Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
PATRIARKË DHE PROFETË - Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    32—“LIGJI DHE BESËLIDHJET”

    *****

    Që kur u krijuan, Adami dhe Eva kishin një njohuri të ligjit të Perëndisë; ata u njohën me kriteret që duhet të zbatonin; parimet e ligjit ishin të shkruara në zemrat e tyre. Kur njeriu ra në mëkat si pasojë e shkeljes që bëri, ligji nuk u ndryshua, por u krijua një sistem shërues që ta risillte njeriun tek bindja. U dha premtimi i një Shpëtimtari, si dhe u caktuan oferta flijuese për të sinjalizuar vdekjen e Krishtit e cila do të ishte flijimi sublim për mëkatin. Por në rast se ligji i Perëndisë nuk do të ishte shkelur, nuk do të kishte patur kurrë vdekje dhe nevojë për një Shpëtimtar; rrjedhimisht nuk do të kishte patur asnjë nevojë për flijime.PPAlb 275.1

    Adami ua mësoi ligjin e Perëndisë pasardhësve të tij. Mësimi i ligjit vazhdoi brez pas brezi nga i ati tek i biri. Por pavarësisht nga oferta hirplotë që Perëndia bëri për shpëtimin e njeriut, shumë pak veta e pranuan dhe u zotuan që t’i bindeshin ligjit. Nga njëra shkelje në tjetrën, bota degjeneroi në një çthurrje aq ekstreme saqë u bë e domosdoshme që të pastrohej nga fëlliqësia nëpërmjet Përmbytjes (së kohës së Noeut). Ligji u ruajt nga Noeu dhe familjarët e tij dhe kështu, Noeu u mësoi pasardhësve Dhjetë Urdhërimet. Ndërsa njerëzimi filloi të largohej sërish nga rruga e Zotit, Perëndia zgjodhi Abrahamin për të cilin Ai deklaroi: “Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia.” - Zanafilla 26:5. Abrahamit iu porosit riti i rrethprerjes (synetit), i cili ishte një shenjë se të gjithë ata që rrethpreheshin do t’i përkushtoheshin shërbimit të Perëndisë. Për më tepër, simboli i rrethprerjes ishte edhe një betim se Abrahami dhe pasardhësit e tij do të qëndronin larg idhujtarisë, si dhe do t’i bindeshin ligjit të Perëndisë. Dështimi nga ana e tyre për t’iu përmbajtur këtij betimi, i cili duket qartë nga preferencat e tyre për të lidhur aleanca me paganët dhe për të adoptuar praktikat e tyre idhujtare, ishte shkaku i mërgimit dhe i robërisë së tyre në Egjipt. Por në shkëmbimet e tyre me idhujtarët, si dhe në nënështrimin me forcë të tyre ndaj egjiptasve, parimet hyjnore u korruptuan dhe u fëlliqën edhe më tej, si pasojë e mësimeve të turpshme e të kobshme të paganizmit. Për këtë arsye, kur Zoti i nxorri izraelitët nga Egjipti, Ai zbriti mbi majën e malit Sinai, i mbuluar me lavdi dhe i rrethuar nga engjëjt e shenjtë, dhe me një madhështi drithëruese shpalli ligjin e Tij që ta dëgjonte i gjithë populli.PPAlb 275.2

    As atëherë Perëndia nuk pati besim se parimet e ligjit të Tij do të ruheshin në kujtesën e popullit, sepse e dinte mjaft mirë se populli kishte tendencën t’i harronte kriteret hyjnore. Prandaj Perëndia i shkruajti Dhjetë Urdhërimet me dorën e Tij në pllakat prej guri. Zoti dëshironte që Izraeli të mos kishte asnjë mundësi që të përzinte parimet e shenjta të Tij me traditat e fëlliqura pagane. Gjithashtu, Ai donte që kriteret e Tij të mos ngatërroheshin me praktika apo zakonet njerëzore. Por nga ana tjetër, Perëndia nuk u ndal vetëm me shpalljen e parimeve të Dhjetë Urdhërimeve (Dekalogut). Meqënëse populli e kishte treguar në mënyrë të përsëritur se sa lehtësisht merrte rrugën e gabuar, Perëndia dëshironte të sigurohej që të gjitha portat e tundimit të ishin të mbyllura e të ruajtura mirë. Kështu, Perëndia kërkoi prej Moisiut që të shkruante gjykimet dhe legjislacionet, të cilat përmbanin udhëzime që përcaktonin në detaj se çfarë kërkohej prej popullit. Këto udhëzime, të cilat bënin fjalë për detyrimet që izraelitët kishte ndaj Perëndiaë, ndaj njëri-tjetrit, si dhe ndaj të huajve, ishin asgjë më tepër se shtjellime të detajuara të parimeve që vinin nga Dhjetë Urdhërimet. Ato u shkruajtën dhe u shpallën në mënyrë specifike për t’i bërë sa më të kuptueshme për populli dhe që askush të mos gabonte. Për më tepër, ato synonin që të ruanin shenjtërinë e dhjetë parimeve të shenjta të gdhendura në dy pllakat e gurta.PPAlb 275.3

    Në qoftë se njerëzimi do ta kishte zbatuar ligjin e Perëndisë, siç iu dha Adamit pas Rënies në mëkat, siç u ruajt nga Noeu, dhe mbajtur nga Abrahami, urdhëri për rrethprerjen nuk do të ishte aspak i domosdoshëm. Gjithashtu, në qoftë se pasardhësit e Abrahamit do ta kishin mbajtur besëlidhjen, shenjtë e së cilës ishte rrethprerja, ata nuk do ishin joshur kurrë për t’u përfshirë në idhujtari, si dhe nuk do të kishte qenë aspak e domosdoshme që të vuanin për një kohë të gjatë robërinë në Egjipt; ata do të kishin mbajtur ligjin e Perëndisë në mendje, dhe nuk do të kishte patur nevojë që ligji të shpallej në malin Sinai apo që të gdhendej në pllakat prej guri. Së fundmi, në rast se populli do t’i kishte vënë në jetë parimet e Dhjetë Urdhërimeve, nuk do të kishte qenë aspak nevoja që Moisiut t’u jepeshin udhëzimet shtesë të detajuara.PPAlb 276.1

    Edhe sistemi i flijimit që iu la amanet Adamit u fëlliq dhe u korruptua nga pasardhësit e tij. Supersticioni (bestytnitë), idhujtaria, dhuna dhe imoraliteti i theksuar e çthurrën atë shërbesë të thjeshtë dhe domethënëse që kishte caktuar Perëndia. Për shkak të shkëmbimeve të shumta që populli i Izraelit pati për një kohë të gjatë me idhujtarët, shumë zakone pagane u përzien me adhurimin e Perëndisë; për këtë arsye Zoti në malin Sinai u dha atyre udhëzime të detajuara lidhur me shërbesën e flijimit. Pas përfundimit të tabernakullit, Zoti komunikoi me Moisiun nga reja e lavdisë mbi pajtuesin e artë, si dhe i dha atij udhëzime të plota për sa i përket sistemit të ofertave dhe formave të adhurimit që duheshin respektuar në shenjtërore. Ligji ceremonial iu dha pra Moisiut, i cili e shkroi atë në një libër. Ndërsa ligji i Dhjetë Urdhërimeve që u shpall në malin Sinai ishte shkruar nga Vetë Perëndia në pllakat e gurta, ndaj edhe u ruajt shenjtërisht brenda në arkë (në Vendin Më të Shenjtë).PPAlb 276.2

    Ka disa që përpiqen t’i ngatërrojnë këto dy sisteme, duke përdorur ato tekste që flasin për ligjin ceremonial për të vërtetuar se gjoja ligji moral (i përkufizuar me Dhjetë Urdhërimet) është shfuqizuar; por kjo nuk është asgjë tjetër përveçse një shtrembërim serioz i Shkrimeve të shenjta. Dallimi mes dy sistemeve është më se i qartë. Sistemi ceremonial përbëhej nga simbole të cilat tregonin rrugën për tek Krishti, flijimi i Tij si dhe funksioni i Tij si Kryeprift. Ky legjislacion ritual, përfshirë flijimet dhe rregulloret e ndryshme, duhej që të zbatohej nga hebrenjtë deri atëherë kur simbolika të përmbushej në realitet, pra, me vdekjen e Krishtit, Qengjit të Perëndisë që merr me vete mëkatin e botës (shih - Gjoni 1:29). Pikërisht në këtë moment duhet të ndalnin të gjitha ofertat e flijimit. Është pikërisht ky sistem legjislativ të cilin Krishti “e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq.” - Kolosianëve 2:14. Por përsa i përket Dhjetë Urdhërimeve, psalmisti deklaron, “Përgjithmonë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.” - Psalmi 119:89. Ndërsa Vetë Krishti thotë, “Mos mendoni se Unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; Unë nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i plotësuar. Sepse në të vërtetë ju them:” —vini re theksimin që i bëhet kësaj të vërtete— “Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.” - Mateu 5:17, 18. Këtu Krishti shpjegon, jo vetëm se cilat kishin qenë kritere e ligjit të Perëndisë, por se këto kritere do të vazhdojnë të jenë të vlefshme për aq kohë sa do të mbetet vetë toka dhe qiejtë. Ligji i Perëndisë është po as i pandryshueshëm sa froni i Perëndisë. Kriteret e tij duhet të zbatohen nga njerëzimi në çdo kohë e epokë.PPAlb 276.3

    Përsa i përket ligjit që u shpall në malin Sinai (pra, Dhjetë Urdhërimet), Porfeti Nehemia thotë, “Ti zbrite gjithashtu mbi malin Sinai, u fole nga qielli dhe u dhe dekrete të drejta dhe ligje të së vërtetës, statute dhe urdhërime të mira.” - Nehemia 9:13. Ndërsa Pali, “apostulli për johebrenjtë,” deklaron, “Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.” - Romakët 7:12. Urdhërimi për të cilin bën fjalë ky farg nuk mund të jetë tjetër përveçse urdhërimit që gjendet tek Dhjetë Urdhërimet (- Eksodi 20); specifikisht është Urdhërimi i Dhjetë që thotë, “mos lakmo!” (Shih - Romakëve 7:7).PPAlb 277.1

    Ndërkohë që vdekja e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, i dha fund legjislacionit ceremonial (që fliste për simbole dhe hije), ajo nuk pati e lëvizi aspak detyrimin që vjen nga ligji moral (Dhjetë Urdhërimet). Përkundrazi, vetë fakti se Krishtit iu desh të jepte jetën në mënyrë që të shlyente për shkeljen e ligjit nga ana e njeriut, e vërteton këtë ligj se është i pandryshueshëm.PPAlb 277.2

    Ata që pretendojnë se Krishti erdhi që të shfuqizojë ligjin e Perëndisë si dhe të hiqte qafe Dhjatën e Vjetër e përshkruajnë epokën izraelite si një epokë errësire, si dhe e paraqesin religjionin e hebrenjve si diçka që kishte vetëm formalitete dhe ceremoni. Por ky përshkrim është i gabuar. Nëpër faqet e historisë së shenjtë, atje ku është mbajtur shënim marrëdhënia e Perëndisë me popullin e Tij gjenden gjurmë të padiskutueshme të “UNE JAM-it” të madhërishëm—Zotit Perëndi. Ai kurrë nuk u ka dhënë pasardhësve të Adamit dhe Evës manifestime më të hapura të fuqisë dhe lavdisë së Tij se sa kur vetëm Ai u pranua si udhëheqës i Izraelit, dhe kur ia dha Ligjin populli të Tij. Këtu bëhet fjalë për një skeptër që nuk përthyhet dot nga dora njerëzore. Për më tepër, shfaqjet dhe mrekullitë madhështore të këtij Mbreti të padukshëm të Izraelit ishin jashtëzakonisht të madhërishme dhe dridhëruese.PPAlb 277.3

    Në të gjitha këto zbulesa të pranisë hyjnore, lavdia e Perëndisë u manifestua nëpërmjet Krishtit. Jo vetëm me ardhjen e Shpëtimtarit në tokë, por përgjatë të gjitha epokave pas Rënies së njeriut në mëkat dhe premtimit që për shpengim, “Perëndia ishte në Krishtin, duke e pajtuar botën me Veten, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit.” - 2 Korintasve 5:19. Krishti ishte themeli dhe epiqendra e sistemit flijues (sakrificial) si në epokën e patriarkëve ashtu edhe në atë të Izraelit. Që kur prindërit tanë të parë ranë në mëkat nuk ka patur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Por Ati Perëndi e ka lënë botën në duart e Krishtit, që nëpërmjet veprimtarisë së Tij ndërmjetësuese Ai të mund ta shpengojë njeriun si dhe të vërtetojë sërish autoritetin dhe shenjtërinë e ligjit të Perëndisë. I gjithë bashkëbisdedimi ndërmjet qiellit dhe racës njërëzore të rënë në mëkat ka ndodhur në sajë të Krishtit. Ishte pikërisht Biri i Perëndisë Ai që u dha prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, premtimin e shpëtimit. Ishte Ai që shfaqi Vetveten përpara patriarkëve. Adami, Noeu, Abrahami, Isaku, Jakobi, dhe Moisiu e kuptuan mesazhin e ungjillit (lajmin e mirë). Kur ata kërkonin shpëtimin, ata e kërkonin nëpërmjet Birit të Perëndisë, Zëvendësuesit dhe Garantuesit të njerëzimit. Të gjithë këta burra të shenjtë e të moçëm kuvenduan me Shpëtimtarin (Krishtin) i cili do të vinte më vonë në botën tonë si njeri; ndërsa disa prej tyre biseduan me Krishtin dhe me engjëjt e qiellit ballë për ballë.PPAlb 277.4

    Krishti nuk ishte vetëm udhëheqësi i vërtetë i hebrenjve në shkretëtirë—Engjëlli në të cilin ishte emri i Zotit Perëndi (“Jahveh”), dhe i cili, i mbuluar në kolonën e resë, printe përpara turmës—por ishte dhe Ai që i dha ligjin Izraelit. [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 7]. Në mes të lavdisë drithëruese të malit Sinai, Krishti deklaroi përpara të gjithë popullit dhjetë parimet e ligjit të Atit të Tij Perëndi. Ishte pikërisht Krishti ai që i dha Moisiut ligjin e gdhendur në pllakat e gurta.PPAlb 278.1

    Ishte gjithashtu Krishti që foli me popullin e Tij nëpërmjet profetëve. Apostulli Pjetër, në një letër drejtuar kishës së krishterë, thotë se profetët “profetizuan rreth hirit që duhet të vinte për ju: duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavdinë që do të vinte më pas.” - 1 Pjetrit 1:10, 11. Zëri i Krishtit është pikërisht ai që na flet me anë të Dhjatës së Vjetër, “Dëshmia e Jezusit është fryma e profecisë.” - Zbulesa 19:10.PPAlb 278.2

    Në mësimet e Tij, ndërsa gjendej personalisht mes njerëzve, Jezusi ua drejtonte mendjen atyre për nga Dhjata e Vjetër. Ai u thoshte hebrenjve, “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe [Shkrimet] janë ato që japin dëshmi për Mua.” - Gjoni 5:39. Në atë kohë, librat e Dhjatës së Vjetër ishin pjesa e vetme ekzistuese e Biblës. Në këtë kontekst duhet parë dhe deklarata e Birit të Perëndisë, “... Kanë Moisiun dhe profetët (kupto: librat e Moisiut dhe të profetëve), le t’i dëgjojnë ata.” Gjithashtu shtoi, “Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk ka për t’iu mbushur mendja, edhe në rast se dikush do të ringjallej prej së vdekurish.” - Luka 16:29, 31.PPAlb 278.3

    Ligji ceremonial u dha nga Krishti. Edhe atëherë kur nuk duhej zbatuar më, apostulli Pal e paraqiti përpara çifutëve me pozitën dhe vlerën e vërtetë që zotëron, duke treguar qartë vendin që i takonte në planin e shpëtimit si dhe marrëdhënien e tij me veprimtarinë e Krishtit; dhe duhet thënë se ky apostull i madh e konsideron hapur këtë ligj si të lavdishëm, të denjë për Zotin, Hartuesin e tij hyjnor. Shërbesa solemne e shenjtërores simbolizonte të vërtetat madhështore të cilat do të shfaqeshin përgjatë brezave të ardhshëm. Reja e temjanit që ngrihej së bashku me lutjet e Izraelit përfaqëson virtytshmërinë e Krishtit, e vetmja që mund ta bëjë lutjen e mëkatarit të pranueshme për Perëndinë. Gjithashtu, kafsha e pafajshme që therrej në altarin e flijimit dëshmonte për Shpenguesin që do të vinte, ndërsa prej Vendit Më të Shenjtë ndriçonte simboli i dukshëm i pranisë së Perëndisë. Kështu, epokë pas epoke, me gjithë errësirën dhe apostazinë e tyre, besimi u mbajt gjallë në zemrat e njerëzve deri atëherë kur erdhi koha për ardhjen e Mesias (Krishtit) që ishte premtuar.PPAlb 278.4

    Jezusi ishte drita e popullit të Tij—Drita e botës (- Gjoni 8:12; 9:5)—përpara se të vinte në tokë si një qenie njerëzore. Rrezja e parë e dritës që përshkoi errësirën me të cilën mëkati kishte mbuluar botën, erdhi pikërisht nga Krishti. Dhe prej Tij ka ardhur çdo rreze drite e lavdisë qiellore që ka rënë mbi banorët e planetit tonë. Në planin e shpëtimit Krishti është Alfa dhe Omega—i Pari dhe i Fundit (shih -Zbulesa 1:11; 22:13).PPAlb 279.1

    Qëkur Shpëtimtari derdhi gjakun e Tij për shlyerjen e mëkateve tona, si dhe kur më pas u ngjit në qiell “për t’u shfaqur në praninë e Perëndisë për ne” (- Hebrenjve 9:24), drita ka buruar nga kryqi i Krishtit si dhe nga vendet e shenjta të shenjtërores qiellore. Por drita më e qartë që na është dhënë nuk duhet të na bëjë që të përbuzim dritën më të zbehur e cila përçohej nëpërmjet simboleve të cilat tregonin për nga Krishti. Ungjilli i Krishtit lëshon dritë përmbi kombin çifut si dhe i jep domethënien e duhur ligjit ceremonial. Ndëkohë që shfaqen të vërteta të reja, dhe ajo që është ditur që në fillim ndriçohet edhe më shumë, karakteri dhe synimet e Perëndisë bëhet publike nëpërmjet marrëdhënies së Tij me popullin që ka zgjedhur. Çdo rreze shtesë drite që bie mbi ne na bën që të kemi një njohuri më të qartë të planit të shpengimit, që është realizimi i vullnetit hyjnor në shpëtimin e njerëzimit. Në këtë mënyrë, ne vërejmë hijeshi dhe forcë të mëtejshme tek fjala e frymëzuar, si dhe i studiojmë faqet e saja me një interesim më të madh dhe një ëndje shumë më të theksuarr.PPAlb 279.2

    Shumë njerëz kanë mendimin se Perëndia vendosi një mur ndarës ndërmjet hebrenjve dhe botës së jashtme; se përkujdesja dhe dashuria e Tij ishin përqendruar vetëm në Izrael dhe për rrjedhojë ishin të tërhequra në një nivel të konsiderueshëm larg njerëzve jo-hebrenj. Por nuk ishte aspak plani apo synimi i Perëndisë që populli i Tij të ndërtonte një mur ndarjeje ndërmjet tyre dhe fqinjëve të tyre. Zemra e Perëndisë, e mbushur plot dashuri të pafundme në fakt ishte e hapur ndaj të gjithë banorëve të tokës. Ndonëse ata e kishin mohuar atë, Perëndia bënte përpjekje të vazhdueshme që t’a shfaqte Veten përpara tyre si dhe t’i bënte ata bashkëpjesëmarrës të dashurisë dhe hirit të Tij. Bekimi i Tij iu dha popullit të zgjedhur me qëllim që ky i fundit pastaj të bekonte popujt e tjerë.PPAlb 279.3

    Perëndia e thirri Abrahamin, e mbuloi me pasuri dhe me ndere; dhe kështu besnikëria e patriarkut shërbeu si një dritë për njerëzit e të gjitha vendeve në rajon në të cilat udhëtoi. Abrahami kurrë nuk e mbajti veten të izoluar nga njerëzit që kishte përreth. Ai mbajti marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me mbretërit e kombeve përreth; nga shumë prej tyre ai u prit me respekt të jashtëzakonshëm; ndërsa integriteti dhe fryma e sakrificës, kurajoja dhe zemërgjërësia në fakt përfaqësonin karakterin e Perëndisë. Në Mesopotami, në Kanaan, në Egjipt, she madje deri tek banorët e Sodomit, Perëndia i qiellit u shfaq nëpërmjet përfaqësuesit të Tij.PPAlb 279.4

    Në një mënyrë të ngjashme, Perëndia e shpalli Vetveten nëpërmjet Jozevit tek populli i Egjiptit si dhe tek të gjithë popujt që kishin të bënin me këtë mbretëri të fuqishme. Pse vallë vendosi Zoti që ta lartësojë Jozefin kaq shumë ndër egjiptasit? Ai mund të kishte zgjedhur një mënyrë tjetër për realizimin e planeve të Tij për sa i përket pasardhësve të Jakobit. Por Ai dëshironte që ta bënte Jozevin një dritë, dhe kështu e vendosi tek pallati i mbretit, në mënyrë që ndriçimi hyjnor të përhapej kudo, afër dhe larg. Me një urtësi dhe drejtësi, me një pastërti dhe përzemërsi që e karaktarizonte përherë në jetën e përditshme, me një përkushtim plotë ndaj interesave të popullit—dhe bëhet fjalë për një komb idhujtarësh—Jozefi nuk bënte asgjë tjetër, por veçse përfaqësonte Krishtin. Pikërisht tek ky bamirës, të cilin mbarë Egjipti e nderoi me mirënjohje dhe lavdërime, ai popull pagan duhet të shikonte jo thjesht një njeri të shquar, por vetë dashurinë e Krijuesit dhe Shpëtimtarit të tyre. Kështu edhe me Moisiun, tek i cili Perëndia vuri një dritë pranë fronit të mretërisë më të madhe të botës në atë kohë, me qëllim që të gjithë të kishin mundësi që të mësonin rreth Perëndisë së vetëm të gjallë. Dhe duhet theksuar se kjo dritë iu dha egjiptasve përpara se dora e Perëndisë të tregonte se kishte ardhur koha për gjykim.PPAlb 279.5

    Për shkak të shpëtimit spektakolar të Izraelit nga Egjipti, njohuria rreth fuqisë së Perëndisë u përhap në të katër anët e botës. Populli luftarak i fortesës së Jerikos u drodhën nga frika, “Sapo i dëgjuam (këto gjëra],” tha Rahabi, “zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.” - Jozueut 2:11. Shekuj të tërë pas eksodit (daljes së Izraelit nga Egjipti), priftërinjë e Filistinëve u kujtonin popujve të tyre gjëmat dhe murtajat e Egjiptit, si dhe i paralajmëronin që të mos i bënin rezistencë Perëndisë së Izraelit.PPAlb 280.1

    Perëndia e thirri Izraelin, e bekoi dhe e ngriti lart si komb, por jo që nëpërmjet bindjes së tyre ndaj ligjit të Tij ata të ishin të vetmit që të përfitonin favoret hyjnore, dhe kështu të bëheshin populli i vetëm që kualifikohej për të marrë bekime, por me qëllimin që Perëndia ta shfaqte Veten nëpërmjet tyre për të gjithë banorët e tokës pa përjashtim. Ishte pikërisht për të realizuar këtë synim që Perëndia i urdhëroi izraelitët që të ishin thelbesisht të ndryshëm nga kombet idhujtare përreth.PPAlb 280.2

    Idhujtaria dhe të gjitha mëkatet që ajo mbart me vete ishin gjëra të neveritshme për Perëndinë, ndaj Ai i dha urdhër popullit të Tij që të mos përzihej me kombet e tjera, ndryshe “do të imitonin gjërat që bënin ata” (shih - Eksodi 23:24) dhe duke bërë kështu të harronin Perëndinë. Perëndia i ndaloi martesat e izraelitëve me idhujtarët, me qëllim që zemrat e tyre të mos largoheshin prej Tij. Ishte po aq e domosdoshme atëherë sa ç'është edhe në ditët tona që populli i Perëndisë të mbahet i pastër, “të pafëlliqur nga bota” - 1 Jakobit 1:27. Besimtarët e vërtetë duhet ta mbajnë veten të lirë nga “fryma e botës” sepse kjo e fundit është kundërshtare e së vërtetës dhe virtytshmërisë. Por nga ana tjetër, Perëndia nuk synoi aspak që populli i Tij të krijonte një kompleks supërioriteti dhe vetë-drejtësie dhe kështu të strukej brenda mureve dhe t’i kthente shpinën botës, duke mos patur kështu asnjë Iloj influence tek ajo.PPAlb 280.3

    Ashtu si Mësuesi i tyre, ndjekësit e Krishtit në çdo epokë duhet të jenë drita e botës. Vetë Shpëtimtari tha, “... Një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.” Dhe Krishti shton, “Kështu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” - Mateu 5:14-16. Pikërisht këtë bënë Enoku, Noeu, Abrahami, Jozefi dhe Moisiu. Pikërisht të njëjtën gjë Perëndia priste që të bëhej nga populli i Tij, Izraeli.PPAlb 280.4

    Por zemra e tyre e ligë dhe plot pabesi, e kontrolluar nga Satani, bëri që izraelitët ta fshihnin dritën, në vend që ta mbanin lart e të ndriçonin kështu tërë kombet që i rrethonin; ishte e njëjta frymë mëndjengushtë dhe paragjykuese që i bëri ata ose të ndiqnin praktikat e fëlliqura të paganëve ose të vetë-izoloheshin me mëndjemadhësi e kryeneçësi, a thua se dashuria dhe përkujdesja e Perëndisë qe vetëm për ta.PPAlb 281.1

    Ndërkohë që Bibla paraqet dy ligje, njëri i pandryshuemshëm dhe i përjetshëm, ndërsa tjetri i ndërmjetëm dhe i përkohshëm, ekzistojnë gjithashtu dhe dy lloje besëlidhjesh. Besëlidhja e hirit u bë në fillim me njeriun në kopshtin në Eden, kur pas Rënies së tij në mëkat u dha një premtim hyjnor që pasardhja e gruas do të shtypte kokën e gjarprit (shih - Zanafilla 3:15) Kjo besëlidhje u ofroi të gjithë njerëzve faljen dhe hirin ndihmues të Perëndisë që do t’u nevojitej në të ardhmen për bindje ndaj Perëndisë nëpërmjet besimit në Krishtin. Gjithashtu, kjo besëlidhje u premtoi njerëzve jetë të përjetshme me kusht që t’i qëndronin besnikë ligjit të Perëndisë. Në këtë mënyrë e morën patriarkët e lashtë shpresën e shpëtimit.PPAlb 281.2

    E njëjta besëlidhje u përtërit me Abrahamin me premtimin: “Në pasardhjen tënde do të bekohet të gjithë kombet e botës.” - Zanafilla 22:18. Edhe në këtë premtim bëhej fjalë për Krishtin. Abrahami e kuptoi këtë gjë, (shih - Galatasve 3:8, 16), dhe tregoi besim tek Krishti për faljen e mëkateve. Ishte pikërisht ky besim që iu llogarit Abrahamit si virtytshmëri. Edhe besëlidhja me Abrahamin përmbante në brendësi autoritetin e ligjit të Perendisë. Zoti iu shfaq Abrahamit dhe i tha, “Unë jam Perëndia i Gjithpushtetshëm; ec përpara Meje, dhe ji i përsosur.”- Zanafilla 17:1. Dëshmia e Perëndisë për sa i përket shërbëtorit të Tij ishte, “Abrahami iu bind zërit Tim, dhe respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e Mia.” - Zanafilla 26:5. Dhe Zoti i deklaroi atij, “Dhe do të caktoj besëlidhjen time ndërmjet Meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën Unë do të marr përsipër të jem Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu mbas teje.” - Zanafilla 17:7.PPAlb 281.3

    Ndonëse kjo besëlidhje u bë me Adamin dhe u përtëri me Abrahamin, ajo nuk mund të ratifikohej përpara se Krishti të jepte jetën. Besëlidhja kishte ekzistuar për shkak të premtimit të Perëndisë që u dha kur një rrugë shpëtimi u hartua për njerëzimin; ajo ishte pranuar me anë të besimit; megjithatë, pasi u ratifikua me anë të Krishtit, ajo quhet një besëlidhje e re. Ligji i Perëndisë ishte themeli i kësaj besëlidhjeje, e cila ishte thjesht një marrëveshje për ri-sjelljen e njerëzimit në harmoni me vullnetin hyjnor, duke i mundësuar ata edhe një herë që t’i bindeshin ligjit të Perëndisë.PPAlb 281.4

    Një pakt-marrëveshje tjetër—që në Shkrimet e Shenjta quhet besëlidhja “e vjetër”—u krijua ndërmjet Perëndisë dhe Izraelit në makin Sinai, dhe u ratifikua më pas me anë të gjakut të një flijimi (kurbani). Besëlidhja e Abrahamit u ratifikua me anë të gjakut të Krishtit, dhe quhet besëlidhja ” e dytë,” ose “e re,” sepse gjaku me anë të së cilës u vulos, u derdh pas gjakut të besëlidhjes së parë (të vjetër). Që besëlidhja e re ishte e vlefshme në kohën e Abrahamit vërtetohej nga fakti se ajo u konfirmua si me anë të premtimit ashtu edhe me anë të betimit të Perëndisë—pra “me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë.” - Hebrenjve 6:18.PPAlb 281.5

    Por në qoftë se besëlidhja e Abrahamit e përmbante premtimin për shpëtim, pse atëherë u krijua një besëlidhje tjetër në malin Sinai? Të gjendur në robëri, izraelitët e kishin humbur ndjeshëm njohurinë rreth Perëndisë si dhe rreth parimeve të besëlidhjes së Abrahamit. Me shpëtimin e tyre prej Egjiptit, Perëndia u përpoq t’u tregonte atyre fuqinë dhe mëshirën e Tij, që edhe ata të shtyheshin për ta dashur e pët të patur besim tek Ai. Ai i solli deri në Detin e Kuq—atje ku, ndërsa ndiqeshin këmba-këmbës nga egjiptasit, shpëtimi dukej i pamundur—që ata ta kuptonin se në çfarë pozite të humbur gjendeshin, dhe sa shumë kishin nevojë për ndihmesën e Perëndisë; dhe vetëm atëherë Ai realizoi shpëtimin e tyre. Kështu, zemrat e tyre u mbushën me dashuri dhe mirënjohje për Perëndinë, si dhe me konfidencën se Ai, i Plotfuqishmi Perëndi, ishte i vetmi që mund t’i ndihmonte. Ai i kishte lidhur ata pas Vetes sepse i kishte shpëtuar nga ajo robëri e përkohshme.PPAlb 282.1

    Por një e vërtetë akoma më e madhe po përgatitej për mendjet dhe zemrat tyre. Jetesa në mes të idhujtarisë dhe çthurrjes, ata nuk e kishin më konceptin e vërtetë mbi shenjtërinë e Perëndisë, të fajësisë në rritje të zemrave të tyre, të pamundësisë totale, ne vetvete, për t’iu bindur ligjit të Perëndisë, si dhe të nevojës për një Shpëtimtar. Të gjitha këto gjëra duhet t’u mësoheshin.PPAlb 282.2

    Kështu, Perëndia i solli në malin e Sinait; Ai shfaqi atje lavdinë e Tij; Ai u dha ligjin e Tij, me premtimin se bekime të mëdha do të vinin për ta në rast se do t’i bindeshin: “Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin Tim dhe e zbatoni besëlidhjen Time, do të jeni thesari Im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse e gjithë toka është Imja. Dhe do të jeni për Mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.” - Eksodi 19:5, 6. Izraelitët nuk e kuptuan aspak fajësinë e zemrave të tyre, si dhe se pa Krishtin, do të ishte e pamundur për ta që t’i bindeshin ligjit të Perëndisë; dhe kështu u betuan shpejt e shpejt se do ta zbatonin besëlidhjen. Duke kujtuar se tashmë ishin në gjendje për ta arritur virtytshmërinë vetë, ata deklaruan, “Ne do të bëjmë të gjitha ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi.” - Eksodi 24:7. Ata e kishin përjetuar shpalljen e ligjit në një atmosferë solemne dhe madhështore, dhe ishin dredhur nga frika e tmerri përpara malit; dhe megjithatë, do të kalonin vetëm disa javë, dhe ata do ta thyenin besëlidhjen me Perëndinë, duke u përkulur dhe adhuruar një shëmbëlltyrë (figurë) të gdhendur. Ata nuk mund të shpresonin dot tek favori i Perëndisë nëpërmjet një besëlidhjeje të cilën e kishin thyer. Në këtë situatë, pasi e kuptuan se ishin fajtorë dhe kishin nevojë për falje, atyre iu bë të kuptonin nevojën për Shpëtimtar që shfaqej në besëlidhjen e Abrahamit dhe që përfaqësohej simbolikisht në ofertat e flijimit. Kështu, ata u lidhën me anë të besimit e dashurisë me Perëndinë, duke e konsideruar atë si të vetmin që do t’i shpëtonte nga robëria e mëkatit. Vetëm kështu ata mund të ishin gati që të çmonin e vlerësonin bekimet e besëlidhjes së re.PPAlb 282.3

    Kushtet e besëlidhjes “së re” ishin, Bindu dhe jeto: “duke respektuar [statutet dhe dekretet e Perëndisë], njeriu do të jetojë për ato”... “Kushdo që i zbaton në praktikë, ka për të jetuar.” (- Ezekieli 20:11; Levitiku 18:5); por nga ana tjetër, “Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t’i zbatuar në praktikë!” - Ligji i Përtërirë 27:26. “Besëlidhja e re” bazohej mbi “premtime më të mira” (- Hebrenjve 8:6)— premtimi për faljen e mëkateve dhe të përtëritjes së zemrës nga hiri i Perëndisë si dhe të sjelljes në harmoni me parimet e ligjit të Perëndisë. ” ‘Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve,’ thotë Zoti: ‘Do ta vendos ligjin Tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe Unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli Im ... Sepse Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.” - Jeremia 31:33, 34.PPAlb 283.1

    I njëjti ligj që u gdhend në mbi pllakat e gurta (Dhjetë Urdhërimet) shkruhet sot nga Fryma e Shenjtë në “pllakat” e zemrës së njeriut. Në vend që të synojmë më kot që të arrijmë vetë virtytshmërinë, ne pranojmë virtytshmërinë e Krishtit. Gjaku i Tij shlyen fajet tona. Bindja e Tij pranohet si e jona. Atëherë zemra e përtërirë nga Fryma e Shenjtë ka për të prodhuar “frytet e Frymës.” (shih - Galatasve 5:22). Nëpërmjet hirit të Krishtit, ne do të jetojmë duke iu përmbajtur ligjit të Perëndisë që është i shkruar në zemrat tona. Duke patur Frymën e Krishtit, ne do të ecim ashtu siç eci Ai Vetë. Nëpërmjet profetit, Ai i referohet Vetvetes, “Perëndia Im, Unë ngazëllehem kur zbatoj vullnetin Tënd; po, ligji Yt është në zemrën Time.” - Psalmi 40:8. Ndërkohë që kur u gjend mes njerëzve, Ai tha “Ati nuk më ka lënë vetëm; sepse Unë vazhdimisht bëj gjërat që i pëlqejnë Atij.” - Gjoni 8:29.PPAlb 283.2

    Apostulli Pal paraqet qartësisht marrëdhënien ndërmjet besimit dhe ligjit nën besëlidhjen e re. Ai thotë, “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.” “E anullojmë ne, pra, ligji nëpërmjet besimit? Mos e dhëntë Zoti; përkundrazi e forcojmë ligjin.” “Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit,” —nuk mund ta shfajësonte njeriun, sepse duke patur natyrë mëkatare, nuk mund t’i përmbahej dot ligjit—“Perëndia, duke dërguar Birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish, që të përmbushet virtytshmëria e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.” - Romakëve 5:1; 3:31; 8:3, 4.PPAlb 283.3

    Puna e Perëndisë është e njëjta gjatë të gjitha kohërave, ndonëse ekzistojnë shkallë të ndryshme zhvillimi, si dhe manifestime të ndryshme të fuqisë së Tij, për të plotësuar nevojat e njerëzve në epoka të ndryshme. Duke filluar me premtimin e parë të lajmit të mirë (ungjillit, shih - Zanafilla 3:15), dhe duke vazhduar me epokat patriarkale dhe të Izraelit, dhe deri në kohërat e sotme, synimet e Perëndisë në planin e shpëtimit janë shpalosur gradualisht. Shpëtimtari i simbolizuar nga ritet dhe ceremonitë e ligjit çifut është i njëji që paraqitet në ungjijtë e Dhjatës së Re. Retë që mbulonin formën e Tij hyjnore tashmë janë shpërndarë; mjegullat e hijet janë zhdukur; dhe Jezusi, Shpëtimtari i botës, qëndron zbuluar. Ai që shpalli ligjin nga mali Sinai dhe që i dorëzoi Moisiut parimet e ligjit ceremonial, është i njëjti që predikoi Shërbesën në Mal (- Mateu 5:3-7:27). Parimet madhështore që përmban dashuria ndaj Perëndisë, të cilat Ai i përcaktoi si themele të (shkrimeve të) ligjit dhe profetëve, janë thjesht një përsëritje të asaj çka Ai u kishte thënë më parë popullit izraelit nëpërmjet Moisiut: “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.” - Ligji i Përtërirë 6:4, 5. “Do ta duash fqinjin porsi veten tënde.” - Levitiku 19:18. Në të dyja këto deklarime, mësuesi është i njëjtë. Kriteret e Perëndisë mbeten të njëjtat. Parimet e qeverisjes së Tij mbeten të njëjtat. Sepse gjithçka vjen prej Tij “pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.” - Jakobit 1:17.PPAlb 283.4

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents