Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
PATRIARKË DHE PROFETË - Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    54—“SAMSONI”

    *****

    Në mes të apostazisë së shpërndarë anembanë vendit, adhuruesit besnikë të Perëndisë vazhduan t’i përgjëroheshin e t’i luteshin Atij që ta çlironte Izraelin. Ndonëse nuk pati ndonjë përgjigje paraprake, ndëonëse vit pas viti shtypja e sunduesve po bëhej gjithmonë e më e ashpër dhe e padurueshme për mbarë vendin, Perëndia po ndërmerrte masa përgatitore për t’u ardhur në ndihmë. Madje, në vitet e hershme të sundimit filistin, u lind një djalë nëpërmjet të cilit Perëndia kishte planifikuar të thyente pushtetin e këtyre armiqve të fuqishëm të Izraelit. 38B aza për këtë kapitu ll është libri i G jyqtarëv e, kapitu jt 1 3 -16.PPAlb 430.1

    Në kufi me rajonin malor në afërsi të ultësirës filistine ndodhej qyteti i vogël i Zorahut. Këtu jetonte familja e Manoahut, nga fisi i Danit, njëra nga familjet e pakta që i kishte qëndruar besnike Zotit Perëndi, megjithë tradhtinë e përgjithshme ndaj Tij. Gruas shterpë të Manoahut iu shfaq “Engjëlli i Zotit Perëndi” me mesazhin se ajo shumë shpejt do të lindte një djalë, nëpërmjet të cilit Perëndia do të niste çlirimin e Izraelit. Në lidhje me këtë, Engjëlli i dha disa porosi në lidhje me mënyrën e jetesës së saj, si dhe për sa i përket trajtimit të birit të saj: “Prandaj ruhu, të lutem, se mos pish verë apo pije dehëse, dhe se mos hash ndonjë gjë të papastër.” - Gjyqtarët 13:4. Dhe i njëjti kufizim do t’i imponohej, që nga fillimi, edhe djalit, me porosinë shtesë se nuk duhej t’i priteshin flokët; meqënëse do t’i shenjtërohej Perëndisë si një Nazarit që nga lindja (- Shih Numrat 6:2-21).PPAlb 430.2

    Gruaja shkoi të gjejë burrin, dhe pasi ia përshkroi Engjëllin, i përsëriti edhe mesazhin që i kishte dhënë. Pastaj, duke patur frikë së mos bënin ndonjë gabim në këtë punë kaq të rëndësishme që u i ishte mirëbesuar, Manoahu u lut, “O Zot, të lutem që Njeriu i Perëndisë i dërguar prej Teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të na lindur.” - Gjyqtarët 13:8.PPAlb 430.3

    Kur Engjëlli u shfaq sërish, Manoahu, në ankth e sipër, bëri një pyetje, “Kur të realizohet fjala Jote, si duhet të sillemi me djalin dhe çfarë duhet të bëjmë me të?” - Vargu 12. Udhëzimi i mëparshëm dhënë gruas u përsërit edhe një herë—“Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë. Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë apo pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar.” - Vargjet 13, 14.PPAlb 430.4

    Perëndia kishte një punë të rëndësishme që do të kryhej nga djali i premtuar Manoahut. Për këtë arësye, stili i jetesës duhet të përshtatej me kujdes në mënyrë që për fëmijën të siguroheshin aftësitë e nevojshme për kryerjen e kësaj pune. “Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë apo pije dehëse,” kishte qenë porosia e Engjëllit për gruan e Manoahut, “dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër. Të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar.” Stili i jetesës së nënës përcakton nëse fëmija do të ndikohet për mirë ose për keq. Ajo duhet t’u përmbahet vetë parimeve, si dhe duhet të ushtrojë përmbajtje dhe vetëmohim, nëse dëshiron me të vërtetë të mirën e fëmijës. Disa këshillues të pamatur nxitin nënat që këto të fundit të plotësojnë çdo dëshirë e tekë të fëmijës, pra ta llastojnë atë; por një këshillë e tillë është e gabuar dhe jashtëzakonisht e dëmshme. Nëpërmjet urdhërit të Vetë Perëndisë, nëna vendosur pëpara detyrimit më solemn: që për hir të fëmijës, ajo duhet të ushtrojë vetë-kontrollin.PPAlb 430.5

    Edhe baballarët, ashtu si nënat, janë të përfshirë në këtë përgjegjësi. Të dy prindërit transmetojnë tek fëmijët karakteristikat e tyre të veçanta, mendore dhe fizike, temperamentin dhe preferencat. Si pasojë e mospërmbajtjes prindërore (pra të veseve të tyre të këqija), fëmijëve shpesh u mungon forca fizike si dhe fuqia mendore dhe morale. Pijësit e pijeve të forta alkoolike dhe duhanpirësit mund të transmetojnë, ose transmetojnë tek fëmijët dëshirat obsesive e të pangopura, gjakun e ndotur dhe nervat e shkatërruara. Njerëzit e çthurrur shpesh lënë në trashëgim epshet e tyrë më të urryera, dhe sëmundjet më të tmerrshme për pasardhësit e tyre. Mjerisht, duke qenë se fëmijët kanë më pak forcë për t’i rezistuar tundimit sesa prindërit, tendenca është që nga njëri brez në tjetrin kjo forcë sa vjen e bëhet më e vogël. Në njëfarë shkalle, prindërit gjithashtu kanë përgjegjësi jo vetëm për pasionet e dhunshme dhe epshet e fëlliqura të fëmijëve, por edhe për gjymtitë e sëmundjet e mijëra fëmijëve që lindin shurdhë, të verbër, të sëmurë ose me sëmundje nervore.PPAlb 431.1

    Meraku i çdo nëne dhe babai duhet të jetë: “çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të na lindur?” Efekti i influencës prindërore të paralindjes nënvlehtësohet nga shumë veta; por udhëzimi që u dërgua nga qielli për këta dy prindër hebrenj, dhe i përsëritur dy herë në mënyrën më të qartë e më solemne, tregon se sa me rëndësi shikohet kjo çështje nga Krijuesi ynë.PPAlb 431.2

    Në fakt, nuk mjaftonte aspak që fëmija të merrtë një trashëgimi të mirë prej prindërve. Kjo duhej të pasohej me një edukim të kujdesshëm dhe me formimin e zakoneve të mira. Perëndia udhëzoi që gjykatësi dhe çliruesi i ardhshëm i Izraelit duhej të edukohej me një vetëpërmbajtje strikte që nga fëmijëria. Ai do të ishte Nazarit që nga lindja, që ndryshe nënkuptonte se atij i ndalohej kategorikisht përdorimi i verës dhe i pijeve alkoolike. Mësimet e vetë-përmbajtjes, vetëmohimit, dhe vetë-kontrollit duhet t’u mësohen fëmijëve që kur janë akoma foshnje.PPAlb 431.3

    Ndalimi nga ana e Engjëllit përfshinte “çdo gjë të papastër.” Dallimi ndërmjet artikujve ushqimorë si të pastër dhe të papastër nuk ishte thjeshtë një dispozitë ceremoniale dhe arbritrare, por mbështetej mbi parimet e shëndetit.Vitaliteti i mahnitshëm që ka karakterizuar popullin çifut për mijëra vjet i detyrohet në një shkallë të lartë pikërisht respektimit të këtij dallimi nga ana e tyre. Parimet e vetë-përmbajtjes duhet të aplikohen edhe më tej, pra, jo vetëm kur bëhet fjalë për përdorimin e pijeve alkoolike. Përdorimi i ushqimeve stimuluese dhe të papërtypshme është shpesh po aq i dëmëshëm për shëndetin, dhe në shumë raste mbjell farën e abuzimit me alkoolin. Vetë-përmbajtja e vërtetë na mëson që të heqim dorë krejtësisht nga çdo gjë që është e dëmshme, dhe të përdorim me maturi atë që është e shëndetshme. Të paktë janë ata që e kuptojnë se sa ndikim mbi shëndetin ka lloji i dietës ushqimore që ata ndjekin. Ky ndikim nuk vjen vetëm mbi shëndetin, por edhe mbi karakterin etyre, dobishmërinë e tyre në këtë botë, si dhe me destinacionin e tyre të përjetshëm. Oreksi duhet të jetë gjithnjë nën kontrollin e fuqive morale dhe intelektuale të njeriut. Thënë ndryshe, trupi të jetë shërbëtor i mendjes, dhe jo të jetë mendja shërbëtore e trupit.PPAlb 431.4

    Premtimi hyjnor që iu bë Manoahut u përmbush në kohën e duhur me lindjen e një djali, të cilit iu dha emri Samson. Ndërsa djali u rrit, u bë mëse e qartë se ai zotëronte një forcë fizike të jashtëzakonshme. Gjithsesi, siç dihej mirë si nga Samsoni dhe si nga prindërit e tij, kjo forcë nuk varej nga trupi i tij i lidhur, por nga gjendja e tij si Nazarit, simbol i së cilës ishin flokët e tij të paprerë. Në rast se Samsoni do t’u ishte përmbajtur urdhërave hyjnore me aq besnikëri sa prindërit e tij, fati i tij do të kishte qenë më fisnik dhe më i lumtur. Por shoqërimi me idhujtarët e çthurrën atë. Duke qenë se qyteti i Zorahut ndodhej fare pranë kufirit me filistinët, Samsoni u përzie dhe zuri shoqëri me bashkëmoshatarët e tij filistinë. Ndërkaq, në rininë e tij , miqësitë intime që ai lidhi do të ndikonin për keq në jetën e tij, duke e errësuar atë. Kështu, ndjenjat e Samsonit u tërhoqën pas një vajze të re që jetonte në qytetin filistin të Timnahut, dhe Samsoni vendosi ta merrte për grua. Kur prindërit e tij që i druheshin Perëndisë u përpoqën që t’ia kthenin mendjen nga ky synim, ai iu përgjigj prerazi: “Merrmani atë se më pëlqen.” - Gjyqtarët 14:3. më në fund, prindërit u lëshuan përpara dëshirës së tij, dhe martesa u krye.PPAlb 432.1

    Pikërisht në kohën në të cilën po burrërohej, kohën në të cilën do t’i duhej të ekzekutonte misionin e tij hyjnor—kohën në të cilën ai duhet të tregohej më besnik se kurrë ndaj Perëndisë—Samsoni u lidh me armiqtë e Izraelit. Mjerisht, ai nuk pyeti se si mund ta përlëvdonte më mirë Perëndinë në lidhjen që do të bënte me shoqen e jetës; apo nëse po e vendoste veten në një pozitë në të cilën ai nuk do të kishte mundësi që të përmbushte qëllimin që kishte për të arritur me anë të jetës së tij. Perëndia u ka premtuar mençuri të gjithë atyre që kërkojnë, para së gjithash, ta nderojnë Atë; por nuk ka asnjë premtim për ata që fokusohen vetëm tek vetë-kënaqësia.PPAlb 432.2

    Sa shumë të rinj ndjekin të njëjtën rrugë siç bëri Samsoni. Sa shpesh ndodh që martesat formohen ndërmjet besimtarëve dhe të pafeve, sepse tërheqja fizike mbizotëron në përzgjedhjen e bashkëshortes apo bashkëshortit! Palët në fjalë nuk denjojnë të këshillohen me Perëndinë, dhe as që e kanë parasysh lavdinë e Tij. Besimi i krishterë duhet të këtë një influencë përcaktuese në marrëdhënien martesore, por shumë shpesh ndodh që motivet e vërteta që çojnë drejt kësaj lidhjeje nuk janë në përputhje me parimet e krishtera. Satani po synon vazhdimisht që të përforcojë fuqinë e tij mbi popullin e Perëndisë, duke i joshur ata që të hyjnë në aleancë me subjektet e tij; dhe në mënyrë që ta realizojë këtë, ai përpiqet të nxisë pasione epshore në zemër. Por në fjalën e Tij Zoti ka udhëzuar qartë popullin e Tij që të mos bashkohet me ata tek të cilët dashuria e Tij nuk banon. “Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin (këtu: emërtim i Satanit, personifikimi i ligësisë)? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt” - 2 Korintasve 6:15, 16a.PPAlb 432.3

    Me dasmën që bëri, Samsoni u fut në krushqi me njerëz të tillë që e urrenin Perëndinë e Izraelit. Kushdo që përfshihet në këto lloj lidhjesh vullnetarisht do ta ndjejë të domosdoshme që të konformohet, në njëfarë shkalle, ndaj zakoneve dhe traditave të krushqve. Koha e kaluar në këtë mënyrë është mëse e çuar dëm. I vënë në këtë pozitë, njeriu sjell ndër mend mendime dhe flet fjalë të tilla që kanë tendencën që të thyejnë ato fortesa që vijnë nga parimet e dobësojnë ndjeshëm anën shpirtërore.PPAlb 432.4

    Gruaja për të cilën Samsoni kishte shkelur urdhërin e Zotit doli tradhtare ndaj burrit përpara përfundimit të dasmës. I zemëruar thellë nga pabesia e saj, Samsoni e braktisi për një kohë, dhe u kthye vetëm në shtëpinë e prindërve në Zorah. Pasi iu zbut zemërimi, ai u kthye për tëk nusja, por pa që ajo i ishte dhënë një tjetri. Ai u hakmorr duke shkatërruar të gjitha fushat dhe vreshtat e filistinëve. Kjo gjë i provokoi filistinët aq shumë saqë vendosën ta vritnin, ndonëse kishin qenë kërcëimet e tyre ato e kishin detyruar atë që të mashtronte e kështu të ndizte sherrin. Ndërka, Samsoni e kishte bërë të qartë me kohë se zotëronte një fuqi të jashtëzakonshme me vrasjen (me një dorë) të një luani, si dhe të tridhjetë burrave nga Ashkeloni. Kësaj rradhe, i tërbuar nga vrasja barbare e gruas së tij, ai i sulmoi filistinët dhe i “goditi në mënyrë të pamëshirshme, duke bërë kërdi të madhe.” - Gjyqtarët 15:8. Pastaj, për t’u ruajtur në një vend të sigurt nga armiqtë, Samsoni u tërhoq në “shkëmbin e Etamit,” në fisin e Judës.PPAlb 433.1

    Ai u ndoq deri në këtë vend nga një ushtri e madhe, dhe banorët e Judës, të alarmuar në kulm, ranë dakort me paturpësi që ta dorëzonin tek armiqtë. Kështu, ndodhi që tre mijë burra të Judës u ngjitën për tek ai. Por edhe duke qenë kaq të shumtë, askush prej tyre nuk guxonte t’i afrohej Samsonit, në rast se ai nuk do t’i siguronte se nuk kishte ndërmend t’i lëndonte bashkëkombasit e vet. Samsoni ra dakord që të lidhej me litarë dhe t’i dorëzohej filistinëve. Por përpara kësaj, ai kërkoi prej burrave të Judës që të mos e sulmonin, ndryshe do ta detyronin t’i vriste. Pra, ai i lejoi që ta lidhnin me dy litarë të papërdorur, dhe ai u çua në kampin armik ku shpërthyen britma gëzimi e hareje. Por ndërkohë që britmat e tyre jehonin në kodrat përreth, “Fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të.” - Gjyqtarët 15:14. Kështu, litarët e papërdorur që kishte në krahë u bënë si fije liri që digjen; dhe lidhjet i ranë nga duart. Dhe me veglën e parë që i kapi dora, e cila ndonëse qëlloi të ishte një nofull gomari akoma të freskët, rezultoi më efikase se shpata apo shtiza, sepse me të ai iu vërsul filsitinëve të cilët, të tmerruar, ia mbathën me të katra. Me atë nofull gomari, ai la një mijë burra të vrarë në fushë.PPAlb 433.2

    Po qe se izraelitët do të ishin treguar të gatshëm që të bashkoheshin me Samsonin dhe ta thellonin edhe më tej fitoren ndaj sunduesve të tyre, ata mund të ishin çliruar fare mirë nga zgjedha e tyre. Por ata ishin bërë frikacakë dhe të drobitur. Ata e kishin neglizhuar punën që Perëndia u kishte urdhëruar të kryenin, pram shpronësimin e paganëve. Përkundrazi, ata ishin bashkuar me paganët në ritet e tyre perverse dhe degraduese, duke toleruar mizorinë dhe miratuar në heshtje padrejtësitë e tyre, për aë sa këto të fundit nuk u preknin interesat personale. Ndërsa kur qëllonte që ata vetë e vuanin zgjedhën e sunduesve, izraelitët nënshtroheshin pa bërë zë ndaj atij degradimi të cilin mund ta kishin shmangur fare mirë, në rast se do t’i ishin bindur Perëndisë. Edhe atëherë kur Zoti ngriti një çlirimtar për ta, ata, jo rrallë do të dezertonin dhe do të bashkoheshin me armiqtë.PPAlb 433.3

    Pas fitores që korri, Samsoni u bë gjyqtar mbi izraelitët, dhe kështu sundoi mbi Izraelin për njëzet vjet. Por mjerisht, një hap i gabuar përgatit rrugën për një tjetër. Samsoni e kishte shkelur urdhërin e Perëndisë kur kishte marrë një grua prej filistinëve, por guxoi edhe një herë që të shkonte mes tyre—tashmë armiqtë më të betuar të tij—për të plotësuar tekat e pahijshme që kishte. Duke i besuar forcës së madhe që zotëronte, e cila i kishte tmerruar filistinët për vite me rradhë, Samsoni shkoi me guxim në Gaza, për të takuar një prostitutë që punonte atje. Banorët e qytetit e morën vesh se ai ndodhej atje, dhe mezi po pritnin që të hakmerreshin ndaj tij. Armiku i tyre gjendej brenda mureve të qytetit më të fortifikuar filistinas që ekzistonte në atë kohë; ata ndjeheshin të sigurt se kësaj rradhe do ta kapnin Samsonin, dhe pritën deri në mëngjes për ta përfunduar me sukses kapjen e tij. Samsoni u zgjua në mesnatë. Zëri akuzues i ndërgjegjes e mbushi me keqardhje kur kujtoi se kishte thyer betimin e tij si Nazarit. Por pavarësisht nga mëkati që kreu, mëshira e Perëndisë nuk e kishte braktisur. Forca e tij e jashtëzakonshme i shërbeu edhe njëherë tjetër për ta shpëtuar nga duart e armikut. Pasi shkoi drejt portës së qytetit, ai “kapi kanatet e portës së qytetit dhe dy shtalkat e saj i shkuli nga vendi bashkë me shufrat prej hekuri, i ngarkoi mbi kurriz dhe i çoi në majë të malit që ndodhet përballë Hebronit.” - Gjyqtarët 16:3.PPAlb 434.1

    Por as kjo aventurë e rrezikshme nuk e pengoi rrugën e keqe që kishte nisur. Ai nuk guxoi më që të shkonte në mes të filistinëve , por vazhdoi të kërkonte kënaqësi epshore të cilat por e joshnin drejt shkatërrimit. Kështu, “ai dashuroi një grua në luginën e Sorekut,” jo larg qytetit të vendlindjes së vet. Ajo quhej Delilah, që do të thotë “përdoruese”. Lugina e Sorekut njihej për vreshtat e saj të famshme; këto shërbyen si objekt tundimi për Samsonin, Nazaritin e lëkundur, i cili e kishte tepruar më parë me përdorimin e verës, duke dhyer kështu edhe një gonxhe tjetër që e mbante të lidhur me pastërtinë dhe me Perëndinë. Ndërkaq, filistinët e vrojtonin me kujdes çdo lëvizje të krye-armikut të tyre, dhe kur Samsoni e degradoi veten edhe njëherë nëpërmjet kësaj lidhjeje, ata bënë plan që, nëpërmjet Delilah-s të realizonin kapjen dhe shkatërrimin e tij.PPAlb 434.2

    Një përfaqësi që përbëhej nga drejtuesit e secilës prej provincave filistine u dërgua në luginën e Sorekut. Ata nuk guxuan fare që të bënin provë ta kapnin Samsonin për aq kohë sa ai zotëronte tërë atë fuqi madhështore, por qëllimi i tyre parësor ishte të merrnin vesh, nëse ishte e mundur, sekretin e fuqisë së tij. Për këtë arësye, ata e korruptuan Delilah-n (duke i dhënë rryshfet) që kjo ta zbulonte sekretin dhe pastau t’ua thoshte.PPAlb 434.3

    Ndërkohë që gruaja tradhtare e bezdiste Samsonin me pyetje gjatë gjithë kohës, ai e gënjente atë duke i thënë se ai mudn të bëhej po aq i dobët sa burrat e tjerë në rast se ndiqej një proçes i caktuar. Kur ajo e provoi këtë gjë në realitet, doli se ai e kishte gënjyer. Atëherë, ajo e akuzoi se ishte mashtrues, duke i thënë, “Si mund të më thuash: ‘Të dua,’ kur zemra jote nuk është me mua? Tri herë me radhë je tallur me mua dhe nuk më ke treguar ku qëndron forca jote e madhe.” - Gjyqtarët 16:15. Tri herë me rradhë Samsoni e kishte patur evidencën përpara syve se filistinët qëndronin pas gruas së tij magjepsëse që ta vrisnin; por kur plani i saj dështoi, ajo e trajtoi çështjen si thjesht një xhest i pafajshëm, dhe ai nuk e vrau më mendjen për këtë gjë.PPAlb 434.4

    Ditë e natë Delilah e bezdiste me pyetje, dëri sa “ai u zemërua për vdekje” (- Vargu 16); gjithsesi, një forcë e pashpjegueshme e mbante pranë saj. Më në fund, Samsoni u mposht dhe ia tregoi sekretin: “Kurrë nuk ka kaluar brisku mbi kokën time, sepse kam qenë një Nazirit për Perëndinë, që nga barku i nënës sime; po të rruhesha, forca ime do të ikte, do të bëhesha i dobët dhe i njëllojtë si gjithë burrat e tjerë.” — Vargu 17. Menjëherë u dërgua një lajmëtar tek zotërinjtë filistinas, që këta të fundit të vinin sa më shpejt tek ajo. Ndërkohë që Samsonin e kishte zënë gjumi, masa e madhe e flokëve të tij të gjatë iu pre nga koka. Atëherë, siç kishte bërë edhe tre herët e tjera, ajo thirri, “Samson, filistinët i ke mbi kokë!” Pasi u zgjua papritur, ai u mundua të ushtronte forcën si herët e tjera dhe t’i vriste; por krahët e tij të pafuqishëm nuk iu bindën kësaj rradhe, dhe mjerisht, e kuptoi se “... Zoti ishte larguar prej tij.” - Vargu 20. Pasi ishte rruar, Delilah nisi ta bezdiste dhe t’i shkaktonte dhimbje, duke vënë në provë kështu nëse i kishte ikur me të vërtetë fuqia apo jo. Normalisht, filistinët nuk guxonin t’i afroheshin nga afër derisa të bindeshin plotësisht se i kishte ikur fuqia. Pastaj ata e kapën, dhe pasi i nxorrën të dy sytë, e morën në Gaza. Në këtë qytet ai u lidh me zinxhirë të mëdhenj dhe u rras në burg dhe u detyrua të kryente punë të rënda.PPAlb 435.1

    Çfarë ndryshimi i kishte ndodhur atij që kishte qenë gjyqtar dhe kampion i Izraelit!—tashmë i dobët, i verbër, i burgosur dhe i poshtëruar që të bënte punët më të vështira! Ai i kishte dhunuar gradualisht detyrimet që vinin nga thirrja e tij e shenjtë si Nazarit. Perëndia kishte qenë i duruar për një kohë të gjatë me të; por kur Samsoni e lëshoi veten ndaj fuqisë së mëkatit deri në atë pikë sa të tradhëtonte sekretin e tij, prania e Zotit u largua prej tij. Jo se flokët e tij kishin ndonjë veti në vetvete, por ato ishin shenja e besnikërisë së tij ndaj Perëndisë; dhe kur ky simbol u çua dëm për motive të dobëta dhe të pahijshme, bekimet të cilat simbolizoheshin nga flokët u humbën bashkë me to.PPAlb 435.2

    Në vuajtje dhe poshtërim, duke u shndërruar në një karagjoz për filistinasit, Samsoni mësoi për dobësitë e karakterit të tij më shumë se ç’kishte mësuar tërë jetën e tij; dhe mundimet e çuan drejt pendimit. Ndërkohë që flokët iu rritën përsëri, fuqia e tij gradualisht u ripërtëri; por armiqtë e tij, duke e konsideruar tashmë si një të burgosur të shkretë e të lidhur me zinxhirë, nuk u shkonte në mendje të kishin frikë.PPAlb 435.3

    Filistinët ua kishin atribuar fitoren perëndive të tyre; dhe, në ngërdheshje e sipër, ata e kishin fyer e shpërfullur Perëndinë e Izraelit. Kështu, ishte bërë një festë në ndër të Dagonit, perëndisë peshk, “mbrojtësit të detit.” Princat dhe fisnikët filistinas erdhën nga gjithë qytetet e krahinat e ultësirës. Turma të mëdha adhuruesish mbushën tempullin e madh pagan dhe vërshonin në drejtim të galerive mbi çati. Ishte një skenë festive dhe ngazëllimi të paparë. Shërbesa pagane e flijimit u zhvillua me pompozitet, duke i lënë vendin muzikës dhe argëtimit. Pastaj, si trofe i fuqisë së Dagonit, u soll Samsoni. Shfaqja e tij në publik u shoqërua me të qeshura e ngërdheshje. Populli i thjeshtë dhe princat talleshin keq me mjerimin e Samsonit, ndërkohë që adhuronin perëndinë që sipas tyre kishte mposhtur “shkatërruesin e vendit të tyre.” (- Vargu 24). Pas njëfarë kohe, duke pretenduar se ishte mjaft i lodhur, Samsoni mori leje që të mbështetej pranë dy shtyllave të mëdha qendrore të cilat mbanin të gjithë çatinë e tempullit pagan. Pastaj, në heshtje, ai nxorri këtë lutje, “O Zot Perëndi, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme vetëm për këtë herë, o Perëndi që të hakmerrem ndaj filistinasve...” - Vargu 28. Pasi tha këto (jalë, ai u kap fort pas dy shtyllave qendrore me krahët e tij të fuqishëm; dhe thirri, “Lermë të vdes bashkë me Filistinasit!”. Menjëherë “u përkul pastaj me të gjithë forcën e tij, dhe shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë.” - Vargu 30.PPAlb 435.4

    Idhulli dhe adhuruesit e tij, priftërinjtë dhe fshatarët, luftëtarët dhe fisnikët, u varrosën së bashku poshtë gërmadhave të tempullit të Dagonit. Deh mes tyre ishte trupi gjigand i atij që kishte qenë zgjedhur nga Perëndia që të bëhej çlirimtar i popullit të Tij. Lajmi mbi këtë shkatërrim të tmerrshëm të filistinasve u përhap anembanë Izraelit, dhe me të dëgjuar, të afërmit e familjes zbritën nga kodrat, dhe, duke mos hasur asnjë kundërshtim, e morën trupin e heroit të tyre. Ndërkaq, ata e “e sollën ta varrosnin midis Zorahut dhe Eshtaolit, në vendin ku ishte varrosur Manoahu, babai i tij.” - Vargu 31.PPAlb 436.1

    Premtimi i Perëndisë se nëpërmjet Samsonit Ai do të “niste ta çlironte vendin nga duart e Filistinasve” (- Gjyqtarët 13:5) u realizua; por sa i errët e i tmerrshëm kujtimi i asaj jete që mund të kishte qenë një lavdërim për Perëndinë dhe ndër e lavdi për kombin! Në rast se Samsoni do t’i ishte përmbajtur me besnikëri thirrjes hyjnore, plani i Perëndisë mund të ishte realizuar me të të lavëdruar e të lartësuar. Por ai u lëshua pas tundimit dhe nuk i përballoi me besnikëri provat. Mjerisht, misioni i tij u realizua me mposhtje, robëri, dhe vdekje.PPAlb 436.2

    Fizikisht, Samsoni ishte njeriu më i fortë në tokë; por kur bëhej fjalë për vetë-kontrollin, integritetin, dhe vendosmërinë, ai ishte një nga më njerëzit më të dobët. Shumë veta ngatërrojnë fortësinë e pasioneve e ndjenjave me atë të karakterit, por e vërteta është se ai njeri që kontrollohet nga ndjenjat është i dobët. Madhështia e vërtetë e një njeriu matet me sasinë e ndjenjave që ka nën kontroll, jo nga ato që e kontrollojnë atë.PPAlb 436.3

    Përkujdesja dhe mbrojtja e Perëndisë e kishin shoqëruar Samsonin, në mënyrë që ai të mund të përgatitej për realizimin e asaj pune për të cilën ishte thirrur posaçërisht. Që në fillim të jetës, ai ishte i rrethuar nga konditat më të favorshme për forcën fizike, energjinë e intelektit, si dhe pastërtinë morale. Por nën ndikimin e shoqërisë së keqe që zuri në rini, ai u shkëput nga lidhja me Perëndinë, e cila është mbrojtja e vetme e njeriut, dhe mjerisht u mbulua nga dallgët e mëkatit. Ata njerëz që në detyrë e sipër vihen përpara provës, të jenë të sigurt se Perëndia ka për t’i mbrojtur; por në qoftë se këta njerëz e vendosin veten me dëshirë të plotë nën fuqinë e tundimit, herët a vonë, kanë për t’u rrëzuar.PPAlb 436.4

    Të njëjtit njerëz të cilët Perëndia synon t’i përdorë si instrumenta të Tij për një detyrë të veçantë, tundohen keqazi nga Satani, i cili bën të pamundur që ata të devijojnë nga rruga e Zotit. Satani na sulmon në pikët më të dobëta, duke punuar nëpërmjet difekteve në karakterin tonë që më vonë të marrë nën kontroll të gjithë njeriun.; dhe ai e di mirë se në qoftë se këto difekte mbulohen dhe inkurajohen nga ana jonë, ai ka për të korrur sukses. Por askush nuk ka pse të mposhtet nga i ligu. Njeriu nuk është lënë vetëm që të mposhtë fuqinë e mëkatit me anë të përpjekjeve të tija të mekura. Ndihma është e disponueshme dhe do t’i jepet çdo njeriu që e dëshiron me të vërtetë atë. Engjëjt e Perëndisë, të cilët ngjitin e zbresin vazhdimisht shkallën që Jakobi pa në vegim (- Zanafilla 28:12), do të ndihmojnë pa përjashtim çdo njeri që tregon vullnet, që ata të ngjiten deri në qiellin më të lartë.PPAlb 436.5

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents