeta e një efahu, njësi matëse e Izraelit të lashtë, shih - Vargu 36 ) për frymë; dhe nuk duhet ta linin (pra, ta ruanin një sasi) deri të nesërmen në mëngjes. Disa u përpoqën që ta bënin këtë gjë, por buka bëhej e papërdorueshme. Porcioni i çdo dite duhej të mblidhej çdo mëngjes; sepse gjithçka që ngelej në tokë shkrihej nga nxehtësia e diellit.PPAlb 206.4

    Në mbledhjen e manas u mor vesh se disa merrnin më pak ndërsa disa të tjerë më shumë se sasia apo racioni që u ishte caktuar; por kur “e matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangut. Gjithkush mblodhi simbas nevojës së tij për ushqim.” - Vargjet 17, 18. Një shpjegim i këtyre vargjeve nga Shkrimi i Shenjtë, si dhe një mësim praktik që rrjedh prej tyre na jepet nga apostulli Pal në letrën e tij të dytë për bashkësinë e krishterë të Korintit. Ai thotë, “Por [nuk e kam fjalën] që të shtrëngoheni ju dhe të lehtësohen të tjerët, por të ndiqet vetëm një kriter barazimi; që tani bollëku juaj të plotësojë nevojat e tyre, kështu që edhe bollëku i tyre të plotësojë nevojat tuaja, që të ketë barazi, sikurse është shkruar: ‘Ai që mblodhi shumë, nuk mori më shumë dhe ai që mblodhi pak, nuk mori më pak.’” - 2 Korintasve 8:13-15.PPAlb 207.1

    Ditën e gjashtë populli mblodhi dy omerë për frymë. Kryepleqtë nxituan që ta informonin Moisiun për atë që ishte bërë. Ai iu përgjigj, ““Kjo është ajo që ka thënë Zoti: Nesër është një ditë solemne pushimi, e shtuna ose sabati (hebraisht Shabbat) i shenjtë për Zotin; piqni sot atë që duhet të piqni dhe zieni atë që duhet të zieni; dhe çdo gjë që ju tepron, vëreni mënjanë dhe ruajeni deri nesër.” - Eksodi 16:23. Ata bënë siç iu tha dhe panë që gjatë ditës së shtunë ushqimi mbetej i pandryshuar, pra nuk prishej. “Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë për Zotin; sot nuk do ta gjeni nëpër fusha. Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë, që është e shtuna (ose sabati) nuk do ta gjeni më.” - Eksodi 16:25, 26.PPAlb 207.2

    Perëndia kërkon që dita e Tij e shenjtë të respektohet po aq shenjtërisht sa ç’respektohej në kohën e Izraelit të lashtë. Urdhri që iu dha hebrenjve duhet të konsiderohet për të gjithë besimtarët e krishterë si një gjë e sanksionuar për ta nga vetë Zoti. Dita përpara sabatit duhet të jetë mbi të gjitha një ditë që u kushtohet përgatitjeve, që gjithçka të jetë gati për orët e shenjta që fillojnë me perëndimin e diellit të premten. Punët tona të rëndomta nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë nga ne që të zaptojnë kohën e shenjtë gjatë sabatit. Sigurisht, Perëndia ka dhënë urdhër që të jepet kujdesi i duhur për të sëmurët dhe ata që vuajnë; puna që bëhet si përkujdesje për ta është punë plotë mëshirë e hijeshi, dhe nuk është aspak dhunim i sabatit. Ndryshe, çdo punë e panevojshme duhet të shmanget.Shumë besimtarë të shkujdesur lënë shumë gjëra të vogla për të bërë në ditën e shtunë që fare mirë mund të ishin bërë që të premten. Nuk duhet të ndodhë kështu! Ato punëra që neglizhohen dhe nuk bëhen deri përpara ditës së shtunë (sabatit) duhen lënë pa bërë deri në mbarim të kësaj dite. Ky veprim ka shumë gjasa që të ndihmojë kujtesën e këtyre besimtarëve të shkujdesur në mënyrë që ata të kenë kujdes që t’i kryejnë të gjitha punët brenda gjashtë ditëve të punës.PPAlb 207.3

    Gjatë gjithë endjes së tyre të gjatë në shkretëtirë, izraelitët çdo javë përjetonin një mrekulli të trefishtë, e cila bëhej nga Zoti për t’ua ngulitur në mendje atyre se dita e shtunë (sabati) ishte e shenjtë për Të: ditën e gjashtë binte një sasi e dyfishtë e manas; ditën e shtatë asgjë, dhe porcioni që nevojitej për t’u ngrënë të shtunën ruhej plotësisht i freskët dhe me shije. E veçanta ishte se po të ishte mbledhur në cilëndo nga ditët e tjera të javës, porcioni kishte për t’u prishur e nuk mund të përdorej për ushqim.PPAlb 207.4

    Kur marrim parasysh rrethanat e dhënies së manas, kemi evidëncë bindëse (apo konkluduese) se sabati nuk u caktua si ditë e shenjtë, siç pretendojnë disa, kur u dha ligji i dhjetë urdhërimeve në Malin Sinai (- Eksodi 20). Izraelitët e kishin parasysh se mbajtja e sabatit ishte e detyrueshme për ta që më përpara se të shkonin në Malin Sinai. Për më tepër, natyra e shenjtë e ditës së pushimit iu rikujtohej vazhdimisht kur iu kërkohej që çdo ditë të premte të mblidhnin një porcion të dyfishtë të manas në përgatitje për të shtunën (sabatin). Dhe kur disa nga njerëzit dolën ditën e shtunë për të mbledhur mana, Zoti pyeti, “Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e Mia dhe ligjet e Mia?” - Eksodi 16:28.PPAlb 208.1

    “Fëmijët e Izraelit hëngrën manan për dyzet vjet, deri sa mbërritën në një vend të banuar; hëngrën manan deri sa mbërritën në kufinjtë e vendit të Kanaanit.” - Eksodi 16:35. Për dyzet vjet me rradhë ata rikujtoheshin përditë nga kjo mrekulli e veçantë për përkujdesjen e gjithanshëm të Perëndisë si dhe për dashurinë e tij të pakrahasueshme për popullin e Tij. Siç thotë psalmisti, Perëndia u dha izraelitëve “... për të ngrënë ... grurin e qiellit. Njeriu hëngri ushqimin e engjëjve” (- Psalmi 78:24, 25)—domethënë, ushqimi u sigurua për njerëzit nga engjëjt. Të ushqyer me “grurin e qiellit,” ata mësonin përditë se duke patur dhe shijuar premtimin e Perëndisë, ata ishin po aq të sigurtë për të ardhmen sa do të ishin po të rrethoheshin nga fushat plot me grurë në ultësirat më pjellore të tokës së Kanaanit.PPAlb 208.2

    Mana, ushqimi që binte nga qielli për të mbajtur Izraelin të gjallë e të shëndetshëm, simbolizon në njëfarë mënyre Jezu Krishtin, Atë që erdhi nga Perëndia për t’i dhënë jetë botës. Jezusi tha “Unë jam Buka e jetës. Baballarët tuaj hëngrën manan në shkretirë dhe vdiqën...Unë jam Buka e gjallë që zbriti nga qielli; kushdo që ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që Unë do të jap është mishi Im, që Unë do ta jap për jetën e botës.” - Gjoni 6:48-51. Dhe ndër premtimet e shumta të bekimeve për popullin e Perëndisë në jetën e ardhshme është shkruar, “Atij personi që fiton do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur.” - Zbulesa 2:17b.PPAlb 208.3

    Pasi u larguan nga shkretëtira e Sinit, Izraelitët ngulën çadrat në Refidim. Këtu nuk kishte ujë dhe përsëri ata treguan mungesë të theksuar besimi tek aftësia siguruese e Perëndisë. Ata shkuan tek Moisiu duke nxjerrë në pah dritëshkurtësinë dhe hamendjet e tyre të pabaza, me kërkesën, “Na jep ujë për të pirë!” - Eksodi 17:2a. Por Moisiu nuk e humbi durimin me ta. “Pse grindeni me mua?” u tha atyre; përse vallë e tundoni Zotin?” - Eksodi 17:2b. Ata bërtitën gjithë inat, “Përse na bëre ti që ne të ikim nga Egjipti, që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhe bagëtia jonë?” - VarguPPAlb 208.4

    3. Kur ishin furnizuar aq bollshëm me ushqime, atyre u kishte ardhur turp që ishin treguar mosbesues dhe se kishin murmuritur kundër Zotit, dhe i kishin premtuar Perëndisë se do të kishin besim tek Ai në të ardhmen; por shumë shpejt do të vinte rasti kur ata do ta harronin këtë premtim, dhe dështuan që në provën e parë që iu bë besimit të tyre. Kolona e resë që u printe rrugën dukej sikur mbulonte një mister të frikshëm. Dhe Moisiu—kush vallë ishte ai? Pyesnin ata, dhe cila mund të ishte arsyeja e vërtetë që ai i kishte nxjerrë nga Egjipti? Dyshimet dhe mosbesimi u kontrollonin zemrat. Ata shkuan deri aty sa ta akuzonin haptazi Moisiun se ai gjoja kishte bërë plan t’i vriste si ata ashtu edhe fëmijët e tyre me anë të privimeve dhe vështirësive të rrugës, dhe që pastaj të pasurohej nga pronat e pasuritë e tyre. Në kulmin e indinjatës dhe inatit, ata për pak sa nuk e vranë me gurë Moisiun.PPAlb 208.5

    I dëshpëruar thellë, Moisiu iu drejtua Zotit, “Çfarë të bëj me këtë popull?” — Vargu 4. Zoti e udhëzoi që të merrte me vete nga kryepleqtë e Izraelit si dhe bastunin me të cilin kishte kryer shumë mrekulli në Egjipt dhe pastaj të dilte përpara popullit. Dhe Zoti i tha Moisiut, “Ja, Unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë që populli të mund të pijë.” Vargu 6. Moisiu iu bind urdhrit, dhe ujërat shpërthyen fuqishëm nga një burim i madh që furnizoi me ujë të bollshëm mbarë kampin. Në vend që të urdhëronte Moisiun që të ngrinte lart bastunin dhe të thërriste ndonjë murtajë të tmerrshme, si ato të Egjiptit, mbi krerët që murmuritnin me ligësi, Zoti, me mëshirën e tij të madhe që e karakterizon, e bëri bastunin e Moisiut një vegël që punonte për shpëtimin dhe jo shkatërrimin e tyre.PPAlb 209.1

    “[Zoti] çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe u dha për të pirë, si të ishte ujë nga humnerat e mëdha. Gjithashtu, Ai nxorri rrëké nga shkëmbi dhe i bëri ujërat që të rridhnin si lumenj.” - Psalmi 78:15, 16. Moisiu ishte ai që goditi shkëmbin, por në të vërtetë Biri i Perëndisë, i mbuluar nga kolona e resë, qëndronte pranë Moisiut dhe bëri që uji jetëdhënës të rridhte për popullin. Jo vetëm Moisiu dhe kryepleqtë, por mbarë turma që shihte gjithçka nga një distancë, panë lavdinë e Zotit; por në rast se reja do të ishte zhvendosur, ata do të ishin vrarë në çast nga shkëlqimi i tmerrshëm i Atij që fshihej në brendësi të resë.PPAlb 209.2

    Kur kishin patur etje, njerëzit e kishin tunduar Perëndinë duke thënë, “A është vallë Zoti mes nesh, apo jo?” - Eksodi 17:7. “Në qoftë se Perëndia na solli dëri këtu, përse nuk na jep ujë ashtu siç na jep bukë?” Ky lloj mosbesimi që u manifestua nga izraelitët ishte ekstrem, dhe Moisiu kishte shumë frikë se ndëshkimi i Perëndisë mund të binte mbi ta në çdo çast. Dhe Moisiu e quajti emrin e atj vendi Masah, që do të thotë “tundim,” dhe Meribah, “grindje,” në përkujtim të mëkatit të popullit.PPAlb 209.3

    Një rrezik i ri tashmë i kanoste të gjithë. Për shkak të murmuritjeve të tyre kundër Tij, Zoti lejoi që ata të sulmoheshin nga armiqtë e tyre, amalekitët. Amalekitët ishin një fis i egër dhe luftëdashës që banonte në atë rajon. Ata u sulën kundër izraelitëve dhe vranë disa nga ata që ishin të lodhur e të drobitur nga rruga dhe që ecnin nga fundi i turmës. Duke e ditur se shumica e popullit nuk ishin të përgatitur për luftë, Moisiu urdhëroi Jozueun (Hebraisht Jehoshua) që të përzgjidhte nga çdo fis një trupë luftarake dhe t’i printe të nësërmen kundër armikut. Ndërkohë Moisiu do të qëndronte pranë sheshit të betejës në një vend të ngritur me bastunin e Perëndisë në dorë. Atëherë, sipas planit, Jozueu dhe ushtria e tij sulmuan armikun,, ndërsa Moisiu, Aaroni dhe Huri (burri i Miriamit, motrës së Moisiut dhe Aaronit) u vendosën në një kodër pranë sheshin të betejës. Me krahët e shtrirë drejt qiellit, dhe duke mbajtur bastunin e Perëndisë me dorën e djathtë, Moisiu u lut për suksesin e ushtrisë izraelite. Ndërsa beteja vazhdonte, u vu re se për sa kohë që Moisiu i mbante duart dhe krahët të shtrirë lart, Izraeli fitonte, por kur ai i ulte ato, atëherë ndodhte e kundërta dhe armiku e merrte veten. Kur Moisiu më në fund u lodh, atëherë Aaroni dhe Huri i mbajtën lart krahët e tij deri në perëndimin e diellit, dhe armiku u shpartallua plotësisht.PPAlb 209.4

    Gjatë kohës që Aaroni dhe Huri mbanin lart duart e Moisiut, ata i treguan popullit detyrën që kishin për ta mbështetur Moisiun në punën e tij të vështirë, ndërsa ai merrte urdhëra nga Perëndia dhe praktikisht ishte zëdhënësi i Tij përpara popullit. Duhet thënë gjithashtu se veprimi i Moisiut ishte mjaft domethënës, sepse tregonte se Perëndia e kishte fatin e popullit në duart e Tij; për sa kohë që ata do të kishin besim tek Perëndia, Ai kishte për të luftuar për ta dhe sigurisht që do t’i mundte armiqtë e tyre; por atëherë kur ata do të shkëputeshin prej Tij, dhe do të mbështeteshin vetëm në forcat e tyre, ata do të katandiseshin në një pozitë edhe më të dobët e të disfavorshme se ata popuj që nuk e kishin njohurinë e Perëndisë, si dhe do të pësonin disfatë në çdo betejë me armiqtë që kishin.PPAlb 210.1

    Ashtu siç triumfuan hebrenjtë kur Moisiu shtriu duart e tij drejt qiellit dhe ndërmjetësoi për ta tek Perëndia, ashtu edhe besimtarët e ditëve tona, ata që bëjnë pjesë në Izraelin e Perëndisë, kanë për të korrur fitore në rast se mbështeten me anë të besimit tek Perëndia, Ndihmësi i tyre i plotfuqishëm. Megjithatë, fuqia hyjnore duhet të kombinohet me përpjekjen njerëzore. Mosiu nuk besonte se Perëndia do t’i mundte armiqtë e Izraelit ndërsa ky i fundit rrinte duarkryq. Ndërsa Moisiu, ky udhëheqës i madh, i lutej dhe përgjërohej Zotit, Jozueu dhe luftëtarët e tij trima luftuan me mish e shpirt për të sprapsur armiqtë e Izraelit dhe Perëndisë.PPAlb 210.2

    Pas disfatës së amalekitëve, Perëndia i dha urdhër Moisiut, “Shkruaje këtë ngjarje në një libër, që të mos harrohet kurrë, dhe përsëritja Jozueut që unë do ta fshij fare kujtimin e Amalekut nën qiell (kupto: mbi dhé).” - Eksodi 17:14. Kështu, para se të vdiste, Moisiu u transmetoi izraelitëve një fjalim që përmbante një amanet solemn për ta: “Kujto atë që të bëri Amaleku gjatë rrugës, kur dolët nga Egjipti; ai të doli përballë rrugës, duke sulmuar nga prapa tërë të dobëtit që ishin të fundit, kur ti ishe i lodhur dhe i mbaruar, dhe {Amaleku] nuk pati fare frikë nga Perëndia. Pra, kur Zoti, Perëndia yt, do të sigurojë qetësi nga armiqtë e tu rreth e përqark vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi për ta pushtuar, do të fshish kujtimin e Amalekut nën qiell; mos e harro!” - Ligji i Përtërirë 25:17-19. Në lidhje me kombin e lig të amalekitëve, Zoti ka deklaruar, “Dora [e Amalekut] u ngrit kundër fronit të Zotit.” - Eksodi 17:16.PPAlb 210.3

    Amalekitët nuk është se ishin injorantë për sa i përket karakterit apo sovranitetit të Perëndisë; por në vend që të tuteshin përpara Tij, ata kishin vendosur t’a sfidonin pushtetin e Tij. Mrekullitë e kryera me anë të Moisiut përpara egjiptasve u morën me shaka e tallje nga ana e amalekitëve, ndërsa këta të fundit nuk harruan të gajaseshin edhe me frikën e kombeve të tjerë fqinjë. Ata ishin përbetuar përpara perëndive të tyre që t’i shkatërronin hebrenjtë, dhe që as edhe një të mos shpëtonte. Ndërkohë ata mburreshin se Perëndia i Izraelit (Jahveh) do të ishte i pafuqishëm përpara tyre dhe nuk do t’u bënte kurrfarë rezistence. E vërteta ishte se amalekitët nuk ishin as kërcënuar as edhe lënduar nga izraelitët. Mësymja e tyre kundër popullit të Zotit ishte plotësisht e paprovokuar. Ajo ndodhi që të tregonte qartë mërinë dhe rebelimin e tyre kundër Perëndisë, ndaj edhe ata u përpoqën që të shkatërrojnë popullin e Tij. Për një kohë të gjatë, amalekitët kishin qenë fund e krye në mëkat dhe krimet dhe fëlliqësitë e tyre ishin ngritur lart saqë meritonin hakmarrje nga ana e Perëndisë. Megjithatë, Perëndia, me mëshirën e Tij, u kishte bërë thirrje të njëpasnjëshme për pendim; por kur burrat e Amalekut iu vërsulën rrradhëve më të lodhura e më të pambrojtura të Izraelit, ata e vulosën vetë fatin e kombit të tyre. Perëndia tregon kujdesin e Tij edhe për më të dobtin e fëmijëve të Tij. Askush të mos mendojë se ndonjë akt mizorie apo shtypje që u ndodh atyre ka për t’u harrur apo anashkaluar. Qielli i mban të gjitha shënim! Dora e Perëndisë shtrihet si mburojë mbi të gjithë ata që e duan dhe i druhen Atij; le ta dinë të gjithë njerëzit që të mos bëjnë gafë ta godasin atë dorë; sepse ajo zotëron shpatën e drejtësisë.PPAlb 210.4

    Jo shumë larg nga vendi i ri që izraelitët kishin zgjedhur për të ngulur çadrat, gjendej shtëpia e Jethros, vjehrrit të Moisiut. Jethro kishte dëgjuar për shpëtimin e hebrenjve nga duart e egjiptasve, dhe tashmë kishte marrë udhën për t’i takuar që t’i kthente Moisiut gruan dhe dy djemtë që kishte lënë pas. Udhëheqësi i madh u informua nga disa lajmëtarë për ardhjen e Jethros, dhe mori rrugën buzagaz drejt tyre. Pasi u përqafua me Jethron dhe familjarët e vet, i i ftoi të hynin në çadër. Ai e kishte dërguar familjen e vet prapa ndërsa vetë kishte marrë rrugën për në Egjipt, që të udhëhiqte Izraelin në udhëtimin e rrezikshëm jashtë Egjiptit. Por më në fund, atij iu dha mundësia që të gëzohej e ngushëllohej me familjen e tij që tashmë e kishte pranë. Ai i tregoi Jethros mrekullitë e mëdha që Perëndia kishte kryer për Izraelin, dhe patriarku u gëzua jashtë mase dhe bekoi Zotin. Pastaj, së bashku me Moisiun dhe kryepleqtë, ai u bashkua në ofrimin e një flijimi dhe kremtimin e një feste solemne në përkujtim të mëshirës së Perëndisë.PPAlb 211.1

    Gjatë qëndrimit të tij në kamp, Jethro vuri re se sa e madhe ishte barra që rëndonte mbi Moisiun. Të mbaje rend dhe disiplinë nëpër atë turmë qindramijëshe e cila fatkeqësisht ishte e paedukuar dhe e patrainuar ishte një detyrë tmerrësisht e vështirë dhe stresante. Moisiu ishte udhëheqësi dhe gjykatësi i tyre i ligjshëm, dhe jo vetëm interesat dhe përgjegjësitë e përgjithshme që kishin njerëzit por edhe mosmarrëveshjet që lindnin mes tyre i referoheshin atij. Ai e kishte lejuar këtë gjë, sepse i jepte një mundësi për t’i edukuar ata; siç thoshte, “u bëj të njohur [popullit] statutet e Perëndisë dhe ligjet e Tij.” - Eksodi 18:16. Por Jethro argumentoi kundër llogjikës së Moisiut, duke i thënë, “Ajo që bën nuk është mirë. Ke për t’u rraskapitur më në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm.” - Eksodi 18:17, 18. Pastaj Jethro e këshilloi Moisiun që të caktonte persona kompetentë si krerë të mijërave, dhe të tjerë si krerë të qindrave, dhe në fund krerët për çdo dhjetë veta. Ata duhet të ishin “njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë.” - Vargu 21. Këta krerë do të gjykonin në çdo çështje dytësore, ndërsa çështjet më të rëndësishme dhe më të vështira do të silleshin përpara Moisiut i cili do të ishte për popullit, sipas Jethros, përfaqësues i Perëndisë: “përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre. Mësoju atyre statutet dhe ligjet dhe tregoji rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që duhet të bëjnë.” - Vargjet 19, 20. Kjo këshillë u pranua nga Moisiu, dhe jo vetëm që liroi barrën e rëndë të përgjegjësive për Moisiun por edhe rezultoi në një përmirësim dhe perfeksionim të rendit dhe disiplinës mes njerëzve.PPAlb 211.2

    Zoti e kishte nderuar madhërisht Moisiun, dhe kishte kryer mrekulli me anë të dorës së tij; por fakti se ai ishte zgjedhur për të këshilluar të tjerët nuk nënkuptonte aspak se ai nuk kishte nevojë vetë për këshillë. Udhëheqësi i zgjedhur i Izraelit i dëgjoi me kërshëri e gëzim sugjerimet e Jethros, priftit të perëndishëm të Midianit, dhe e vuri në zbatim planin e tij duke e konsideruar si një organizim mjaft të mençur.PPAlb 212.1

    Nga Refidimi, populli vazhdoi udhëtimin duke ndjekur lëvizjen e kolonës së resë. Rrugës deri tash, ata kishin marshuar nëpër lugina e pllaja të shkreta, maja të thepisura dhe monopate shkëmborë. Shpesh, ndërsa ecnin mbi rërën e shkretëtirës, shihnin përballë tyre male të mëdhenj që ngjanin si barrikada gjigande që ishin vendosur pikërisht përballë rrugës së tyre, dhe të jepnin përshtypjen se ishin plotësisht të pakapërcyeshëm. Por ndërsa populli iu afrohej maleve, atykëtu në “murin” e malin dukeshin çarje pas të cilave mund të dalloje pllajën ose luginën e rradhës. Tashmë ata po drejtoheshin nëpër njërën prej këtyre kalimeve me një terrën të thepisur dhe të rrëshqitshëm. Ishte një skenë madhështore dhe mjaft mbresëlënëse. Ndërmjet shtigjeve dhe rrëpirave shkëmbore që ngriheshin me qindra metra në secilën anë, rridhnin sa të kapte syri si një baticë e gjallë turmat e Izraelit, burra, gra, fëmijë e bagëti. Dhe tashmë, përpara tyre, me një madhështi solemne para tyre shtrihej Mali i Sinait, me majën e tij karakteristike. Kolona e resë ndali mbi majën e malit, dhe njerëzit ngritën kampin e tyre mbi pllajën përballë malit. Ky vend do të ishte banesa e tyre për gati një vit.Gjatë natës, kolona e zjarrtë e siguronte popullin se gëzonte mbrojtjen hyjnore, dhe përpara se ata të zgjoheshin nga gjumi në mëngjes, buka e qiellit binte ngadalë dhe qetë mbi vendqëndrimin e tyre.PPAlb 212.2

    Agimi ndriçonte shtigjet e errta të maleve, ndërsa rrezet e arta të diellit shponin ravinat dhe kanionet e thella të cilat u dukeshin udhëtarëve të lodhur si rreze mëshire që vinin prej fronit të Perëndisë. Nga çdo kënd, lartësitë e mëdha dhe të ashpra, me madhështinë e tyre vetmitare, impononin mbi popullin një ndjenjë shumë solemnë dhe të paharrueshme. Në fakt, pamjet dhe peisazhet ishin as imponuese sa njerëzit ndjenin druajtje përpara këtyre imazheve që flitnin për solemnitetin e pranisë së Perëndisë. Njeriu këtu ndjehej veçse i vogël, i dobët dhe i paditur përballë pranisë së Atij që “ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar.” - Isaia 40:12b. Në këtë vend, Izraeli do të ishte dëshmitar i zbulesës më të mrekullueshme që Perëndia bëri për njerëzit. Në këtë vend, Zoti pati mbledhur popullin e Tij që t’u bënte të qartë atyre shenjtërinë e kritereve të Tij duke shpallur ligjin e Tij me zërin e Vet. Ata duhet t’u nënshtroheshin ndryshimeve të mëdha dhe rrënjësore; sepse ndikimet degraduese të skllavërisë, si dhe bashkëjetesa e gjatë me idhujtarinë e idhujtarët kishte lënë gjurmë të thella në zakonet dhe karakterin e tyre. Perëndia i ishte përveshur punës për t’i ngritur ata në një nivel shumë më të lartë moral; këtë Ai mund ta bënte vetëm duke u dhënë atyre një njohuri të Vetvetes.PPAlb 212.3

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents