Loading...
Larger font
Smaller font
Copy
Print
Contents
  • Results
  • Related
  • Featured
No results found for: "".
  • Weighted Relevancy
  • Content Sequence
  • Relevancy
  • Earliest First
  • Latest First
    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents

    4—“EGJRA”

    Ai iu PROPOZOI atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu, që mbolli farë të mirë në arën e vet. Por, ndërsa njerëzit po flinin erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku. Kur më pas gruri u rrit dhe dha fryt, u duk edhe egjra ”MNJ 52.1

    “Fusha” tha Krishti “është bota”, por ne duhet të kuptojmë se këtu bëhet fjalë për Kishën e Krishtit në botë. Shëmbëlltyra flet për çështje të mbretërisë së Perëndisë dhe për punën e Krishtit për shpëtimin e njeriut, e cila realizohet pikërisht me anë të kishës. Është e vërtetë që Shpirti i Shenjtë është duke punuar në zemrat e njerëzve në mbarë botën, por rritja dhe pjekuria jonë shpirtërore, që do të na përgatisin për hambaret e Perëndisë janë rezultate, që arrihen në kishën e Tij.MNJ 52.2

    «Ai që mbjell farën e mirë është Biri i Njeriut...fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut”. Fara e mirë përfaqëson ata, që kanë lindur nga e vërteta, fjala e Perëndisë, ndërsa egjra përfaqëson një klasë njerëzish, të cilët mishërojnë gabimin dhe parimet e gabuara. «Armiku, që i ka mbjellë ato është djalli». As Perëndia, as ëngjëjt e Tij nuk kanë mbjellë ndonjëherë fara, të cilat do të mund të prodhonin egjrën. Egjra mbillet përherë nga Satani, armik i njeriut dhe i Perëndisë.MNJ 52.3

    Në Lindje ndodhte nganjëherë që dikush të hakmerrej ndaj armikut të vet, duke hedhur në arën e sapombjellë të këtij të fundit farat e ndonjë bime të keqe, e cila kur rritej ngjante shumë me grurin. Duke mbirë së bashku, këto bimë e dëmtonin grurin dhe i shkaktonin humbje e mjaft kokëçarje pronarit të arës. Në këtë mënyrë vepron edhe Satani: armik i Krishtit, ai shpërndan farat e së keqes mes grurit të mirë të mbretërisë dhe ia atribuon frytet e farave të mbjella prej tij Birit të Perëndisë. Duke futur në kishë ata, të cilët mbajnë emrin e Krishtit, por e mohojnë karakterin e Tij, i ligu punon që Perëndia të çnderohet, puna e shpëtimit të paraqitet nën një dritë të keqe dhe shpirtërat të rrezikohen.MNJ 53.1

    Shërbëtorët e Krishtit hidhërohen kur shohin që në kishën e Tij bashkë me besimtarët e vërtetë përzihen edhe të rremët. Ata dëshirojnë me gjithë shpirt të bëjnë diçka për ta pastruar kishën. Ashtu si shërbëtorët e pronarit të shëmbëlltyrës, ata janë gati ta shkulin barin e keq, por Krishti iu thotë: uJo, kam frikë se duke shkulur egjrën bashkë me të do të shkulni edhe grurin. I lini të rriten bashkë deri në të korrat”.MNJ 53.2

    Krishti e ka thënë qartë se ata, që vazhdojnë të mëkatojnë haptazi duhen ndarë nga kisha, por punën e gjykimit të karakterit të mëkatarëve dhe të arsyeve se, pse ata mëkatojnë nuk na e ka besuar neve. Ai na njeh tepër mirë për të na e besuar këtë detyrë. Nëse do të përpiqeshim të largonim nga kisha ata, që për ne janë të krishterë të rremë, me siguri që do të bënim gabime. Shpesh ne i konsiderojmë njerëz të pashpresë pikërisht ata, që Krishti po tërheq tek vetja. Sikur t’i trajtonim këta njerëz ashtu siç na thotë mendja jonë e kufizuar, ndoshta do të shuanim edhe shpresën e tyre të fundit. Shumë nga ata, që e mbajnë veten për të Krishterë do të gjykohen të mangët ditët e fundit, ndërkohë që në qiell do të ketë shumë vetë, për të cilët nuk do të na kishte shkuar kurrë mendja. Njeriu gjykon pamjen ejashtme, ndërsa Perëndia gjykon zemrat. Egjra dhe gruri do të rriten së bashku deri në kohën e të korrave dhe e korra do të shënojë fundin e kohës së faljes.MNJ 53.3

    Në fjalët e Shpëtimtarit gjejmë edhe një mësim tjetër durimi të madh dhe dashurie të dhembshur. Siç janë rrënjët e egjrës të thurura me ato të grurit, ashtu edhe vëllezërit e rremë mund të jenë të lidhur ngushtë me dishepuj të vërtetë, brenda kishës. Natyra e vërtetë e këtyre gjoja besimtarëve nuk shfaqet e plotë dhe sikur kisha të vepronte kundër tyre, për t’i larguar, shumë besimtarë të tjerë, të cilët përndryshe do të kishin rezistuar të paepur deri në fund, do të rrezikonin të shkisnin nga rruga e drejtë e besimit.MNJ 54.1

    Mësimi i kësaj shëmbëlltyre ilustrohet edhe nga mënyra sesi i trajton Perëndia njerëzit dhe engjëjt. Satani është një mashtrues dhe kur mëkatoi në qiell, as vetë ëngjëjt e shenjtë nuk arritën ta dallojnë plotësisht karakterin e tij. Për këtë arsye, Perëndia nuk e shkatërroi atë menjëherë. Sikur të kishte vepruar në këtë mënyrë, ëngjëjt e shenjtë nuk do ta kishin kuptuar drejtësinë dhe dashurinë e Tij. Dyshimi në mirësinë e Perëndisë do të kishte qënë një farë me të vërtetë e keqe, e cila do të sillte me vete frytet e hidhura të mëkatit dhe të mjerimit. Prandaj autori i së keqes u kursye, dhe iu dha mundësia ta zhvillonte deri në fund e plotësisht karakterin e vet. Perëndia, që prej shumë kohësh po e duron dhimbjen e madhe që i sjell pamja e të keqes, na ka dhënë Dhuratën e pafund të Kalvarit, në mënyrë që askush të mos mashtrohet prej të ligut. Bari i keq nuk mund të shkulet pa rrezikuar edhe çrrënjosjen e grurit të çmuar. A nuk duhet pra, nën dritën e kësaj të vërtete, që edhe ne të tregohemi po aq të duruar me njerëzit e tjerë, sa ç’ka qënë Zoti i qiellit dhe i tokës me Satanin?MNJ 54.2

    Bota nuk ka asnjë të drejtë të dyshojë për vërtetësinë e Krishtërimit, për shkak të faktit se në kisha ka edhe anëtarë të padenjë. Po kështu, as të Krishterët nuk duhet të dekurajohen për shkak të këtyre vëllezërve të rremë. E mbani mend se çfarë ndodhte në kishën e ditëve të para? Anania dhe Safira u bashkuan me dishepujt, Simon Magjistari u pagëzua, Dema, i cili përndoqi Palin u cilësua besimtar dhe Juda Iskarioti u numërua me apostujt. Shpëtimtari nuk dëshiron të humbasë asnjeri. Përvoja e Tij me Judën është rregjistruar nga shkrimet për të treguar durimin e shfaqur prej Tij ndaj natyrës së çoroditur njerëzore, të cilën Ai na fton ta durojmë, ashtu siç e duroi edhe vetë. Ai ka thënë se besimtarët e rremë do t’i gjejmë në kisha deri në fund të kohëve.MNJ 55.1

    Pavarësisht nga paralajmërimi i Krishtit njerëzit janë përpjekur t’i shkulin vetë barërat e këqija. Për të dënuar ata, të cilët mendohej se ishin keqbërës, kisha i është drejtuar shpesh, gjatë kohërave, pushtetit laik. Ata, të cilët nuk i janë bindur doktrinave zyrtare janë burgosur, torturuar dhe vrarë, nën nxitjen e disa njerëzve, të cilët pretendonin se ishin duke vepruar në emër të ligjit të Krishtit. Por këto lloj veprash janë të frymëzuara nga shpirti i Satanit dhe jo nga ai i Krishtit. Ato janë pjesë të taktikës së Satanit, për ta nënshtruar botën nën pushtetin e vet. Kisha e ka keqpërfaqësuar Perëndinë, duke i trajtuar në këtë mënyrë ata, që mendohej se ishin heretikë.MNJ 55.2

    Shëmbëlltyra e Krishtit na mëson të mos merremi me gjykimin dhe dënimin e të tjerëve, por të tregohemi të përulur dhe mosbesues ndaj natyrës sonë. Nga ana tjetër jo gjithçka e mbjellë në fushë është grurë i mirë, dhe fakti që dikush është anëtar i kishës nuk do të thotë automatikisht se ai është i Krishterë.MNJ 55.3

    Bimët e egjrës ngjajnë shumë me grurin, kur janë ende të gjelbra, por kur piqen, ndërrojnë ngjyrë dhe janë gati për t’u korrur, këto ferra pa vlerë humbasin çdo ngjashmëri me kallinjtë kryepërkulur të grurit, të rënduar nga kokrrat. Mëkatarët, që bëjnë gjoja sikur pendohen, përzihen për ca kohë me ndjekësit e vërtetë të Krishtit dhe shtirja e maskimi i tyre mund të mashtrojnë shumë vetë, por kur të vijë koha e të korrave, në fund të botës, nuk do të ketë më kurrfarë ngjashmërie. Atëherë, ata që janë bashkuar me kishën, por jo me Krishtin do të dallohen.MNJ 56.1

    Bari i keq lejohet të rritet në mes të grurit dhe të përfitojë si ai, nga dielli dhe nga shiu, por kur të vijë koha e korrjes do të vihet re përsëri “ndryshimi ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij”.-Malakia 3:18. Vetë Krishti do ta vendosë se kush do të jetë i denjë për të jetuar së bashku me familjen e qiellit. Ai do ta gjykojë çdo njeri sipas fjalëve dhe veprave të veta. Shpalljet dhe deklaratat nuk do të kenë kurrfarë vlere, pasi fati i njerëzve do të vendoset nga karakteri i tyre.MNJ 56.2

    Shpëtimtari nuk na flet për një kohë kur të gjitha barërat e këqija do të bëhen grurë. Gruri dhe egjra do të rriten bashkë, deri në kohën e të korrave, e cila përfaqëson fundin e botës dhe atëherë, egjra do të mblidhet në duaj dhe do të digjet në zjarr, ndërsa gruri do të mblidhet në hambarin e Perëndisë. “Atëherë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre” dhe “Biri i njeriut do të dërgojë ëngjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e Tij gjithë skandalet dhe ata, që bëjnë paudhësi dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh”.MNJ 56.3

    Larger font
    Smaller font
    Copy
    Print
    Contents