Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
PATRIARKË DHE PROFETË - Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    21—“JOZEFI DHE VËLLEZËRIT E TIJ”

    *****

    Përgatitja për zinë e ardhshme të bukës filluan që me të korrat e para të vitit të bollëkut. Nën urdhrat e Jozefit, u ngritën magazina gjigante në të gjitha qendrat e banimit të Egjiptit, si dhe u morën masat e duhura për të ruajtur tepricën e korrjeve të bollshme që priteshin. E njëjta praktikë u ndoq gjatë të shtatë vjetëve të bollëkut derisa sasia e grurit të magazinuar ishte aq e madhe sa nuk mund të llogaritej më. 11Baza p ër këtë kapitu ll është Z anafilla 4 1 :5 4 -5 6 si d he kapitu jt 4 2 d eri 50.PPAlb 152.1

    Pas shtatë viteve të bollëkut, ashtu siç kishte parashikuar Jozefi, vijuan shtatë vjetët e zisë së bukës. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë. Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t’i kërkuar bukë faraonit. Atëherë faraoni u tha tërë Egjiptasve: ‘Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t’ju thotë ai’. Zija ishte përhapur mbi sipërfaqen e tërë vendit dhe Jozefi i hapi tërë depot dhe u shiti grurë Egjiptasve.” - Zanafilla 41:54-56.PPAlb 152.2

    Zia e bukës nuk la pa përfshirë edhe vendin e Kanaanit dhe ne fakt ndjehej më tepër në atë pjesë të vendit ku banonte familja e Jakobit. Pasi dëgjuan për rezervat e bollshme që mbreti egjiptas kishte siguruar, dhjetë nga bijtë e Jakobit morën rrugën drejt Egjiptit për të blerë grurë. Me të mbërrirë, ata u urdhëruan që të shkonin tek mëkëmbësi i mbretit, dhe së bashku me nevojtarët e tjerë ata erdhën për t’u paraqitur përpara kryeministrit të vendit. Ata “erdhën dhe u përulën para tij me fytyrën për tokë. Jozefi pa vëllezërit e tij dhe i njohu...por ata nuk e njohën atë.” - Zanafilla 42:68. Emri i tij hebre ishte ndryshuar në një të ri të dhënë nga faraoni. Për më tepër, kryeministri i Egjiptit tashmë ndryshonte jo pak nga djaloshi që ata kishin shitur dikur tek Ishmaelitët. Kur Jozefi pa vëllezërit e vet të përuleshin me respekt përpara tij, iu kujtuan ëndrrat që kishte parë, dhe skenat e së kaluarës iu rikthyen vrullshëm para syve. Me sytë e tij të vëmendshëm, duke analizuar grupin, ai vërejti se Benjamini nuk gjendej mes tyre. A mos vallë edhe ai kishte rënë viktimë e mizorisë tradhtare të këtyre barbarëve? Jozefi ishte më i vendosur se kurrë për të mësuar të vërtetën. “Ju jeni spiunë!”, u tha me ashpërsi. ” Keni ardhur këtu për të parë pikat e pambrojtura të vendit!” (- Vargu 9).PPAlb 152.3

    Ata iu përgjigjën: “Jo, zotëria im; shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. Jemi të gjithë bijtë e të njejtit njeri, jemi njerëz të ndershëm; shërbëtorët e tu nuk janë spiunë” (- Vargjet 10, 11). Jozefi donte të merrte vesh nëse ata zotëronin të njëjtën frymë arrogante që kishin patur kur kishin jetuar së bashku, si dhe të merrte informacion përsa i përket shtëpisë së tyre; megjithatë ai e dinte mirë se sa mashtruese mund të ishin deklaratat e tyre. Ai e përsëriti akuzën ndaj tyre, dhe ata iu përgjigjën: “Ne, shërbëtorët e tu, jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të të njëjtit njeri nga vendi i Kanaanit. Dhe ja, pra, më i riu është sot me babain tonë, dhe njeri prej tyre nuk është [më].” (- Vargu 12).PPAlb 152.4

    Duke pretenduar sikur dyshonte në vërtetësinë e historisë së tyre dhe duke i konsideruar ende si spiunë, Jozefi guvernator u deklaroi se do t’i vinte në provë, duke i kërkuar që të qëndronin në Egjipt deri kur njëri prej tyre të shkonte në Kanaan dhe të sillte me vete vëllain e tyre të vogël. Në rast se nuk do të pranonin ta bënin këtë gjë, ata kishin për t’u konsideruar spiunë. Por bijtë e Jakobit nuk mund të binin dakort me këtë marrëveshje, meqë koha që nevojitej për ta zbatuar atë ishte aq e gjatë saqë do të shkaktonte vuajtje të mëdha për bukë; dhe për më tepër, cili prej vëllezërve do ta ndërmerrte këtë udhëtim vetëm, duke lënë kështu nëntë vëllezërit e tjerë në burg? Si mund t’i dilte ai përpara babait në këto rrethana? Gjasat ishin që ata do të dënoheshin me vdekje ose do të bëheshin skllevër; dhe po të sillej edhe Benjamini, kishte për të pësuar dhe ai të njëjtin fat. Ata vendosën që më mirë të qëndronin e të vuanin së bashku se sa t’i shkaktonin babait të tyre edhe një pikëllim më shumë duke humbur edhe birin e tij të vetëm që i kishte mbetur në shtëpi. Kështu, ata u rrasën në burg, ku qëndruan për tre ditë.PPAlb 153.1

    Çështë e vërteta, gjatë viteve qëkur Jozefi ishte ndarë nga vëllëzërit e vet, këta djem të Jakobit kishin ndryshuar në karakter. Ata kishin qenë ziliqarë, të dhunshëm, mashtrues, mizorë, si dhe hakmarrës; por tani, kur u vunë para një prove mjaft të rëndë, ata e treguan veten si vetë-sakrifikues, besnikë ndaj njëri-tjetrit, të përkushtuar ndaj babait të tyre, dhe vetë, duke qenë mesoburra, nën autoritetin e tij.PPAlb 153.2

    Ato tre ditët në burgun egjiptian ishin për vëllezërit ditë pikëllimi të thellë, ndërsa filluan të reflektonin rreth fajeve të shkuara që kishin kryer. Bindja nga ana e guvernatorit se ata ishin spiunë nuk kishte për të ndryshuar në qoftë se nuk kishin për ta sjellë Benjaminin. Për më tepër, shpresat e tyre për të marrë leje nga Jakobi për Benjaminin ishin pothuajse inekzistente. Ditën e tretë, Jozefi dha urdhër që vëllezërit të silleshin para tij. Ai nuk guxoi t’i mbante brenda më gjatë. Gjasat ishin që babai dhe gjithë familiarët e tjerë do të vuanin nga mungesa e ushqimit. “Bëni këtë dhe do të jetoni”, tha ai, “sepse unë kam frikë nga Perëndia! Në rast se jeni njerëz të ndershëm, njeri nga ju vëllezërit të rrijë i lidhur me zinxhir në burgun tonë, dhe ju shkoni t’u çoni grurë familjeve tuaja në skamje; pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja dhe ju nuk keni për të vdekur”. Zanafilla 42:18. Vëllezërit ranë dakort me këtë propozim, ndonëse shprehën shpresë të pakët që babai i tyre Jakobi do ta lejonte Benjaminin që të kthehej bashkë me ta në Egjipt. Jozefi kishte komunikuar me ta nëpërmjet një përkthyesi, dhe vëllezërit, duke mos i shkuar mendja aspak se kryeministri mund t’i kuptonte, bashkëbisedonin lirisht me njëri-tjetrin në praninë e tij. Ata në fakt akuzuan vetveten përsa i përket trajtimit që i kishin bërë kohë më parë Jozefit. “Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja përse na ka rënë kjo fatkeqësi.” - Zanafilla 42:21. Rubeni, që kishte bërë plan ta shpëtonte Jozefin në Dothan, shtoi, “A nuk ju thashë unë: ‘Mos kryeni këtë mëkat kundër fëmijës!; por ju nuk më dëgjuat?. Prandaj tani na kërkohet llogari për gjakun e tij’.” - Vargu 22. Jozefi, pasi i dëgjoi ndërsa thonin këto fjalë, nuk mundi më dot t’i mbante nën kontroll emocionet dhe u largua prej tyre dhe filloi të qante. Me t’u kthyer, ai dha urdhër në prani të të gjithëve që të prangosej Simeoni dhe të çohej në burg. Në trajtimin mizor që i kishin bërë Jozefit, Simeoni kishte qenë nxitësi dhe personazhi kryesor. Ishte pikërisht për këtë arsye që ai u piketua për burgosje.PPAlb 153.3

    Përpara se t’u jepte leje vëllezërve për t’u larguar, Jozefi dha urdhër që atyre t’u jepej një sasi e madhe gruri, por gjithashtu që paratë e secilit të vendoseshin fshehurazi në grykën e çdo thesi. Gjithashtu, atyre iu dha edhe ushqim i bollshëm për kafshët që do t’i kthenin në Kanaan. Gjatë rrugës së kthimit, njëri nga vëllezërit u habit kur gjeti brenda thesit monedhat e argjendta që kishte dhënë për të blerë grurin. Pasi ua bëri të ditur këtë vëllezërve të tjerë, ata u alarmuan dhe u trembën jashtë mase, dhe i thanë njëri-tjetrit: “Çfarë është vallë kjo që na ka bërë Perëndia?” - Vargu 28. A duhet ta konsideronin këtë si një dhuratë bamirësie nga Zoti, apo mos ndoshta Zoti e kishte lejuar këtë gjë të ndodhte që t’i dënonte ata për mëkatet e tyre, duke i shkaktuar kështu një vuajtje akoma dhe më të madhe? Ata e pranuan hapur se Perëndia i kishte marrë në konsideratë mëkatet e tyre dhe se Ai tashmë po i dënonte për shkak të tyre.PPAlb 154.1

    Jakobi po priste me ankth kthimin e bijve të tij, dhe kur këta të fundit mbërritën, të gjithë banorët e rezidencës u mblodhën me ngut përreth, ndërsa vëllezërit i treguan babait gjithçka që u kishte ndodhur. Zemra e të gjithëve u mbushën me frikë dhe ankth. Sjellja e kryeministrit egjiptian të bënte të dyshoje për një plan të lig, dhe druajtjet e tyre ishin vërtetuar në momentin kur kishin hapur thasët dhe paratë e secilit ishin brenda në çdo thes. I dëshpëruar më shumë se kurrë, Jakobi i rënduar nga vitet psherëtiu: “Ju më keni lënë pa bijtë e mi! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më, dhe doni të më merrni edhe Benjaminin! Të tëra këto gjëra janë kundra meje!” - Vargu 36. Rubeni iu përgjigj: “Po nuk ta ktheva, urdhëro të vriten dy bijtë e mi. Ma lër në dorëzim [Benjaminin} mua dhe unë do të ta kthej.” - Vargu 37. Por ky fjalim i nxituar nuk e ngushëlloi aspak mendjen e Jakobit. Përgjigja e tij ndaj Rubenit qe: “Biri im nuk ka për të zbritur me ju, sepse vëllai i tij ka vdekur dhe [Benjamini]ka mbetur vetëm; po t’i ndodhë atij ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimit, do të më bëni që të zbres në varr me thinjat e mia duke vuajtur.” - Vargu 38.PPAlb 154.2

    Por thatësira vazhdoi, dhe me kalimin e kohës sasisë së grurit që ishte sjellë nga Egjipti po i vinte fundi. Nga ana tjetër, bijtë e Jakobit e dinin fare mirë se nuk ia vlente fare të shkonin në Egjipt pa marrë me vete Benjaminin. Ata kishin shpresa shumë të pakta tek ndryshimi i vendimit nga ana e babait të tyre, kështu që e trajtuan këtë çështje në heshtje të plotë. Fatkeqësisht, hija e zisë së bukës po rritej thellë e më thellë dita-ditës; dhe tek fytyrat e e të gjithë banorëve të rezidencës së tij, tashmë të mbërthyera nga ankthi, plaku Jakob lexoi nevojën që kishin; më në fund tha, “Kthehuni për të na blerë pak ushqime.” - Zanafilla 43:2.PPAlb 154.3

    Juda u përgjigj, “Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: ‘Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju’ Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime; por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: “Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju.” - Vargjet 3-5. Duke parë se vendosmëria e babait filloi të lëkundej disi, Juda shtoi, “Lëre djalin të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të nisemi në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti, dhe të vegjëlit tanë.” - Vargu 8; dhe pastaj ofroi veten si garanci për kthimin e Benjaminit dhe se në rast se nuk do ta kthente shëndoshë e mirë tek babai, do të ishte fajtor përgjithmonë.PPAlb 154.4

    Jakobi nuk mund ta hidhte dot më këtë kërkesë, dhe më në fund u dha leje bijve që të përgatiteshin për udhëtimin e gjatë. Gjithashtu i porositi djemtë që t’i jepnin kryeministrit një dhuratë modeste me gjëra të tilla që mund të dhuroheshin vetëm nga një familje e pllakosur nga zija e bukës—“pak balsam, pak mjaltë, disa aroma e mirrë, fistikë dhe bajame.” “Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndoshta ka qenë një gabim. Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri.” Dhe ndërsa bijtë e tij ishin gati për t’u nisur për udhë, Jakobi plak u çua, dhe duke ngritur duart drejt qiellit tha një lutje: “Perëndia i plotfuqishëm t’ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!” - Vargjet 11-14.PPAlb 155.1

    Përsëri ata morën rrugën për në Egjipt dhe u paraqitën përpara Jozefit. Ndërsa sytë i shkuan tek Benjamini, vëllai i vet si nga babai dhe nga nëna, Jozefi u prek jashtë mase. Megjithatë, ai bëri si bëri dhe i fshehu emocionet, por urdhëroi që ata të silleshin në pallatin e tij, dhe që të bëheshin përgatitjet e duhura që ata të drekonin bashkë me të. Pasi u thirrën që të shkonin tek pallati i kryeministrit, vëllezërit u alarmuan shumë sepse kishin frikë se do t’ju kërkohej llogari për paratë që gjetën në thasët me grurë. Ata menduan se ato mund të ishin vendosur aty me paramendim, në mënyrë që të justifikohej vendimi për t’i kthyer në skllevër. Të shqetësuar jashtë mase, ata ia qanë hallin kryeadministratorit të pallatit, duke i treguar për atë që i kishte ndodhur gjatë vizitës së tyrë të mëparshme në Egjipt; dhe për të provuar pafajësinë e tyre, ata e informuan se kishin sjellë me vete paratë që kishin gjetur në thasë, si dhe para të tjera për të blerë ushqim. Gjithashtu, ata shtuan, “ne nuk e dimë kush mund t’i ketë vënë paratë tona në trastat tona.” Por ai tha: ‘Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia i atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja’.” - Vargjet 22b-23.. Ata u çliruan nga ankthi dhe me lirimin e Simeonit nga burgu, ata ndjenë se Perëndia po tregohej me të vërtetë hirplotë ndaj tyre.PPAlb 155.2

    Kur kryeministri erdhi për t’i takuar, ata i paraqitën dhuratatat dhe me përunjësi “u përkulën para tij deri në tokë.”-Vargu 26. Jozefit i erdhën ndërmend edhe njëherë ëndrrat që kishte parë dhe pasi i përshëndeti të ftuarit, nxitoi t’i pyeste, “Babai juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Eshtë ende gjallë?” “Shërbëtori yt babai ynë është mirë me shëndet, është ende gjallë,” u përgjigjën vëllezërit sërish duke u përkukur. Pastaj sytë i shkuan përsëri tek Benjamini, dhe tha, “Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët? Dhe shtoi: Perëndia të ndihmoftë, biri im!” por i mallëngjyer tej mase nga ndjenjat e dhembshurisë, ai nuk mundi të fliste më. “Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.” - Vargjet 27-30.PPAlb 155.3

    Pasi e mori vetenm, Jozefi u kthye dhe të gjithë shkuan për të ngrënë. Në bazë të ligjeve ekzistuese, egjiptasve u ndalohej të hanin me njerëz të kombeve të tjera. Kështu, djemtë e Jakobit duhet të hanin në një tryzë më vete, ndërsa kryeministri, për shkak të rangut të lartë që kishte, hante më vete, ndërsa egjiptasit hanin në tryezat e tyre të veçanta. Kur u ulën për të ngrënë, vëllezërit u habitën shumë kur panë se karriget që u ishin caktuar ishin rreshtuar me saktësi të plotë sipas moshës së tyre. Jozefi “urdhëroi që t’u sillnin racione nga tryeza e vet; por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh nga ai i secilit prej tyre.” - Vargjet 31-34. Me anë të këtij nderi që i bëri Benjaminit, Jozefi shpresonte të merrte vesh nëse vëllai i tij i vogël do të shkaktonte zili e inat tek vëllezërit, ashtu siç këta të fundit ishin treguar ndaj tij. Duke kujtuar ende se Jozefi nuk e kuptonte gjuhën e tyre, vëllezërit flisnin lirisht me njëri tjetrin; dhe në këtë mënyrë Jozefi pati mundësinë të zbulonte mendimet e tyre. Megjithatë, ai vendosi t’i teston te edhe më tej, dhe përpara se të niseshin, ai dha urdhër që kupa e tij e argjendë (që e përdorte për të pirë) të fshihej s tek thesi i më të voglit (Benjaminit).PPAlb 155.4

    Vëllezërit u nisën me gëzim për rrugë. Simeoni dhe Benjamini ishin tashmë me ta, kafshët ishin ngopur me drithë, dhe të gjithë kujtonin se kishin kaluar të gjitha rreziqet që dukeshin sikur i kishin rrethuar. Por pa kaluar periferinë e qytetit ata u parakaluan nga kryeadministratori i kryeministrit, i cili dha urdhër që të kontrolloheshin. “Përse e shpërblyet të mirën me të keqe? A nuk është kjo kupa me të cilën pi zotëria im dhe që e përdor për të parathënë të ardhmen? Keni vepruar keq duke u sjellë kështu.” - Zanafilla 44:4, 5. Kjo kupë supozohej se zotëronte vetinë për të zbuluar substancat helmuese që mund të hidheshin brenda saj. Në ato kohëra, kupa të tilla ishin shumë të shtrenjta sepse përdorëshin si mbrojtje ndaj vrasjes me anë të helmimit.PPAlb 156.1

    Akuzave të kryeadministratorit, udhëtarët iu përgjigjën “Pse zotëria im na drejton fjalë si këto? Mos dhëntë Perëndia që shërbëtorët e tu ta bëjnë një gjë të tillë! Ja, pra, ne të kemi rikthyer nga vendi i Kanaanit paratë që kishim gjetur në grykën e trastave tona; si mund të vidhnim ne argjend ose flori nga shtëpia e zotërisë tënd? Ai prej shërbëtorëve të tu të cilit do t’i gjendet kupa, të dënohet me vdekje; [ndërsa] ne [tjerët] do të bëhemi skllevër të zotërisë tënd.” - Zanafilla 44: 7-9.PPAlb 156.2

    “Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju,” tha kryeadministratori; “ai të cilit do t’i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju [të tjerët] do të jeni të pafaj.” - Vargu 10.PPAlb 156.3

    Kontrolli filloi menjëherë. ” Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi. Dhe kryeadministratori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari, pra Rubeni, dhe duke mbaruar me më të riun; “dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.” - Vargjet 11-12.PPAlb 156.4

    Në atë çast, vëllezërit shqyen rrobat e tyre, si një simbol i pikëllimit të tyrë të tmerrshëm, dhe u kthyen tërë vrer për në qytet.Për shkak të premtimit që i kishin bërë babait, Benjaminin tashmë e priste një jetë në skllavëri. Ata e ndoqën kryeadministratorin deri në pallatin e kryeministrit, dhe pasi e gjetën këtë të fundit atje, u shtrinë përdhë përpara tij. “Çfarë është ky veprim që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjëndje të parathotë të ardhmen?” - Vargu 15. Jozefi kishte si qëllim të dëgjonte prej tyre një pranim të fajit që mund të kishin bërë [ndaj Benjaminit]. Ai nuk kishte pretenduar kurrë se kishte dhuntinë e parathënies së gjërave, por donte që vëllezërit e tij të besonin se ai mund të zbulonte sekretet e jetëve të tyre.PPAlb 156.5

    Juda u përgjigj, “Çfarë t’i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka gjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai tek i cili u gjet kupa.” - Vargu 16.PPAlb 156.6

    “Mos dhëntë Perëndia që unë ta bëj një gjë të tillë,” qe përgjigja; “por njeriu, tek i cili u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek babai juaj.” - Vargu 17.PPAlb 157.1

    I pllakosur nga pikëllimi dhe vreri, Juda iu afrua Jozefit dhe thirri me zë të lartë, “Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t’i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tend, sepse ti je si Faraoni.” - Vargu 18. Dhe me fjalë mjaft prekëse, Juda përshkroi hidhërimin e babait (Jakobit) kur humbi Jozefi, dhe insistimin e tij për të mos e lënë Benjaminin që të shkonte me ta në Egjipt, meqë ishte i vetmi djalë që i kishte ngeluar nga e njëjta nënë, Rakela, të cilën Jakobi e kishte dashur jashtëzakonisht shumë. “Kështu, pra, kur unë të shkoj tek shërbëtori yt, babai im, në qoftë se [Benjamini] nuk është me ne, sepse jeta e tij është e lidhur me atë të fëmijës, do të ndodhë që, sa të shohë që [Benjamini] nuk është me ne, ai ka për të vdekur; dhe shërbëtorët e tu do ta kenë kallur në varr pleqërinë e shërbëtorit tënd, të babait tonë. Tani, me qenë se shërbëtori yt është bërë dorëzanë për fëmijën pranë babait tim dhe i ka thënë: ‘Në rast se nuk do ta rikthej do të jem për gjithnjë fajtor ndaj babait tim,’ lejo, pra, tani që shërbëtori yt të mbetet skllav i zotërisë tim në vend të fëmijës, dhe që fëmija të kthehet me vëllezërit e tij. Sepse si mund të rikthehem tek ati im në qoftë se fëmija nuk është me mua? Ah, mos e pafsha dhembjen që do të pushtonte atin tim!” - Vargjet 30-34.PPAlb 157.2

    Jozefi u bind. Më në fund ai pa tek vëllezërit e tij frytet e një pendese të vërtetë. Pasi dëgjoi këtë ofertë kaq të fisme nga Juda, ai dha urdhër që të gjithë të pranishmit të largoheshin përveç njëmbëdhjetë vëllezërve; pastaj duke qarë me të madhe, ai thirri, “Unë jam Jozefi; a jeton ende babai im?” - Zanafilla 45:1-3. Vëllezërit e tij shtangën në vend, të përshkruar plotësisht nga frika dhe habia. Kryeministër i Egjiptit, vëllai i tyre Jozefi, atë që e kishin patur aq zili dhe donin ta vrisnin, dhe që përfundimisht e kishin shitur si skllav! I gjithë trajtimi i keq që i kishin bërë u shfaq para szve të tyre. Ata kujtuan se si i kishin përbuzur ëndrrat e tij dhe kishin bërë çmos që ato të mos realizoheshin kurrë. Megjithatë, ata kishin luajtur një rol të tyrin në përmbushjen e këtyre ëndrrave; dhe tashmë, kur ndodheshin plotësisht nën pushtetin e tij, ai, pa dyshim, kishte për t’u hakmarrë për të gjitha të këqijat që i kishin shkaktuar.PPAlb 157.3

    Duke parë se ata ishin ende të hutuar dhe të shtangur, Jozefi iu kthye me ngrohtësi dhe u tha: “Ejani këtu pranë meje, ju lutem;” - Zanafilla 45:4a. dhe ndërsa ata u afruan ai vazhdoi: “Unë jam Jozefi, vëllai juaj të cilin ju e shitët për [ta çuar] në Egjipt. Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu [në Egjipt], sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.” - Vargjet 4b, 5. Duke menduar se ata kishin vuajtur mjaftueshëm për mizorinë që kishin treguar ndaj tij, Jozefi u mundua me fisnikëri që të zhdukte frikën e tyre dhe ashpërsinë e vetëqortimit nga ana e tyre.PPAlb 157.4

    “Tashmë u bënë dy vjet,” vazhdoi ai, “që zija e bukës ka rënë në vend; dhe do të ketë edhe pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret. Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruajë për ju një trashëgimi mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën me anë të një çlirimi të madh. Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia; ai më caktoi si baba të Faraonit, si zotëri i krejt shtëpisë së tij dhe si sundues i tërë vendit të Egjiptit. Nxitoni të riktheheni tek ati im dhe i thoni: “Kështu thotë biri yt Jozefi: Perëndia më ka caktuar si zotëri të të gjithë Egjiptit; zbrit tek unë, mos u vono; ti do të banosh në vendin e Goshenit dhe do të jesh afër meje; ti dhe bijtë e tu, bijtë e bijve të tu, kopetë e bagëtive të imta e të trasha dhe gjithçka ti zotëron. Dhe atje unë do të të ushqej, sepse do të ketë edhe pesë vjet të tjera zije buke, me qëllim që ti të mos katandisesh në mjerim: ti, familja jote dhe gjithçka zotëron. Dhe ja, sytë tuaja dhe sytë e vëllait tim, Benjaminit, shohin që është goja ime [ajo] që po ju flet.” - Vargjet 6-12. “Pastaj iu hodh në qafë vëllait të tij Benjamin dhe qau, dhe Benjamini qau i shtrënguar në qafën e tij. I puthi gjithashtu tërë vëllezërit e tij dhe qau i shtrënguar me ta. Pastaj vëllezërit e tij filluan të flasin me të.” - Vargjet 14, 15. Ata i rrëfyen me përunjësi mëkatin dhe iu përgjëruan që ati t’i falte. Ata kishin vuajtuar tashmë për një kohë të gjatë nga ankthi dhe pendimi, dhe tani ishin shumë të ngazëllyer ngaqë ai ishte gjallë.PPAlb 157.5

    Lajmi rreth asaj që kishte ndodhur iu transmetua me shpejtësi faraonit, i cili, i gatshëm për të treguar mirënjohjen e tij ndaj Jozefit, konfirmoi ftesën e kryeministrit ndaj familjes së tij në Kanaan, duke thënë, “Të mirat e tërë tokës së Egjiptit janë tuajat.” - Vargu 20. Vëllezërit morën rrugën të furnizuar me ushqime të bollshme, me mjetet, karrocat dhe gjithçka tjetër që nevojitej për shpërnguljen e të gjithë familjes së Jakobit si dhe shërbëtorëve të tyre për në Egjipt. Për Benjaminin, Jozefi dha dhurata më të çmueshme sesa për të tjerët.Pastaj, duke iu druajtur mundësisë se mund të lindnin mosmarrëveshje ndërmjet tyre përgjatë udhëtimit për në shtëpi, ai i porositi, përpara se të niseshin, “Kini kujdes që të mos grindeni gjatë rrugës.”- Vargu 24.PPAlb 158.1

    Djemtë e Jakobit u kthyen tek babai i tyre me lajmë të mrekullueshme, “Jozefi është ende gjallë dhe është kryeministër (apo guvernator) mbi tërë tokën e Egjiptit.” - Vargu 26. Në fillim, Jakobi plak u trondit nga emocionet; ai nuk mund ta besonte dot atë që sapo kishte dëgjuar; por kur pa rradhën e stërgjatë me karvane dhe bagëti, dhe kur pa që dhe Benjamini ishte bashkë me ta, më në fund u bind, dhe në dhe me një gëzim të papërshkrueshëm ai thërriti, “Mjafton, Jozefi, biri im është ende gjallë; do të shkoj ta shoh përpara se të vdes.” - Vargu 28.PPAlb 158.2

    Vetëm një veprim tjetër i zorshëm dhe poshtërues kishte ngelur për dhjetë vëllezërit. Ata tani i rrëfyen babait mashtrimin dhe mizorinë që për kaq shumë vite kishte helmuar jetën e tij dhe të tyren. Jakobi as që e kishte çuar ndër mendje se djemtë e tij do të vepronin në një mënyrë kaq të pashebullt, por tashmë gjithçka ishte përmbysur njëherë e mirë, dhe ai i fali dhe i bekoi fëmijët e tij fajtorë.PPAlb 158.3

    Babai dhe djemtë e tij, me familjet e tyre, bagëtitë e tyre të holla e të trasha, si dhe shërbëtorët e tyre, pas pak ditësh morën rrugën për në Egjip. Ata e bënë këtë udhëtim me zemër të gëzuar, dhe kur mbërritën në Bershebë, patriarku ofroi një flijim mirënjohjeje dhe iu lut Zotit që t’i jepte atyre sigurinë se ai kishte për të shkuar bashkë me ta. Në një vegim gjatë natës, fjala hyjnore erdhi tek ai: “Mos ki frikë të zbresësh në Egjipt; sepse unë atje kam për të bërë prej teje një kob të madh. Unë do të zbres bashkë me ty në Egjipt dhe do të bëj që sigurisht të kthehesh, dhe Jozefi do të t’i mbyllë sytë.” - Zanafilla 46:3, 4. Sigurimi nga ana e Perëndisë, “Mos ki frikë të zbresësh në Egjipt; sepse unë atje kam për të bërë prej teje një kob të madh” ishte mjaft domethënës. Premtimi i ishte bërë së pari Abrahamit për një pasardhje të panumërueshme si yjet, por deri në atë kohë, populli i zgjedhur ishte rritur ngadalë në numër. Aq më tepër, toka e Kanaanit në ato kohë nuk ofronte një fushë për zhvillimin e një kombi të tillë siç ishte parathënë. Në atë kohë Kanaani ishte ende nën pronësinë e fiseve të fuqishme pagane, të cilat nuk do të shpronësoheshin deri në “brezin e katërt.”(- Zanafilla 15:16). Në qoftë se pasardhësit e Izraelit do të vinin këtu për t’u bërë një popull i madh në numër, atëherë atyre do t’ju duhej ose duhet të përzenin banuesit autoktonë, ose të shpërndaheshin mes tyre. Mundësinë e parë, në bazë të paktit hyjnor, ata nuk mund ta bënië; ndërsa po të përziheshin me Kannanitët, ata do të gjendeshin me siguri nën rrezikun e joshjes për të praktikuar idhujtarinë. Egjipti, nga ana tjetër, ofronte kushtet e domosdoshme për përmbushjen e planit dhe vullnetit hyjnor. Atyre iu caktua një krahinë e madhe e vendit e cila ishte pjellore dhe e pasur me ujë, gjëra të cilat krijonin të gjitha avantazhet për rritjen vizike të popullsisë së ardhdhme izraelite. Gjithashtu, antipatinë që do të ndeshnin në Egjipt për shkak të zanatit të tyre,—meqë të gjithë barinjtë ishin “të neveritshëm për egjiptasit”—do t’i mundësonte ata të jetonin si një popull i ndarë dhe i veçuar. Kjo do të shërbente më vonë për mbajtjen larg të popullit nga praktikat idhujtare aq të përhapura në Egjipt.PPAlb 158.4

    Pasi mbërritën në Egjipt, familjarët e Jozefit morrën menjëherë rrugën drejt vendit të Goshenit. Pikërisht atje erdhi dhe Jozefi me qerren e tij zyrtare dhe i shoqëruar nga një eskortë njësoj si një princ. Madhështia e atmosferës së krijuar rreth tij si dhe dinjiteti që i jepte pozita që mbante u harruan që të dyja prejt tij; vetëm një mendim i përshkonte mendjen, një ëndje i elekrizonte zemrën. Ndërsa pa që udhëtarët po afroheshin, dashuria, ndjenjat e së cilës ishin mbajtur të ndrydhura për vite të tëra, nuk mund të mbahej më nën kontroll. Jozefi u hodh nga qerrja dhe vrapoi me nxitim që t’i uronte mirëseardhjen babait. “...Sa e pa, iu hodh në qafë dhe qau gjatë i shtrënguar pas tij. Dhe Izraeli i tha Jozefit: ‘Tani le të vdes, sepse pashë fytyrën tënde dhe ti je akoma gjallë’.” - Zanafilla 46:29, 30.PPAlb 159.1

    Pastaj Jozefi mori me vete pesë nga vëllezërit e tij për t’i paraqitur tek faraoni me qëllim që të merrnin prej tij lejen zyrtare për tokën që do të ishte shtëpia e tyre në të ardhmen. Mirënjohja ndaj kryeministrit të tij do ta kishte shtyrë monarkun që t’i nderonte vëllezërit me poste të larta zyrtare; por Jozefi, duke i qëndruar besnik adhurimit të Jahve-it, Perëndisë së Izraelit, synoi që t’i shpëtonte vëllezërit nga tundimet ndaj të cilëve ata do të ekspozoheshin në një oborr mbreëror pagan; prandaj i këshilloi, pasi u pyetën nga faraoni, që t’i thonin troç se çfarë kishin ndërmend të bënin. Djemtë e Jakobit e ndoqën këshillën e Jozefit, duke mos lënë gjithashtu pa përmendur se ata kishin ardhur vetëm si udhëtarë në atë vend, pra jo të bëheshin banorë të përhershëm. Kështu ata rezervuan të drejtën që të largoheshin nga egjipti në momentin që do ta shikonin të volitshëm. Pas kësaj, faraoni u caktoi atyre një vendbanim, të ofruar në “pjesën më të mirë të tokës” (- Zanafilla 47:6), vendin e Goshenit.PPAlb 159.2

    Pas disa ditësh, Jozefi solli gjithashtu edhe babain, Jakobin (Izraelin) që të paraqitej përpara faraonit. Patriarku nuk i njihte oborret mbretërore; por përmes skenave sublime të natyrës, ai kishte kuvenduar me një Monark shumë më të fuqishëm; dhe tashme, me një superioritet të ndërgjegjshëm, ai ngriti duart dhe e bekoi faraonin.PPAlb 159.3

    Në urimin e tij të parë për faraonin, Jakobi kishte folur duke lënë përshtypjen se, me këtë fund të gëzueshëm të ankthit dhe vuajtjes së gjatë që kishte përjetuar, tashmë ishte gati të vdiste. Por atij do t’i dhuroheshin edhe plot shtatëmbëdhjetë vjet që t’i jetonte në shtëpinë e paqme në Goshen. Këto vite do të vijonin në kontrast të madh me ato paraardhës. Ai pa tek djemtë e tij shenja të një pendimi të vërtetë; ai e pa familjen e tij të madhe të pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme për krijimin e një kombi të madh; dhe besimi i tij u kap pas premtimit të sigurt se në të ardhmen do të riktheheshin në Kanaan. Ai vetë u mbulua me të gjitha dhuratat e nderet e mundshme që Jozefi, kryeministri i vendit i dhuroi plot dashuri; dhe i lumtur se gjendej në shoqërinë e birit të tij të dashur, ai shkoi paqësisht dhe pa dhimbje për në varr.PPAlb 160.1

    Kur e ndjeu se do të vdiste, ai thërriti që të vinte Jozefi. Duke u mbajtur ende fort pas premtimit të Perëndisë përsa i përket zotërimit të Kanaanit, ai tha: “... të lutem,PPAlb 160.2

    mos më varros në Egjipt! Por kur do të pushoj me etërit e mi, më nxirr jashtë Egjiptit dhe më varros në varrin e tyre!” - Zanafilla 47, 29, 30. Jozefi i dha fjalën se kështu do të bënte, por Jakobi nuk u kënaq me kaq; ai kërkoi një bekim solemn që ai të varrosej pranë etërve të tij në shpellën e Makpelahut.PPAlb 160.3

    Një tjetër çështjeje të rëndësishme i duhej dhënë një rrugëzgjidhje; djemtë e Jozefit do të caktoheshin formalisht me status mes fëmijëve të Izraelit. Kështu, Jozefi, pas bisedës së fundit me babain, solli me vete Efraimin dhe Manasehun. children of Israel. Joseph, coming for a last intervieë ëith his father, brought ëith him Ephraim and Manasseh. Këta të rinj ishin lidhur, nëpërmjet nënës së tyre, me urdhrin më të lartë të priftërisë egjiptiane; dhe pozita e lartë e babait do t’i ksihte hapur atyre rrugë të shumta pasurimi e nderesh, në rast se do të vendosnin që të lidheshin me egjiptasit. Por dëshira e Jozefit ishte që ata të bashkoheshin me popullin e tyre. Ai tregoi besimin që kishte tek premtimi i besëlidhjes, duke hequr dorë në emër të tyre nga të gjitha nderet që oborri mbretëror egjiptian u kishte dhënë atyre dhe duke pranuar një vend mes fiseve të përbuzur të barinjve, tek të cilët ishin mirëbesuar orakujt e Perëndisë.PPAlb 160.4

    Jakobi tha, “Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni.” - Zanafilla 48:5. Ata do të adoptoheshin nga Jakobi si te tijët, dhe kështu do të bëheshin krerë të dy fiseve të veçanta. Kështu, njëri nga privilegjet e të drejtës së parëbirnisë të cilën Rubeni e kishte humbur, do të binte mbi Jozefin—një porcion i dyfishte në Izrael.PPAlb 160.5

    Sytë e Jakobit ishin venitur nga mosha e thyer, dhe ai nuk kishte qenë në dijeni te pranisë së dy djemve; por tashmë, duke i prekur në fytyrë, pyeti, “Kush janë këta?” (- Zanafilla 48:8). Pasi iu komunikua se cilët ishin, jakobi shtoi, “M’i sill këtu afër, të lutem, dhe unë do t’i bekoj” (- Vargu 9). Pasi u afruan, patriarku i përqafoi dhe i puthi, duke vendosur solemnisht duart mbi kokat e tyre për një bekim të veçantë. Pastaj ai tha një lutje, “Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot, Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, i bekoftë këta fëmijë!” - Vargjet 15, 16. Nuk ishte më ndonjë frymë vetë-mbështetjeje, tashmë nuk kishte më mbështetje tek fuqia apo dredhia njerëzore. Perëndia kishte qenë ruajtësi dhe mbështetja e tij gjatë gjithë kohës. Nuk kishte më ankime për ditët e liga të së kaluarës. Sherret dhe vuajtjet e kësaj të fundit nuk konsideroheshin më si gjëra që ishin “kundër” tij. Kujtesa kujtonte vetëm mëshirën , dashurinë dhe zemërgjerësinë e Perëndisë që e kishin shoqëruar Jakobin përgjatë tërë pelegrinazhit të tij.PPAlb 160.6

    Pasi mbaroi bekimi, Jakobi e siguroi të birin edhe njëherë për hir të brezave të ardhshëm që do të përjetonin vite të tëra skllavërie dhe vuajtjesh, duke lënë kështu këtë dëshmi të besimit të tij: “Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t’ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj.” - Vargu 21. Për herë të fundit, të gjithë djemtë e Jakobit u mblodhën përreth shtratit të tij të vdekjes. Dhe Jakobi i thirri bijtë dhe tha: ‘‘Mblidhuni së bashku, dhe dëgjoni, ju djem të Jakobit; dhe dëgjoni Izraelin, babain tuaj,” Mblidhuni që unë t’ju njoftoj çfarë do t’ju ndodhë në ditët e ardhshme.” - Zanafilla 49:2, 1. Ai kishte menduar shpesh dhe me ankth për të ardhmen e tyre , dhe ishte përpjekur që të paraqiste për vete historinë e fiseve të ndryshme. Tani, ndërsa fëmijët e tij pritnin të merrnin bekimin e fundit prej tij, Fryma hyjnore e Frymëzimit, u preh mbi të, dhe përpara tij, në një vegim profetik, u shfaq e ardhmja e pasardhësve të tij. Njëri pas tjetrit u përmendën të gjithë emrat e bijve të tij, u përshkrua karakteri i secilit prej tyre , si dhe u parashikua shkurtimisht historia e ardhshme e fiseve që ata do të përfaqësonin.PPAlb 161.1

    “Ruben, ti je i parëlinduri im,
    Forca ime, dhe filli i fuqisë sime,
    I dalluar për dinjitet dhe i dalluar për forcë.” (- Zanafilla 49:3)
    PPAlb 161.2

    Kështu babai shpalosi pozitën që Rubeni do të kishte patur; por mëkati i tij i tij tepër i rëndë në Edar e kishte bërë të padenjë që të merrte bekimin e parëbirninsë. Jakobi vazhdoi—PPAlb 161.3

    “I rrëmbyer si uji,
    Ti nuk do të shkëlqesh” (- Vargu 4).
    PPAlb 161.4

    Priftëria iu caktua Levit, mbertëria dhe premtimi Mesianik Judës, dhe porcioni i dyfishtë i trashëgimisë Jozefit. Kështu, fisi i Rubenit nuk u ngrit asnjëherë në krye të Izraelit, nuk ishte asnjëherë më i madh në numër se Juda, Jozefi apo Dani, dhe ishte ndër të parët që u morr në skllavëri.PPAlb 161.5

    Sipas moshës, pas Rubenit vinin Simeoni dhe Levi. Ata kishin vepruar të bashkuar në mozorinë që kishin kryer ndaj Shekemitëve, si dhe ata të dy kishin qenë më fajtorët për shitjen e Jozefit si skllav. Përsa i përket atyre u shpall—PPAlb 161.6

    “Unë do t’i ndaj ata tek Jakobi,
    Dhe do t’i shpërndaj nëpër Izrael.” (- Vargu 7).
    PPAlb 161.7

    Kur Izraeli u numërua pikërisht përpara hyrjes në tokën e Kanaanit, Simeoni ishte fisi më i vogël. Nga ana tjetër, Moisiu, në bekimin e tij të fundit, nuk iu referuar fare Simeonit. Në vendbanimin e Kanaanit ky fis kishte vetëm një porcion të vogël të Judës, dhe familjet e këtij fisi të cilat u fuqizuan më vonë, u shpërngulën jashtë teërritorit të Tokës së Shenjtë, duke formuar një numër kolonish të ndryshme. Kurse Levi nuk mori asnjë trashëgimi përveç dyzet e tetë qyteteve të shpërndarë në pjesë të ndryshme të territorit. Megjithatë, për sa i përket këtij fisi, duhet thënë se besnikëria e tyre ndaj Jahve-it, Perëndisë së Izraelit, ndërkohë që fiset e tjera kryen apostazi me idhujtarinë e tyre, i siguroi atyre caktimin për të kryer shërbimin e shenjtë të shenjtores, dhe në këtë mënyrë, mallkimi u shndërrua në bekim.PPAlb 161.8

    Bekimet kurorëzuese të të drejtës së parëbirnisë iu transferuan Judës. Domethënia e emrit të tij—që nënkupton lavdërim-,—shpaloset në historinë profetike të këtij fisi:PPAlb 162.1

    “Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë;
    Dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu;
    Bijtë e atit tënd do të përkulen para teje.
    Juda është një luan i ri;
    Ti zë fill nga preja, biri im;
    Ai përkulet, struket si një luan,
    Dhe si një luan plak; kush do të guxojë ta zgjojë?
    Skeptri nuk do t’i hiqet Judës,
    As bastuni i komandimit nga këmbët e tij,
    Deri sa të vijë Shilohu;
    dhe për tek Ai do të mblidhen popujt.” (- Vargjet 8-11).
    PPAlb 162.2

    Luani, mbreti i kafshëve të pyllit, është një simbol mjaft i denjë për këtë fis, prej të cilit do të vinte Davidi, dhe Biri i Davidit, Shilohu, i vërtetëi “Luan i fisit të Judës,” (- Zbulesa 5:5) ndaj të cilit në fund të gjitha pushtetet do të përkulen dhe të gjithë kombet do të thurrin lavde.PPAlb 162.3

    Për shumicën e fëmijëve, Jakobi parashikoi një të ardhme të begatë. Më në fund i erdhi rradha emrit të Jozefit, dhe zemra e babait u mallëngjye ndërsa shpalli bekimet mbi “kokën e atij që ishte ndarë nga vëllezërit” (- Zanafilla 49:26): “Jozefi është një degë e një druri frytdhënës;PPAlb 162.4

    Një degë e një druri frytdhënës që ndodhet pranë një pusi;
    Degët e të cilit shtrihen përmbi mur:
    Harkëtarët e kanë hidhëruar rëndë,
    Ata i kanë hedhur shigjeta, e kanë urryer;
    Por harku i tij ka mbetur i fortë;
    Krahët e tij janë përforcuar
    Nga duart e të Fuqishmit Perëndi të Jakobit
    (Të atij që është bariu dhe shkëmbi i Izraelit;)
    Nga Perëndia i atit tënd që do të të ndihmojë
    Dhe nga I Plotfuqishmi që do të të bekojë
    Me bekimet e qiellit nga lart,
    Me bekimet e humnerës që ndodhet poshtë,
    Me bekimet e gjirit dhe barkut të nënës.
    Bekimet e atit tënd kanë triumfuar
    Mbi ato bekime të paraardhësve të mi
    Deri në caqet më të larta të kodrave të përjetshme.
    Ato do të jenë mbi kryet e Jozefit
    Dhe mbi kurorën e atij që u nda nga vëllezërit e tij.” (- Vargjet 22-26).
    PPAlb 162.5

    Jakobi kishte qenë gjithmonë një njeri me ndjenja të forta dhe pasionante; dashuria e tij për fëmijët ishte e fortë dhe e dhembshme. Dëshmia që bëri në shtratin e vdekjes ndaj tyre nuk ishte aspak një shprehje e njëanëshmërisë apo mërisë. Ai i kishte falur të gjithë, dhe i deshi deri në fund të jetës. Dhembshuria e tij prej babai do të ishte shprehur vetëm me fjalë inkurajimi dhe shprese; por fuqia e Perëndisë u preh mbi të, dhe nën ndikimin e Frymëzimit hyjnor (të Frymës së Shenjtë) ai u detyrua të shpallte të vërtetën, sado e dhimbshme të ishte ajo.PPAlb 162.6

    Pasi u shpallën bekimet e fundit, Jakobi përsëriti edhe njëherë porosinë në lidhje me vendvarrosjen e tij: “Unë jam duke u ribashkuar me të parët e mi; më varrosni pranë etërve të mi në shpellën që ndodhet në arën e Efron Hiteut, në shpellën që është në fushën e Makpelahut përballë Mamres, në vendin e Kanaanit, atë që Abrahami bleu në arën nga Efron Hiteu, si vendvarrim, pronë e tij. Atje u varrosën Abrahami dhe Sara, gruaja e tij, aty u varrosën Isaku dhe Rebeka, e shoqja, dhe aty unë varrosa Lean.” Kështu, vepra e fundit e jetës së tij ishte pikërisht manifestimi i besimit që Jakobi kishte tek premtimi i Perëndisë.PPAlb 163.1

    Vitet e fundit të Jakobit i ngjanin një mbrëmjeje të qetë e të rehatshme pas një dite plot mundje e lodhje. Retë ishin grumbulluar shpesh përgjatë rrugës që kishte ndjekur në jetë, por perëndimi i diellit ishte mëse i pastër ndërsa shkëlqimi i qiellit i ndriçonte orët e fundit të jetës. Shkrimi i Shenjtë thotë “aty nga mbrëmja do të ketë dritë.” - Zekaria 14:7. “Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe kqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.”- Psalmi 37:37.PPAlb 163.2

    Jakobi kishte mëkatuar, dhe kishte vuajtur jashtë mase. Ai kishte kaluar vite të tëra plot mundime brenga e vuajtje që prej dites kur mëkati i tij i rëndë e kisthe detyruar të largohej nga tendat e babait. Një bredharak i pastrehë, i ndarë nga nëna e vet, të cilën nuk e pa më kurrë; do të punonte shtatë vjet për atë që dashuronte por do të mashtrohej keqazi; do të rropatej njëzet vjet dukë i shërbyer të vjehrrit të tij të pangopur e ziliqar; do të shihte pasurinë e tij në rritje, dhe bijtë duke u rritur pranë tij, por do të gjente shumë pak gëzim në atë shtëpi të përçarë e plot sherre; do të trishtohej nga faji i rëndë dhe turpi që i kishte shkaktuar e bija, si edhe nga hakmarrja e dy vëllezërve të saj; i hidhëruar nga vdekja e Rakelës, nga krimi monstruoz i Rubenit, nga mëkati i Judës, nga mashtrimi dhe ligësia mizore që u ushtrua ndaj Jozefit—sa i gjatë dhe i zi është ky katalog i të këqijave i hapur për ta shikuar të gjithë! Në mënyrë të vazhdueshme Jakobi kishte korrur frutin e asaj vepre të parë të gabuar. Në mënyrë të vazhdueshme ai pa mëkatet për të cilat kishte qenë vetë fajtor të përsëriteshin tek bijtë e tij. Por edhe pse qortimi kishte qenë i rreptë, ia doli mbanë duke e bërë punën e vet. Disiplinimi, edhe pse i rëndë, kishte çelur “frutin e paqtë të virtytshmërisë” - Hebrenjve 12:11.PPAlb 163.3

    Shkrimet e Shenjta kanë dokumentuar me besnikëri dhe sinqeritet fajet e njerëzve të mirë, pra edhe të atyre që u dalluan e u nderuan nga Perëndia; në të vërtetë fajet e tyre janë paraqitur më gjerësisht sesa virtytet e tyre. Kjo ka qenë një temë që ka çuditur jo pak, dhe mjerisht u ka dhënë mundësi ateistëve që ta tallin Biblën. Por në të vërtetë ky fakt ështe një nga evidencat më të fuqishme të vërtetësisë së Shkrimeve të Shenjta, pra që faktet nuk janë zbukuruar apo lyer me llak, dhe që në të njëjtën kohë mëkatet e personazheve kryesorë nuk janë zvogëluar aspak. Mendjet e njerëzve fatkeqësisht varen nga paragjykimet dhe kjo e bën të pamundur tregimin e historive njerëzore duke qenë plotësisht i paanëshëm. Duhet thënë se në rast se Bibla do të ishte shkruar nga persona të pafrymëzuar, ajo padyshim që do të kishte paraqitur karakterin e personazheve të saj nën një dritë shhumë më rozë e kandisëse. Por duke mos qenë e tillë, kemi mundësinë të gjejmë në të (Bibël) një dokumentim të saktë e korrekt të përvojave të këtyre personazheve.PPAlb 163.4

    Njerëzit u favorizuar nga Perëndia apo ata që Ai ngarkoi me përgjegjësi të mëdha, herë pas here u mposhtën nga tundimi dhe kryen mëkate, ashtu si edhe ne në ditët e sotme, përpiqemi, lëkundemi, dhe shpesh biem në faj. Jetët e personazheve biblike, me gjithë gabimet e marrëzitë e tyre, janë të hapura përpara syve tanë, për të na inkurajuar por edhë për të na paralajmëruar. Po të ishin paraqitur si të përsosura e pa asnjë faj, ne, me natyrën tonë mëkatare do të dëshpëroheshim tej mase për shkak të gabimeve e dështimeve tona. Por duke parë se ku të tjerët u ndeshën me dekurajime të ngjashme me tonat, ku ranë nën tundime të ngjashme me ato që biem vetë, dhe për më tepër kur shohim se ata morën zemër sërish dhe korrën fitore nëpërmjet hirit të Perëndisë, ne inkurajohemi në përpjekjet tona drejt virtytshmërisë. Ashtu si ata, që ndonëse shpeshherë mundeshin, u ngritën dhe e morën situatën në dorë, dhe u bekuan nga Perëndia, ashtu edhe ne mund të bëhemi fitimtarë duke u mbështetur në forcën e Jezusit. Nga ana tjetër, dokumentimi i jetëve të këtyre përsonazheve mund të shërbejë mjaft mirë si një paralajmërim për ne. Tregon mbi të gjitha se Perëndia nuk e toleron aspak fajin. Ai e shikon makatin edhe tek më të favorizuarit, dhe e proçedon fajet apo mëkatet tek ta edhe më rreptësisht sesa tek ata që zotërojnë më pak dritë dhe përgjegjësi.PPAlb 164.1

    Pas varrimit të Jakobit frika mbushi sërish zemrat e vëllezërve të Jozefit. Pavarësisht mirësisë që ai kishte treguar ndaj tyre, faji i ndërgjegjshëm i bëri ata dyshues dhe mosbesues. Ndoshta, mendonin ata, ka mundësi që Jozefi thjesht e ka vonuar hakmarrjen e tij daj nesh për hatër të babait, dhe ka të na dhënë tani ndëshkimin e merituar për krimin tonë. Kështu, ata nuk guxuan të shfaqeshin përpara tij në person, por dërguan një mesazh: “Babai yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë: ‘Kështu do t’i thoni Jozefit: Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq. Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd?.”‘ - Zanafilla 50:16, 17a. Ky mesazh shkaktoi lot në sytë e Jozefit, dhe të inkurajuar nga ky fakt, vëllezërit e tij erdhën dhe ranë përmbys përpara tij, me fjalët, “Ja, ne jemi shërbëtorët e tu.” (- Zanafilla 50:18). Por dashuria e Jozefit për vëllezërit ishte e thellë dhe sinqertë, dhe ai u lëndua nga mendimi se ata mund ta konsideronin si dikush që kishte përbrenda një frymë hakmarrjeje ndaj tyre. “Mos kini frikë,” u tha atyre; “mos jam unë në vend të Perëndisë?. Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbajë gjallë një popull të shumtë (në numër). Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për fëmijët tuaj.” - Vargjet 19-21.PPAlb 164.2

    Jeta e Jozefit ilustron ose më saktë, simbolizon atë të Krishtit. Ishte zilia ajo që i shtyu vëllezërit e Jozefit që ta shitnin atë për skllav; duke bërë këtë ata shpresonin që ta pengonin vëllain që të bëhej më i madh se ta. Dhe pasi e hoqën qafe duke e çuar në Egjipt, ata u ngazëllyen përbrenda se nuk kishin për t’u bezdisur më nga ëndrrat e tij, se me anë të veprimit të tyre ata kishin eliminuar çdo mundësi përmbushjeje të këtyre ëndrrave. Por rruga e tyre e keqe u bllokua nga Perëndia kur ky i fundit mundësoi që të ndodhte pikërisht ajo gjë që ata ishin përpjekur aq shumë që ta parandalonin. Në të njëjtën mënyrë, priftërinjtë dhe paria çifute kishin xhelozi ndaj Krishtit, ngaqë druheshin se ai do t’u vidhte popullaritetin. Kështu, ata e çuan drejt vdekjes, me qëllim që ta pengonin që të bëhej mbret, por pikërisht duke vepruar në atë mënyrë ata kontribuan pikërisht në bërjen e tij Mbret.PPAlb 164.3

    Jozefi, nëpërmjet skllavërimit dhe burgosjes së tij në Egjipt, u bë shpëtimtar të familjes së babait të tij; megjithatë ky fakt nuk e pakësoi aspak fajin e vëllezërve të vet. Në paralelizëm me këtë, kryqëzimi i Krishtit nga armiqtë e Tij e bëri Atë Shpenguesin e mbarë njerëzimit, Shpëtimtarin e racës njerëzore të rënë në mëkat; por krimi i vrasësve të Tij ishte aq i kobshëm a thua se dora e Perëndisë nuk i kishte patur nën kontroll rrethanat për lavdinë e Tij por edhe për të mirën e njeriut.PPAlb 165.1

    Ashtu si Jozefi u shit tek paganët nga vëllezërit e vet, në të njëjtën mënyrë u shit edhe Krishti tek armiqtë e tij më të betuar nga njëri prej dishepujve të vet. Jozefi u akuzua padrejtësisht dhe u rras në burg për shkak të virtytshmërisë së tij; në mënyrë të ngjashme Krishti u përbuz dhe u refuzua për shkak se jeta e tij e virtytshme dhe vetëmohuese shërbeu si një qortim i ashpër ndaj mëkatit; dhe ndonëse krejtësisht i pafajshëm, ai u akuzua në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të rremë. Gjithashtu, durueshmëria dhe përunjësia që tregoi Jozefi ndërsa mbi të ushtroheshin padrejtësi dhe shtypje, zemërgjerësia e tij fisnike si dhe aftësia e admirueshme për të falur vëllezërit e tij fajtorë, përfaqësojnë ose simbolizojnë durueshmërinë pa ankesa të Krishtit, Shpëtimtarit tonë, durimin përpara ligësisë dhe abuzimit që treguan ndaj tij njerëzit e këqinj, si dhe gatishmërinë e tij të pabesueshme për të falur, jo vetëm ata që e vranë, por gjithashtu të gjithë ata që kanë ardhur dhe vijnë tek Ai për rrëfyer mëkatet e tyre dhe për të kërkuar falje.PPAlb 165.2

    Jozefi jetoi edhe pesëdhjetëekatër vjet të tjera pas vdekjes së babait të tij Jakobit. Ai jetoi dhe pa “bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij.” - Vargu 23. Ai u bë dëshmitar i shtimit në numër dhe begatisë që populli i tij gëzoi për shumë kohë, dhe përgjatë këtyre viteve besimi i tij se Perëndia do ta rikthente Izraelin në Tokën e Premtimit nuk u lëkund kurrë.PPAlb 165.3

    Kur më në fund e ndieu se po i afrohej fundit të jetës, Jozefi thirri të gjithë të afërmit që të mblidheshin rreth tij. Ndonëse ai kishte qenë për dekada jashtëzakonisht i nderuar në tokën e faraonëve, Egjipti për të mbetej gjithmonë një dhé i huaj; Vepra e tij i fundit do të simbolizonte se jeta e tij ishte e pandarë nga Izraeli. Fjalët e tij të fundit qenë: “Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.” - Vargu 24. Dhe pastaj i vuri fëmijët e Izraelit që të betoheshin solemnisht përpara tij që një ditë ata do t’i merrnin me vete eshtrat e tij dhe do t’i varrosnin në tokën e Kanaanit (- Vargu 25). “Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt.” - Vargu 26. Dhe përgjatë shekujve të mundishëm që do të pasonin për pasardhësit e Izraelit, arkivoli i Jozefit do t’i rikujtonte atyre fjalët e fundit të tij, duke dëshmuar në këtë mënyrë para të gjithëve se ata ishin thjesht shtegtarë në Egjipt, dhe duke i inkurajuar që t’i mbanin shpresat të gjalla për Tokën e Premtimit, sepse koha e çlirimit, me siguri, nuk do të vononte.PPAlb 165.4

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents